I dashur Thano
Qytetarë dhe punonjës të sistemit shëndetësor kanë apeluar shpesh dhe dënojnë me forcë kapitullimin e shtetit për 20 e ca vjet, përpara shkelësve të ligjit dhe abuzuesve. Qytetarët e dhunuar arsyetojnë: Se vetëm në vendin tonë qytetarët kanë detyrime ndaj shtetit dhe shteti nuk ka asnjë detyrim ndaj qytetarit! Vetëm shteti ynë nuk ka qenë partner dhe solidar me qytetarin, rregullin dhe qytetërimin, por rezulton të jetë partner me abuzuesit, antiqytetërimin, korrupsionin dhe shkeljen, dhunimin e të drejtave të njeriut.
Një apel për Kryebashkiakun e Vlorës, z. Dritan Leli, i cili mund të marrë, pse jo dhe pak frymëzim nga kryebashkiaku i Kryeqytetit!
Banorët e lagjes “24 Maji” në Vlorë dhe qytetarë të dhunuar, ripërsëritin apelin: “Na ktheni qendrat shëndetësore që u zaptuan në ’97-ën. Na nxirrni nga muret rrethuese, jemi si në burgje, jashtë burgjeve. Kërkojmë të kthehen apartamentet në identitet, sipas projektit real.
Kush ua ka lënë atyre këtë pasuri, ish-ambientet shëndetësore në lagjen “24 Maji”, “ Qeriba Derri”, “Isa Boletini”, “Osman Haxhiu” etj., t’i pushtojnë dhe t’i kthejnë në shtëpi banimi, madje të rrethojnë me mure edhe pallatin 1212, të mbajnë në terror dhe të dhunojnë banorët e pallatit, dhe të shumë pallateve në qytetin e Vlorës. Kush ka abuzuar me pasurinë e shtetit, të shqiptarëve? Kush fshihet pas këtij korrupsioni dhe abuzimi? Dhe zaptimi i pallateve dhe rrethimi i tyre me mure nuk janë vetëm këto raste, por është “epidemia” më e rëndë dhe për shumë qytetarë, të cilët jetojnë nën këtë terror dhe tmerr të pa fund! Qytetarët kërkojnë nga shteti, Bashkia: Të rikthehen pallatet në gjendjen fillestare, sipas projektit, “të prishen muret e trurit, për të vijuar me rrënimin e mureve të gurit”. Pushtues, zaptuesit duhet të përgjigjen përpara ligjit, të paguajnë me një këmbë vetë koston! Ku e kanë këtë të drejtë këta abuzues, kur ditën për diell të zaptojnë institucionet shtetërore, këta shkelës të ligjit dhe abuzues me të drejtën e qytetarëve, të cilët kanë rrethuar me mure dhe me tela edhe shpresën e qytetarëve, kanë zaptuar institucionet shëndetësore? Qytetarët, nuk kanë asnjë cm rrugë përpara ballkoneve të tyre, nuk kanë asnjë mundësi as të hedhin sytë, të marrin rrobat, apo çorapen po të bjerë poshtë, sepse pallatet janë të thurura më mure rrethuese, me tela me gjemba nga dhunuesit, nga qentë me 2 dhe me 4 këmbë. Kush i ka mbrojtur deri më tani këta abuzues-dhunues?
Marrëzia e të marrëve, po dhunon lirinë e qytetarëve!
Qytetarët vlonjatë shpesh kanë ngritur zërin, deri tek Kryeministri i Rilindjes, në shtypin e shkruar dhe mediat.
“Kush i zaptoi hapësirat te “Ismail Qemali”, kush i zuri frymën dhe i mban të pushtuar “Avni Rustemin e Petro Markon”? Kush i pushtoi hapësirat në “Tre Racat” dhe “Kali i Trojës”, në sheshin e “Skelës”? Kush i ngriti çibanët dhe legalizoi padrejtësisht? Kush i mbron pushtuesit dhe zaptues-dhunuesit e institucioneve arsimore dhe shëndetësore në lagjet “24 Maji”?
Nga punonjës të institucioneve shëndetësore dhe qytetarë të Vlorës
