Drejtori ekzekutiv i kompanisë së makinave elektrike “Tesla”, Elon Musk, ka blerë 9.2% të aksioneve në Twitter. Lajmi u zbulua nga gjiganti i mediave sociale, të hënën. Një veprim që vjen disa javë pasi miliarderi akuzoi Twitter-in se nuk iu përmbahet parimeve të fjalës së lirë.
Në dosjen e tij rregullatore, Twitter tha se Musk bleu rreth 73.4 milionë aksione të zakonshme në platformën e mediave sociale.
Bërja publike e lajmit ka çuar në një rritje prej 25% të çmimit të aksioneve të Twitter-it.
Kjo blerje e bën Musk aksionerin më të madh të kompanisë, gati katër herë më shumë se 2.25% e aksioneve të themeluesit Jack Dorsey, vëren media Financial Times.
Vlera e aksioneve të Musk në Twitter vlen rreth 2.89 miliardë dollarë.
Musk ende nuk ka bërë një deklaratë publike në lidhje me blerjen, por miliarderi kishte treguar më parë se donte të shihte ndryshime në Twitter dhe madje la të kuptohet për ndërtimin e një platforme rivale.
Më 25 mars, Musk kreu një sondazh në Twitter duke pyetur ndjekësit e tij nëse besojnë se Twitter “i përmbahet me rigorozitet” parimit të fjalës së lirë, duke shtuar se pasojat e sondazhit do të jenë të rëndësishme.
Pasi rreth 70% e 2 milionë përdoruesve të Twitter votuan “Jo”, Musk vuri në dukje se Twitter ishte “sheshi publik de facto i qytetit” dhe pretendoi se po dështon t’i përmbahet parimeve të fjalës së lirë dhe po minon demokracinë në proces.
Në dhjetor, miliarderi postoi një postim të fshehtë në Twitter që përshkruan CEO-n e sapo shpallur të platformës së mediave sociale, Parag Agrawal si Stalinin.
Me një pasuri neto prej 287.6 miliardë dollarësh, Musk është aktualisht personi më i pasur në botë, sipas listës së miliarderëve në kohë reale të Forbes.
a.m/dita