Mustafa, një tmerr Kryeministër!

redaktor

Të bësh debat, apo të shkëmbesh replika me një kundërshtar politik, është e drejtë universale e kujtdo, aq më tepër e Kryeministrit të Kosovës zotit Isa Mustafa. Por të kesh përballë profesor Rexhep Qosjen është një rast krejt i veçantë, fatkeq apo fatlum. Fatkeq nëse nuk ke se ç’thua, e në këtë rast heshtja është, quaje si të duash, urtësi apo flori. Fatlum nëse ke se ç’thua, por çdo fjalë duhet peshuar. Por t’i presësh drutë shkurt, kur përpara ke një ‘pyll shekullor’, tregon se “sëpatën” e ke prej balte. “Kur shoh se sa i tmerruar është Qosja, mburrem dy herë më shumë që unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, sepse nuk kam asgjë të përbashkët me të”, ja me këtë shprehje na qeras z.Kryeministër. Që të mburresh, nuk është fort e vështirë. Por që të mburresh dy herë, në shqip kësaj i thonë që të jesh mburravec. Tmerrohu sa të duash, 515 herë po deshe, por ja që kështu qenka, qeveria e Kosovës kryesohet nga një mburravec. Por më parë se të gëzohemi, do të ishte e arsyeshme që të merrnim ndonjë lloj sqarimi. A është apo jo e vërtetë që Mustafa në vitin 1989 ka qenë Ministër i Qeverisë të Kosovës e cila ka urdhëruar vrasjen e 32 protestuesve e plagosjen e 70 të tjerëve që kërkonin Kosovën Republikë?

Zoti Kryeministër duhet ta dijë mirë se nëse për të profesor Qosja “është një rrenc i madh”, “rrenat” e tij janë disa të vërteta absolute, të cilat kanë dalë aq të vërteta sa edhe sot e kësaj dite të
trondisin, apo më mirë të “tmerrojnë” për vërtetësinë e tyre. Motua e profesor Qosjes se liria e Kosovës do të vinte nëpërmjet rezistencës të armatosur ndaj agresorëve serbë, përkundrejt të ashtuquajturës “rezistencë paqësore”, ishte si një mal gjigant para një ledhi që nuk kapërxente as qafën e çizmeve të kriminelëve të Milosheviçit. Natyrisht që kjo nuk ishte një shpikje e profesor Qoses, por kur popujt dinë të orientohen andej nga i thërret lavdia e historisë të tyre, atëherë vetë kjo histori nuk mund të mos e mbulojë me këtë lavdi. Lum ata që jetojnë nën hijen e profesor Qoses, por lum edhe ata që dinë ta kuptojnë atë.

Letër e nënshkruar,

Bardhyl Ermini

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *