Universiteti i Elbasanit ka miratuar 18 propozime për programe të reja studimi bachelor dhe në nivelin master në të gjitha fakultetet. Aktualisht ky universitet numëron mbi 13 mijë studentë në të dy sistemet dhe nivelet Master.
Hapja e degëve të reja është tendencë e fakulteteve të cilat kanë përgatitur propozimet për disa programe studimi dhe nivele master. Por e gjithë kjo etje për më shumë profile të reja dhe vazhdim të niveleve të tjera të studimeve, nuk shoqërohet me testim konkret të tregut të punës. Propozimet e departamenteve që shoqërohen edhe nga mundësitë për punësim, janë në shumicën e rasteve fiktive. Madje aq fiktive janë sa propozimet e fakulteteve shoqërohen me të njëjtin formulim sa i përket mundësive për punësim.
Fakultetet për mundësitë e punësimit
“Master i shkencave në studime letrare”
Mundësitë për punësim të të diplomuarve janë të siguruara, së pari, nga cilësia e lartë e studentëve që do të regjistrohen në këto programe, së dyti, nga cilësia e lartë që arrihet në përgatitjen e këtyre studentëve të programit të këtij niveli dhe, së treti, nga nevojat që ka tregu i punës për specialistë të letërsisë dhe njëkohësisht të mundësive të mëtejshme të kualifikimit që krijon ky program studimi për studime të thelluara në doktorata në albanologji dhe shkencat humane. Këta të diplomuar mund të thithen si specialistë në institucione kërkimore-shkencore, në shtëpi botuese, radio e televizione, në shkolla publike e private të specializuara ose jo, si specialistë komunikimi në shumë fusha, si dhe në çdo institucion tjetër që lidhet me vlerat e specialistit të letërsisë.
Master i Shkencave në studime historike
Mundësitë për punësim
Këto mundësi janë të ezauruara së pari nga kualiteti i lartë i studentëve që do të regjistrohen në këto programe, së dyti nga kualiteti i lartë që siguron në përgatitjen e këtyre studentëve programi i këtij niveli (MSH) dhe së treti nga nevojat që ka tregu i punës për specialist të historisë. Të diplomuarit të cilët kanë një nivel të lartë përvetësimi njohurish, mund të kalojnë në nivelin e tretë të studimit, doktoraturë në studimet albanologjike, drejtimi histori. Gjthashtu këto të diplomuar mund të thithen si specialistë në institucione kërkimore-shkencore, në shoqëri turistike, në muze, arkiva si dhe në çdo institucion tjetër që lidhet me vlerat e trashëgimisë historike.
Master i Shkencave në studime gjeografike
Mundësitë për punësim.
Këto mundësi janë të ezauruara së pari nga kualiteti i lartë i studentëve që do të regjistrohen në këto programe, së dyti nga kualiteti i lartë që siguron në përgatitjen e këtyre studentëve programi i këtij niveli (MSH) dhe së treti nga nevojat që ka tregu i punës për specialist të gjeografisë. Të diplomuarit me rezultate shumë të mira u jepet mundësia e ndjekjes së nivelit të tretë të studimeve, doktoratura në Gjeografi, pranë UT. Këta të diplomuar mund të thithen si specialistë në institucione kërkimore-shkencore, në shoqëri turistike, në institucione publike rajonale, si bashki, komuna, prefekturë, këshill qarku etj, si dhe në çdo institucion tjetër që lidhet me vlerat e trashëgimisë natyrore
Bachelor Matematikë Informatikë
Mundësitë për punësim
Mundësitë për punësim janë të gjera duke qenë se në këtë program do të regjistrohen student me nivel të lartë dhe se është evidente uria që ka tregu i punës për mësues matematike dhe informatike në arsimin parauniversitar dhe për specialistë cilësorë të informatikës edhe në fusha të tjera të financës, bankingut etj.
“Master profesional në Shërbimin e Provës” Fakulteti i Shkencave të Edukimit
Mundësitë për punësim.
Studenti do të fitojë shprehi të organizmit dhe dhënies së shërbimeve për institucione si:
1. Sistemet e korrektimit, gjykata, polici, etj.
2. Qendrat e këshillimit
3. Punonjës Socialë në administratë.
4. Zhvillues i programeve, vlerësues, analizues dhe zhvillues i politikave për të dënuarit.
5. Organizatat për ndërmjetësim
Të gjitha propozimet e reja
Bachelor në
1. Imazheri,
2. Lokopedi,
3. Teknik Laborator
Master profesional
4. Infermieri Kirurgjikale
5. Master Shkencor Mami
6. Master Profesional Analist Prodhimi
7. Master Shkencor Studime Letrare
Bachelor
8. Matematikë Informatikë
9. Mekatronikë
10. Master Shkencor Shërbime Sociale
11. Mashter Shkencor në Histori
12. Master Shkencor në Gjeografi
13. Master Profesional në Administrim Publik
14. Bachelor në Shkencoa Juridike Biznes
15. Shkenca juridike në sektorin publik
16. Bachelor në Matematikë Informatikë
17. Master Profesional Shërbimi i Provës
18. Bachelor në Informatikë Ekonomikë (me kohë të pjesshme)
Senati miraton 18 propozimet e fakulteteve për degë dhe mastera të rinj
Senati akademik i Universitetit të Elbasanit ka miratuar disa propozime për programe të reja studimi dhe për nivelin master. Disa nga propozimet që i janë paraqitur anëtarëve të senatit, ka qenë programi i studimit bachelor në Mekatronikë, program me interes.
Kjo degë ofron mundësi punësimi në sektorë të ndryshëm të industrisë, në prodhimin e pajisjeve robotike dhe prodhuese të mekanizuara. Gjithashtu, po në këtë fakultet u propozua hapja e masterit profesional në Informatikë Ekonomike. Fakulteti Ekonomik propozoi hapjen e dy programeve të studimit në Shkenca Juridike në Biznes, shkenca juridike në sektorin publik.
Fakulteti i Shkencave Humane prezantoi propozimet për nivelin master shkencor në degën e Historisë, Gjeografisë dhe Shkencave Letrare. Fakulteti i Infermierisë ka sjellë në vëmendjen e anëtareve të senatit disa profile të reja bashkë me propozimet për hapjen e programeve bachelor në Imazheri, Leukopedi dhe Teknik Laboranti. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale u miratuan programet e studimit master profesional në Shërbimin e Provës, Master Shkencor në Shërbime Sociale etj.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Peçi Naqellari, duke sjellë propozimet e reja në mbledhjen e senatit e ka cilësuar programin e mekatronikës një risi që e rendit universitetin ndër të paktët që ofrojnë degë të formimit profesional në profile që i kërkon tregu. Pasi ka ndjekur me vëmendje të gjitha propozimet rektori i Universitetit Liman Varoshi theksoi se profilet e reja të miratuara gjatë mbledhjes do t’u japin më shumë mundësi zgjedhjeje studentëve të rinj dhe gjithashtu do të konsolidojnë degë për nivele të mëtejshme të studimeve. Ai ka përshëndetur propozimin nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës për propozimin e një profili mjaft interesant si Mekatronika.
Të 18 programet e miratuara do të dërgohen në Ministrinë e Arsimit ku edhe do të kërkojnë miratimin përfundimtar për të kaluar në qeveri për vitin e ardhshëm akademik.