Mesfushori i Kukësit, Besar Musolli, është dënuar me tri ndeshje nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s, për shkak të goditjes së një lojtari të Flora Tallin, në takimin e luajtur të enjten e kaluar në stadiumin “Qemal Stafa”. Pas një faulli të kundërshtarit në dëm të Musollit, ky i fundit nuk i mbajti dot nervat dhe e goditi marrëzisht me kokë, duke u ndëshkuar menjëherë me karton të kuq nga gjyqtari i takimit.
Kukësi u vu në vështirësi pas mbetjes me një lojtar më pak, megjithatë ia doli të ruante barazimin pa gola, i cili e kualifikoi për në raundin e dytë. Një ndeshje pezullim ishte automatikisht e sigurt për Musollin, si pasojë e kartonit të kuq, dhe ai e shleu atë në takimin e parë kundër Sarajevos, por tani do t’i duhet të shlyejë edhe tri ndeshje të tjera, dënim i marrë nga Komisioni Disiplinor i UEFA-s.
Klubi i Kukësit mund të apelojë kundër vendimit, megjithatë është e vështirë të ulet dënimi për një gjest të tillë. Në çdo rast, është e sigurt mungesa në ndeshjen e kthimit kundër Sarajevos, pasi Komisioni i Apelit, edhe nëse tregohet zemërgjerë, nuk mund të fshijë gjithë vendimin e shkallës së parë. Për veprimin krejtësisht absurd, Musolli, një nga lojtarët më të mirë të Kukësit, u dënua edhe me një mijë euro gjobë nga presidenti Safet Gjici.
