Mediat britanike kanë bërë me dije se Mançester Junajtid ka refuzuar ofertën e Çelsit në adresë të sulmuesit kryesor të tij Uejn Runit. “Blutë” patën bërë me dije se ata kishin dalë me një ofertë konkrete për Junajtid, por ata kanë insistuar në të tyren se në këtë ofertë nuk përfshihej një tranferim i Runit në formë huazimi apo për ndonjë shkëmbim me ndonjë lojtar tjetër nga Çelsi. Në fakt prej ditësh, ose më saktë prej muajsh dikutohet për të ardhmen e Runit, i cili në një farë mënyre apo në një tjetër e ka bërë me dije se dëshiron të largohet nga Mançester Junajtid. Nisur nga ky fakt, trajneri Zhoze Murinjo lëvizi menjëherë në merkato duke i bërë gati një vend sulmuesit në formacionin e Çelsit. Çelsi me anë të një komunikate ka bërë me dije se: “Klubi i futbollit dëshiron të konfirmojë se të martën i kemi dërguar një ofertë konkrete Mançester Junajtid për sulmuesin Uejn Runi. Pavarësisht kësaj duam të sqarojmë se termat të ofertës mbeten konfidenciale, për të shmangur çdo keqkuptim në lidhje me shifrat e botuara në shtyp”.
Refuzimi
Pas lajmit të ardhur nga gazeta “The Sun” që bënte me dije ofertën prej 80 milionë paundësh të Çelsit për Runin ka ardhur dhe reagimi i Junajtid. Sipas kësaj gazete, ka qenë trajneri Mojes, i cili për të disatën herë brenda pak ditësh ka prerë çdo mundësi largimi të Runit nga “Old Traford”. Ai është shprehur i prerë se Runi nuk lëviz nga Mançesteri.
Murinjo
Sakaq, teksa diskutohet e ardhmja e Uejn Runit, trajneri i Çelsit Zhoze Murinjo e ka bërë të qartë se i vetmi lojtar që dëshiron të ketë në skuadër është sulmuesi i Mançester Junajtid. “Ose marrim Runin ose asnjë tjetër”, ka deklaruar trajneri i “bluve”.
