Mustafa Greblleshi, shkrimtarin që e “vranë” në gjumë

DITA Online

In memoriam

Përparim Hysi

Pas familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit Mustafa Greblleshi, jam njeriu që e kam dashur dhe e dua shkrimtarin e njohur. Unë kam qenë 10-vjeç kur jam “njohur” me të. Isha në klasën e  gjashtë  dhe, ngaqë në fshat nuk kishte shkollë unike, bëja 8 km rrugë vajtje-ardhje nga fshati im në Fier.

Në Fier kishim për fis një plakë që kish mbetur e vetme. Im at më dha një trastë me miell për t’ia çuar asaj. Shkova dhe banonte në një barakë prej kartoni. U gëzua se qe viti 1953 dhe qe keq për bukë. Po dhe unë u gëzova se në atë barakë të varfër qenë dy rafte plot me libra. Plaka djalin e kishte me studime në Bullgari dhe librat qenë të tijat. Unë drejt e tek librat dhe syri më mbeti mbi një libër me një kopertinë rozë. Vura dorën mbi të dhe i them  plakës: – A ta marrë këtë libër? Dhe ajo: – Nuk i merr të tëra.

E mora librin, e futa në trastën time të librave dhe, sa mbërrita në shtëpi, e shfletova. Titulli i rëndë: “Gremina e dashurisë”, ndërsa shkrimtari, Mustafa Greblleshi. Nga ky libër pata një të mirë me vlerë të madhe, por dhe një të keqe që e pagova. E kisha marrë librin me vete, tek kullosja dhëntë e mia dhe unë, ndërsa merresha me Memlin e Margaritën (personazhe të librit), harrova që dhëntë kishin hyrë në arat e botës. Harrova unë, po nuk harroi babai im që të m’i skuqte jo vetëm faqet, por dhe veshët. Po unë kësaj të “keqeje” as ia vërshëlleva fare, dhe vazhdoja me historitë e Memlit dhe Margaritës dhe qaja se ngjarjet i merrja krejt të vërteta. Ky qe libri i parë dhe, ngaqë këtë libër e përcolla me të qarë, e vazhdova leximin me vite e vite, duke e vazhduar dhe sot. Shkrepësen për  të ndezur pasionin për librin, ma ka dhënë Mustafa Greblleshi.

Po kjo histori e njohjes me Mustafanë nuk mbaron me kaq. Përkimet në  jetë janë nga më të çuditshmet.

Në shkollën nr. 2 të Fierit (sot quhet “Pinallopi Piro”), lëndën e gjuhës dhe letërsisë ma jepte një mësuese nga më të mirat që ka patur Fieri. Ajo ishte Vjollca Omari. Kjo Vjollca, kur vërente pasionin tim për të lexuar, më bëri pothuaj  si birin e saj. Atëherë unë nuk e dija fare që profesoresha ime paskej qenë e motra e Mustafa Greblleshit. Unë e doja se shpjegonte bukur dhe qe martuar me mësuesin tim aq të mirë, Hiqmet Omari.

Aq më donte profesoresha, sa një pjesë të rrugës me të birin e porsalindur në krah (Leandri, ai djali që mbante në krah profesoresha ime, sot është mësues i nderuar matematike në Fier), më shoqëronte një pjesë të rrugës, deri tek Ura e Sheqit, kur unë nxitoja hapat për t’u kthyer në shtëpi. U bëmë miq me profesoreshë Vjollcën dhe, kur dola mësues, kjo miqësi u forcua më tepër. Aq u lidhëm shpirtërisht dhe  familjarisht, sa dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së saj nga i ati, u bënë  të njohur për mua. E kujtoj me dhimbsuri të ndjerin Faik, vëllanë  e mesëm të familjes dhe takoj me dashuri të vetmin vëlla që ka mbetur gjallë, Kujtimin.

Në gjithë këtë “maratonë miqësie” (ajo ende vazhdon me djemtë e e profesoreshës Leandrin dhe Lulëzimin), ka një moment që unë gati thirra “Eureka” siç bëri Arkimedi. Ndodhi që u takova dhe me Mustafanë, por dhe me Rushin, atë zonjë aq fisnike që, siç vërejta, qe vetëm “shtojca vertebrore” e Mustafait. Një zonjë dinjitoze që të imponohej me erudiconin e saj.

Kur pashë  Mustafanë, gati m’u duk se erdhi dikush nga jashtëplaneti. E kërkoja në qiell dhe e gjeta në tokë.

Tek po shkruaj, më vinë parasysh ato emocione që përjetova dhe them se nuk ka ndodhur veç me mua. Aq i mbresuar qeshë, sa ia dhashë dorën për së dyti, sikur doja të sigurohesha a ishte i vërtetë. Dhe ai, “statujë e gjallë e Marsit”, po të “vjedh pak Fan Nolin”, jo vetëm qe i vërtetë, por aq komunikues sa m’i hoqi si me shkopin magjik emocionet dhe ne, pothuaj, u “vëllazëruam”. Mandej, unë nuk lija asgjë që të binte në tokë nga ato që botonte Mustafa Greblleshi. Më ngopte me “Albumi i një bojaxhiu”; ndiqja përkthimet  nga Pirandelo, “Njëmijë e një net” e çdo gjë tjetër. Dhe kurrë nuk e mendoja  se do ikte aq shpejt.

Po si mund të mos ikte? Kur e vranë, pothuaj, në gjumë. E burgosën dhe i hoqën të drejtën e shkrimeve. A nuk është vrasje për së gjalli?

Share This Article
3 Comments
  • Mustafa Greblleshi, Haki Stermilli, Petro Marko, Lasgush Poradeci, Sterjo Spase etj etj benin pjese ne eliten kombetare te paraluftes se dyte boterore. Por erdhi regjimi komunist dhe keta pothuajse mbeten ne hije. Dolen ne krye llustraxhinjte, gjysemopingat qe i urrenin per vdekje intelektualet e vertete. Dhe keshtu ne njohim sot Driteroin, Shuteriqin, Kadarene, por nuk njohim ajken e intelektualizmit shqiptar qe nuk i perkul diktatures.

  • Ah sikur te ishin te gjithe fshataret si ky Perparimi qe ka shkruar keto kujtime te ndjera!!!!?Po ne maloket na u verviten si qen kufiri roje te terrorizmit komunist si Sali Berisha,ose qen bulldog antikomunist,qe na e la komunismin si kopilin ne dere si Sali Berisha dhe Azem Hajdari dhe ca te tjere,qe na vune gardhin ne pronen tone me tabelen:”Toke e Xanun.Keta te japin edhe mend.Te tregojne Froidin,qe ja lexonte Sheqerja ne Vicidol,qe ta zinte gjumi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *