Prej muajsh të tërë shërbimet e QSUT-së po vuajnë mungesën e barnave dhe materialeve të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pacientëve. Krahas onkologjikut, dhe kirurgjisë, mungesa të theksuara janë konstatuar edhe në shërbimin e infektivit, i cili gjatë verës po ashtu përballet me një fluks të lartë pacientësh. Mjekët e këtij shërbimi bëjnë me dije se janë në gjendje të vështirë pasi spitali nuk ka serume që nevojiten për trajtimin e pacientëve të pickuar nga gjarpërinjtë, mushkonjat etj. Mungesa raportohen edhe në medikamentet për tetanozin, të cilat gjatë ditëve të nxehta janë të domosdoshme.
Kjo pasi këto ditë korriku shënojnë edhe rastet më të shpeshta të helmimeve nga gjarpri, pickimeve apo dhe plagëve të marra të cilat kërkojnë mjekim të specializuar. Duke qenë se këto mungesa janë të theksuara prej muajsh pacientëve u është dashur që në çdo rast të përballojnë vetë koston e tyre. Serumet të cilat janë tepër specifike, kushtojnë nga 1800 lekë deri në 6000 mijë. ”Ka mungesa herë pas here të disa medikamenteve, kryesisht serumit anti-tetanik që mungon në urgjencë që të sëmurët e blejnë. Duhet të jetë i siguruar. Antivipër, antitetaniku duhen të jenë pranë çdo urgjence, sidomos urgjencës pranë spitalit Infektiv.
Serumi anti- tetanik parandalon tetanozin pas plagëve shpuese apo dëmtuese, ndërsa serumi anti- viper është serumi i helmimin nga gjarpri. Pritet që rastet mund të jenë prezente çdo ditë në prezencë”, ka konfirmuar Klodiana Shkurti mjeke infeksioniste. Por, pavarësisht raportimeve të bëra nga personeli mjekësor, drejtoria e QSUT reagon duke pohuar se spitalet kanë barnat bazë. “Në rastin konkret bëhet fjalë për medikamente dhe antivipera të cilët janë specifikë për sezonin e verës.
Në lidhje me këto medikamente QSUT është duke kryer procedurën e blerjes së tyre me tender të drejtpërdrejtë që do të thotë se medikamentet sigurohen në pavijone në një kohë shumë të shkurtër. Në lidhje me barnat e tjera, Shërbimi i Farmacisë Qendrore konfirmon se në të gjitha shërbimet pacientët marrin medikamentet bazë, ndërkohë që çdo ditë janë duke u nënshkruar kontratat e blerjes së ilaçeve të tjera të tenderuara”, citohet në deklarimin zyrtar të QSUT-së.

jemi vendi i dyte per ekonomin mbas gjermanise…………….hajde barbari shqiptare.