Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u ka kërkuar zyrtarisht takim liderëve të partive opozitare atje, duke caktuar datën 7 dhjetor.
Temë e diskutimeve është vetëm marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin. Ai tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që në kuadër të zgjidhjes se çështjes së kufirit midis dy shteteve, të angazhojë një Komision të përbërë nga ekspertë ndërkombëtar, grup vendor të ekspertëve si dhe pjesë e komisionit të jenë edhe pjesëtarë të opozitës.
Sipas tij, këtë proces do ta realizojnë në bashkëpunim edhe me Malin e Zi, dhe se “deri në përmbylljen e këtij procesi qeveria nuk do të procedojë me marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës”.
Mustafa në këtë konferencë për media ka njoftuar se ka dërguar një ftesë zyrtare të tre liderëve të opozitës që të takohen më 7 dhjetor në ambientet e Kuvendit të Kosovës në ora 14:00, për të diskutuar për dy marrëveshjet e kontestuara nga opozita.
“I shqetësuar me situatën i kam ftuar zyrtarisht që të ulemi dhe t’i trajtojmë të gjitha çështjet me opozitën për dy marrëveshjet”, ka thënë ai.
