Mungon kritika, por a kemi në të vërtetë letërsi?

Ornela

Çapajev Gjokutaj

Mungon kritika, qarje e qëmotshme, gati-gati refren në ligjërimin tonë për letërsinë. Përtej ankimit dhe qarjes, është mbase më konstruktive të kërkojmë shkaqet.

Mungon kritika, po a ekziston leximi? Ka rënë dukshëm, thonë disa, brezi i ri nuk lexon, ku ne e ku këta! Dhe si argument sjellin tirazhet. Atëherë librat e mirë botoheshin në 20 mijë kopje dhe shpesh nuk i gjeje, një pjesë shiteshin nën banak, për miq e të njohur.

Vërtetë kanë rënë tirazhet, por janë shtuar dukshëm titujt, kundërshtojnë disa. Atë që ka humbur në numër, sot e fitojmë në larmi.

Hajde e gjeje cila është e vërtetë! Si edhe në fusha të tjera mungojnë të dhënat empirike. Diskutojmë me hamendje. Në një tjetër regjistër,  ky lloj diskutimi quhet  spekulim.

Mirë leximin individual nuk e gjykojmë dot se nuk e masim, po pse e kemi aq të mekët leximin publik? Nuk i praktikojmë thuajse fare grupet apo klubet e leximit. Të rralla e tejet formale janë takimet me autorin, turet në qytete të ndryshme, leximi prej tij në auditor, para lexuesve.

Kemi radio dhe televizione të shumta, por leximi i letërsisë në to është i munguari i madh. Këto dhe forma të tjera të leximit tej individual, do nxisnin artikulim publik për këtë apo atë vepër, për këtë apo atë shkrimtar.

2.

Mungon kritika, por a ekzistojnë mediumet që e kërkojnë, e nxisin, e gjenerojnë? Bashkë me kritikën mungojnë edhe revistat a gazetat e specializuara. Ashtu siç mungojnë edhe rubrikat serioze në media me emër, gazeta a televizione qofshin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë lexuesit e kualifikuar e të artikuluar? Lexues, që seleksionojnë e nxjerrin në pah, qoftë me një recensë a qoftë edhe me vetëm një referencë, vlerat që hidhen në qarkullim.  Dhe ndihmojnë kështu të nxitet e të orientohet masa e lexuesve të thjeshtë. E bëjnë më të lehtë ndarjen e drithit nga byku e kashta e botimeve.

Me gjasë këta lexues të kualifikuar ekzistojnë, por nuk përqendrohen aq tek vlerat që krijohen në shqip. Dhe në një farë mase është e kuptueshme. Jetojmë në kohën kur librin e mirë, që bën emër në NY, Londër a Paris, mund ta blesh në variant elektronik, njëkohësisht me njujorkezin a londinezin.

Mungon kritika, por a ekzistojnë kritikët? Është profesion jo fort i lehtë, kërkon specializim të hollë, erudicion të thellë e shije të rafinura. Sa punojmë për të përgatitur kritikë në kurse universitare e pasuniversitare; ç’institucione shkencore kemi?

Kjo është vetëm njëra anë e mungesës a pengesës, ana institucionale. Por ekziston dhe ana etike: jemi vend i vogël, ndajmë të njëjtat hapësira, rrjedhimisht nuk është aq e lehtë të vlerësosh tjetrin, pa u ndruajtur a frenuar.

3.

Mungon kritika, por a ekziston tregu i maturuar i librit? Nuk është fjala për kioska e zgëqe që e tregtojnë librin si të ishte qepë a domate.

Kioska edhe kemi, por fjala është  për rrjet librarish, fizike e elektronike, shpërndarë në gjithë hapësirën shqiptare, të arritshme nga kushdo që dëshiron të lexojë në shqip.

Një treg i maturuar, i shtrirë në gjithë hapësirat shqiptare dhe i arritshëm nga kushdo, pavarësisht se ku ndodhet, do ta bënte më fitimprurëse tregtinë e librit dhe do ndikonte që të modernizohej edhe procesi i botimit. Të kishte hallkat e veta të domosdoshme, duke filluar nga redaktori, hallkë e rëndësishme, madje e pazëvendësueshme. Sidomos kur nuk katandiset ne korrektor drejtshkrimi, por fqinjëron me agjentin letrar, që përzgjedh, sugjeron, redakton dhe pastaj edhe përpunon strategjitë e promovimit në publik.

Me tregun e sotëm të librit, i varfër e i mekët, të gjitha këto konceptohen si luks. Natyrisht, tregu i kufizuar, kufizon e gjymton edhe procesin e botimit e më tej ligjërimin për letërsinë.

4.

Dhe më në fund: Mungon kritika, po a kemi letërsi?

Doemos që kemi. Jo vetëm letërsi të traditës së afërt dhe të largët, por edhe letërsi që krijohet e botohet në ditët tona.

Por për këtë të fundit del një problem thuajse ekzistencial. Sot kemi një vërshim botimesh të paguar nga vetë autorët, pa kurrfarë seleksionimi, sipas parimit ‘zhgarravit, paguaj e boto’.

Në këtë det byku nuk është lehtë të gjesh drithin letrar. Mund të humbasë e të përfundojë në sosmë. Për më tepër, se fjala, qoftë edhe ajo letrare, nuk ka më peshën e dikurshme, i ka hyrë rëndshëm në pjesë imazhi. Edhe spektakli.

E meqë është koha e  spektaklit, s’na mbetet gjë tjetër veçse të performojmë melodramën ‘mungon kritika’.

Share This Article
3 Comments
  • Qe te ket Kritike ,
    duhet te ket Letersi .
    Kritika & Letersia mendoj un ,
    jane pasqyra e njera -tjetres ,
    qe refketojne njera-tjetren ne cdo kohe
    ne nji shoqeri .

    Por Cunami 30-vjecar i Epokes se Injorances ,
    ku kembet i hipen lar kokes dhe koka zuri vendin e kembeve , gjithcka degjenroj ,si kudo tjeter ne shoqerine Shqiptare ,
    ku Perandoria e Injorances qe merr frym ala sot ne ate vend , i shpalli lufte Vlerave te Shoqerise e atij populli ,duke i zevendesuar me antivlerat e lajthitjen e epokes qe qenve te terbuar , gj e cila beri qe te gjithe levrusit e Letersise Vertete , Kritiket e Vertete ,te heqin dore perfundimishte perball asaj marrezie te papare ne Historine e Njerezimin vec ne kohen e Pestit Njerezore.

    Ne ate turm qensh qe lehin papushim eshte e veshtire te degjohet Zeri Njeriut i vleres se asaj shoqerie .

    Sot Letersine e Kritiken etj etj i bejne qent qe kane gojen me te madhe ,qe lehin me fort e papushim e qe kann dhembet me kafshues .

    Pak si vone ,i tha Doktori Skeletit pasi ai hyri ne Ordination per vizite .

  • Sot e 28 vjet nuk ka fare letersi!
    Ajo qe quhet letersi jaNE QARJET ME QURRE DHE ULURIMAT E ISH BURGAXHINJVE QE SHFRYJNE DUFIN E TYRE ANTIKOMUNIST KUNDER DENIMIT TE TYRE!
    POR ASNJE NGA KETA SPIUNE,DIVERSANTE APO KELYSHET E TYRE NUK KANE AKUZUAR DHE CUAR NE GJYQ ASNJE NGA DESHMITARET FALLCO,SIC PRETENDOJNE DHE TE MBRONIN PA FAJESINE NE GJYQ!
    NUK E BEJNE KETE SE JANE TE DHJERE DERI NE FYT!
    ANTIKOMUNIZMI KURRE NUK ESHTE SHQIPTARIZEM,SE KETE E PROVUAM KETO 28 VJET KUR KETA PLEHRA JO VETEM NUK BENE GJE PER POPULLIN ,POR AS QE U VOTUAN NDONJE HERE NGA POPULLI!

  • Keto 28 vjet nuk ka botuar ndonje gje te hajrit Kadarea,pa le me keta gjarperinjte e burgjeve,qe na mbushen tezgat me gelbazat e tyre antikomuniste!
    Shikoni tetrot se cfare vene ne skene!
    Breket e shekullit 21,VAGINA etj!
    Keto i shfaq Tetri Kombetar,por une kurre nuk shkoj atje te shoh veten time te poshteruar sa nuk ka me ku te veje!
    Mos i thoni teater,por shtepi publike me sakte!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *