Mungesa e medikamenteve mbërthen infektivin e pediatrisë. Prej gati një muaj pacientët e vegjël që janë mbartës të virusit HIV gjenden në vështirësi, pasi dy nga barnat që spitali duhet të sigurojë për dhënien e kurës së plotë, mungojnë. Pranë këtij pavijoni marrin kujdes mjekësor rreth 17 fëmijë të moshave të ndryshme mbartës të këtij virusi, trajtimi i të cilëve prej ditësh bëhet me medikamentet e të rriturve. Ky shqetësim konstatohet nga drejtuesit e shoqatës së të prekurve nga Hiv-AIDS. Konkretisht bëhet fjalë për dy barna antiretroviral, nga tre që përfshin skema e trajtimit për këtë kategori pacientësh. Në mungesë të këtyre dy barnave fëmijët në disa raste kanë marrë kurën duke alternuar barnat ekzistuese me ato që përdoren nga më të rriturit. Kjo pasi ndërprerja disa ditore e terapisë trajtuese mund të mbartë pasoja të rënda në shëndetin e tyre duke qenë se organizmi krijon rezistencë, e cila pakëson efektet trajtuese në rastet e rinisjes së terapisë. “Dy medikamente mungojnë prej kohësh. Është vërtetë një alarm dhe unë nuk e di pse ende nuk janë siguruar. Është për të ardhur keq pse nuk ka një reagim nga instancat përgjegjëse, qoftë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” si dhe dikasteret e tjera përgjegjëse. Në kushtet kur ka ndërprerje të medikamenteve, në këto raste te fëmija krijohet rezistencë ndaj medikamentit”, shprehet një nga drejtueset e shoqatës së personave të prekur nga HIV- AIDS. Mungesa e barnave konfirmohet edhe nga drejtuesit e këtij shërbimi. Shefja e pavijonit të infektivit në pediatri Eli Foto pohon se ka mungesë vetëm të një medikamenti për të cilin është bërë kërkesë që të sigurohet. Më tej Eli Foto vë në dukje se është dërguar shkresa përkatëse në drejtorinë e spitalit, si dhe pranë Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat duhet të marrin masat dhe të sigurojnë këtë medikament brenda një harku të shkurtër kohor,kjo me qëllim që të mos krijohet vakum në dhënien e trajtimit për këtë kategori. “Fëmijët me HIV trajtohen te ne me medikamentet antiretrovirale, që janë të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe kanë protokollet e caktuara, në linjë të parë ose linjë të dytë. Aktualisht ka shkuar mirë, por tani që flasim ne na mungon një preparat antiretroviral, që fëmijët nuk po e marrin. I kemi vënë në dijeni institucionet përkatëse për këtë problem, kështu që presim që të na vijë”, deklaron Foto. Sa i takon këtij shqetësimi ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë bëjnë me dije se do të marrin masa për të siguruar sa më shpejt medikamentet e munguara. Kreu i politikave shëndetësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë Pëllumb Pipero vë në dukje se pas marrjes së informacioneve për këtë mungesë medikamenti drejtoria e QSUT-së është porositur që të bëjë shtesën e kontratave mbi bazën e kontratave të vitit të kaluar sa të realizohen tenderat e këtij viti nëpërmjet të cilave bëhet furnizimi normal i pavijonit me medikamente. Bluzat e bardha tregojnë se aktiviteti seksual mbetet rruga kryesore e transmetimit të virusit përkatësisht tek më shumë se 93 për qind e rasteve. Ndërkohë që transmetimi nga nëna tek fëmija përbën 4 për qind të rasteve dhe transmetimi nëpërmjet gjakut përbën 3 për qind të rasteve të evidentuar si mbartës të këtij virusi.
Rrezikshmëria e ndërprerjes së trajtimit
Ndërprerja e trajtimit të fëmijëve me HIV, qoftë e një prej llojeve të antiretroviralëve, së paku për dy javë, sjell probleme të rënda në shëndet, pasi komplikacionet që mbart sëmundja rëndohen edhe më shumë. E në rast se kjo gjë ndodh, rinisja e trajtimit më pas mund të mos japë efektet e duhura trajtuese. Kjo pasi nga mungesa e marrjes së këtyre barnave, organizmi krijon rezistencë. Numri i personave që janë mbartës të këtij virusi ka pësuar rritje edhe në këtë fillim viti. Sipas të dhënave të bëra publike nga ekspertët e shëndetit, vihet në dukje se listës së të prekurve i janë shtuar edhe 10 persona të rinj. Analizat e kryera kanë konstatuar praninë e virusit tek këta persona duke e çuar në 565 numrin total të të identifikuarve me këtë virus. Megjithatë shifra e të prekure mendohet të jetë disa herë më e lartë, kjo për shkak të moszbulimit të sëmundjes në stade të hershme. Në shumë raste është frika ndaj diskriminimit që mund tu bëj shoqëria ajo çfarë i pengon shumë nga personat që dyshojnë se janë mbartës të kryejnë analizat për të verifikuar nëse janë pozitiv.
Transmetimi i Hiv-Aids
HIV-AIDS është një sëmundje e cila tregon një rënie të theksuar të mbrojtjes imunitare, me plogështi dhe humbje të theksuar në peshë. Përhapet kryesisht në rrugë seksuale (mënyra më e shpeshtë), nëpërmjet gjakut, nëpërmjet transfuzionit dhe injeksioneve, si dhe nga nëna e infektuar tek fëmija i porsalindur. Për herë të parë kjo sëmundje në vendin tonë është zbuluar në vitin 1993 dhe që nga ajo ditë evidentohen zyrtarisht 565 persona të prekur, ndërkohë mendohet që shifra reale të jetë shumë herë më e lartë për shkak të mosidentifikimit të pacientëve. Që prej vitit kur u zbulua rasti i parë me këtë virus, 86 prej personave të infektuar kanë vdekur për shkak të komplikacioneve të rënda të shkaktuara nga sëmundja.