Qemal Ataturk është lindur dhe ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij në atë pjesë të perandorisë turke që quhej Rumeli, pjesa ballkanike e cila përkon me trojet shqiptare. Nga viti 1896 deri në vitin 1899 ka vazhduar akademinë ushtarake në Manastir, e më pas në në Samboll. Akademinë e lartë e përfundoi në vitin 1905, në vitet kur kishte filluar Revolucioni Xhonturk. Për shkak të aktivitetit të tij ilegal me Xhonturqit të cilët luftuan kundër regjimit aristokrat të mbretërisë otomane, Ataturkun regjimi e largon nga vatrat revolucionare dhe e dërgon në Siri. Në Damask formon një organizatë revolucionare. Nga Siria transferohet në në Selanik, ku i bashkohet shoqatës “Bashkimi”, të cilën e kishte themeluar Revolucioni i Xhonturqëve në korrik të vitit 1908. Në këtë kohë ai lidhet dhe bashkëpunon edhe me çetat shqiptare të Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos. Nga 1908 dhe gjatë gjithë Luftës së Parë Botërore ai mori pjesë në shumë luftime në të cilat shteti turk i asaj kohe ishte i detyruar të përballej dhe ku Ataturku kishte shpalosur aftësitë e tij të larta si udhëheqës ushtarak, duke marrë gradëne gjeneralit dhe më pas të pashait. Në vitin 1919, ai largohet nga ushtria dhe vihet në krye të lëvizjes nacionale turke kundër okupimit grek dhe i lëvizjes për pavarësinë e Turqisë me anë të një ushtrie të re. Së pari ai u detyrua të luftonte kundër rgjimit të Sulltanit Otoman në Stamboll i cili kishte lejuar me dëshirë coptimin e teritorit nga të huajt, grekët dhe Aleatët. Ataturku në Ankara në maj të vitit 1920 formon qeverinë e përkohshme, kuvendi i madh popullor i të cilit e zgjodhi kryetar qeverie me 2 maj të vitit 1920. Në vitet 1921-22, pasi evitoi rrezikun grek, duke i përzënë nga territory turk, Ataturku iu kthye rrezikut të mbrendëshëm dhe e largoi nga pushteti sulltan Ahmetin e VI-të.
Burri që modernizoi Turqinë
Më 22 tetor të vitit 1923 Kuvendi i Madh Popullor i Turqisë shpall Republikën, ndërsa Mustafa Qemal shpallet kryetar i parë i tij. Kuvendi ia dha edhe titullin Gazi (që do të thotë fitues). Në muaji ngusht 1923 Ataturku themelon Partinë Popullore që më pas e quan Popullore Republikane. Ai ishte edhe mbeti deri në fund udhëheqësi ideor i saj. Sistemi njëpartiak, i vendosur nga Ataturk vazhdoi deri në vitin 1945.
Merita e Mustafa Qemalit është se ai ndërmori reforma radikale politike, sociale, ekonomike e kulturore, që e nxorrën Turqinë nga errësira shekullore mesjetare, në dritën e rendit demokratiko-borgjez. Shëmbi pushtetin e vjetër të kalifëve, kadinjve e myftinjve dhe ndau shtetin nga feja. Hoqi sheriatin ku feja fuste hundët në punët e shtetit dhe çliroi nga obskurantizmi otoman gjykatat, administratën shtetrore dhe gjithë jetën e vendit. Reformat ai i realizoi në një kohë fare të shkurtër dhe në shumë prej tyre dha shembullin e vet personal. Psh, në arsim, ai zëvendësoi alfabetin arab me atë latin brenda javës, duke botuar gazetat më të mëdha të vendit me këtë alfabet, kur të gjithë i thoshin se duheshin vite kohë. Për të hequr çallmën, ai i pari vuri kapelen evropiane në kokë. Shkrimtari francez, Shandan, në veprën e tij me titull “Mrekullia turke” ka shkruar se të gjitha reformat në Turqi ishin prodhim i mendjes së Mustafa Qemal Ataturkut. Është kjo arsyeja që shkrimtarë dhe mendimtarë i janë drejtuar kujtesës historike për ta përshkruar me nota realiste dhe me simpati të pakursyer këtë burrë shteti. Sekreti i suksesit të këtij njeriu ishte se ai vetë merrte përgjegjësi mbi supe, nuk përdorte forcë për të vënë në jetë reformat që propozonte. Ai gëzonte mbështetjen dhe simpatinë e popullit, se atë që të tjerëve u ishte dashur ta bënin për 100 vjet, ai e bënte me fjalë për disa minuta. Njihte mjaft mirë faktorin psikologjik dhe e përdorte atë me mjeshtëri për të fituar zemrat e njerëzve. Fshatari turk ndjente respekt ndaj Ataturkut sepse nga njëra anë e shikonte atë si At të vërtetë, si një prijës që do t’i fitonte vendit paqen dhe respektin e merituar, dhe nga ana tjetër si burrë shteti që në Turqi kishte rindërtuar me vullnet drejtësinë dhe rregullit. Në periudhën e reformave të Republikës së Re, personaliteti i Mustafa Qemalit dhe mendimet e tij ishin ngulitur aq shumë sa, asnjë çështje ekonomike, shoqërore, politike, filozofike apo fetare nuk trajtohej dhe nuk vihej në jetë pa u mbështetur në figurën e këtij revolucionari të madh turk. Mustafa Qemal Pashai, i njohur ndryshe si Prijësi, ishte shndërruar në një farë mënyre në ndërgjegjen e vetë kombit, në pasurinë e tij më të çmuar, në vetë mrekullinë që u kishte dërguar Zoti.
Ataturku dhe origjina e tij shqiptare
Mustafa Qemal Ataturk ka lindur në Selanik, në 25 dhjetor 1881, në një shtëpi modeste pranë aeroportit të Selanikut. Sot kjo shtëpi ëshët kthyer në muze. Mustafa Qemali ka ndryshuar e transformuar disa herë emrin e tij. Kur ishte në shkollën e mesme, ai shkëlqente si nxënës. Një mësues, i quajtur edhe ai Mustafa, duke respektuar dhe adhuruar nxënësin e tij, i thotë; “Ti Mustafa dhe unë Mustafa, të dy të ditur njësoj, por midis nesh duhet të ketë një dallim, ndaj ti do të quhesh tani e tutje Mustafa Khemal (turq. i pjekur, i përkryer). Detaj tjetër lidhur me emrin është kur në vitin 1934, ministri i Arsimit në një fjalim në radio e quajti “Ati i turqve”. Qysh nga ajo ditë, gazetat e popullit e quajtën Ataturk dhe udhëheqësi i Turqisë të nesërmen mori letërnjoftimin e tij, ku ishte shkruar Ataturk.Ashtu siç kemi dëshirë ne, që shumë personalitete politike të shkencës dhe artit të vendeve të tjera që kanë patur ndonjë origjinë të largët shqiptare, t’i quajmë shqiptarë, për Mustafa Qemalin studiuesit dhe historianët tanë janë treguar të rezervuar dhe ua kanë lënë të huajve të flasin për këtë fakt. Pothuajse të gjithë biografët që janë marrë me jetën dhe veprën e Qemal Ataturkut, nuk e anashkalojnë, përkundrazi e theksojnë origjinën e tij shqiptare. Mustafa Qemal Ataturk rrjedh nga nje familje shqiptare nga Dibra e cila ishte shpërngulur ne Selanik, i cili në këtë kohë ashtu si pjesa me e madhe e Maqedonisë banohej në shumicë nga shqiptarët (po Selaniku ka qenë qytet shqiptar deri në 1915). Ai lindi në Selanik, por rininë e tij e kaloi në trevat shqiptare të Çamërisë, e Shqipërisë së sotme të Jugut.Ai pati lidhje të ngushte me çetat shqiptare të Bajo Topullit dhe Mihal Gramenos. Ataturku ishte shqiptar si nga ana e babait dhe nga ana e nënës. Kjo vërtetohet nga autorë bashkëkohës të tij, turq dhe të huaj. Nëse këto do të ishin të paverteta ai mund t’i mohonte, por këtë gjë ai s’ bëi kurrë. Autori Harold Armstrong, që ka shkruar librin më të mirë dhe më serioz pë Ataturkun, për origjinën e nënës së tij shkruan: “Zyberja qe një vajzë e një katundari shqiptar nga Shqipëria e jugut”. Po të njëjtën gjë thotë edhe shkrimtari arab, Azir Hanki që ka qenë edhe ambasador në Ankara. “Zyberja kishte për baba një shiqiptar”, madje ai shkon edhe me tej, duke thënë se “Mustafa Qemalit i ziente në damarë gjaku i Alksandrit të Madh dhe i Mehmet Aliut të Kavallës”. Pra nga këto të dhena del se nëna e tij ishte shqiptare. I ati ishte shqiptar nga Dibra.Të dhënat për këtë na i jep një sociolog e gazetar turk, Murat Sertolog, i cili në vitin 1970 shkruan “të gjithë e dime se Ali bej Efendiu nuk ishte babai i Qemalit, por njerku i tij. Babi i tij i vërtetë ishte Beqir Aga, që të gjithë e thërrisnin Beqir Aga Shqiptari. Arsyeja, sepse ai nuk e rriti Mustafain ishte se ai vrau një kaçak dhe kishte rënë në burg, ku edhe vdiq”. Një tjetër fakt bindës se Mustafa Qemali ishte shqiptar, na vjen nga ambasadori shqiptar në Turqi. Kur ai i paraqiti letrat kredenciale Mustafa Qemalit filloi t’i lexont ato në frëngjisht.Ataturku e ndërpreu dhe i tha: “Të lutem, mos më fol frëngjisht, por turqisht ose shqip, se unë kuptoj mirë edhe shqip”!…
Do të vritesh me një turk, shaji Ataturkun!…
Figura e krijuesit të shtetit turk Mustafa Qemal Ataturk ka dalë jashtë korrnizave të zakonshme dhe është kthyer në mit dhe kult, një kult individi i pranueshëm dhe i ligjshëm jo vetëm nga adhuruesit e vendit të tij, por edhe të miliona njerëzve të tjerë në botë që aspirojnë për një shtet të së drejtës. Ai qëndron hijerëndë dhe dinjitoz në një vend të veçantë dhe të privilegjuar të historisë së Turqisë, të historisë botërore, pse jo edhe asaj shqiptare me të cilën e lidh origjina e tij jo e largët prej gjak shqiptari. Në do të bëhesh hasëm me një turk, mos e shaj nga familja, por shaji Ataturkun. Edhe vetë shteti turk e ka kthyer me ligj fyerjen e kujtimit të tij në krim, në vepër penale. Në çdo 10 nëntor ora e Turqisë ndal disa dekika në nderim të Ataturkut, që vdiq në vitin 1938. Ataturk, si udhëheqës dhe shtetformues nuk e humbet shkëlqimin për asnjë kohë. Ai mbetet etalon matës dhe mësues se si mund të ndërtohet një shtet për çdo lidership modern që kërkon të lërë gjurmë. Ai ishte një njeri brilant, me një mendje brilante dhe me një inteligjencë në superlativ; një njeri që donte me çdo kusht të jetonte në një tokë të lirë. Një njeri që donte të provonte forcën e ndjenjave, shijen e ëmbël të lirisë, rilindjen e kombit. Ai provoi se se si njeriu mund të bëhet një legjendë dhe të jetë një njeri i zakonshëm në të njejtën kohë. Ataturk tejshikonte, ai ishte një ishte një vizionar i çuditshëm. Ai është quajtur me të drejtë babai i Turqisë moderne. Ai për vetë rrethanat nuk ka bërë shumë për Shqipërinë, veç qëndimit që mbajti me Zogun, por n ë thellësi ai ka dashur dhe respektuar këtë vend. Por edhe shqiptarët e duan dhe e respektojnë jo vetëm për shkak të origjinës, por më tepër për shkak të staturës së tij dhe vendit që zë në historinë e Turqisë dhe në atë botërore
Jo më sheshi “21 Dhjetori”, por “Ataturk”
Para disa kohësh në zonën e “21 Dhjetorit” u përurua riparimi dhe rikualifikimi urban i sheshit “Ataturk” në Tiranë, duke transformuar të gjitha zonat këmbësore. Veç kolegjit turk “Mehmet Akif” në cepin verilindor të tij, të gjitha fasadat që e qarkojnë sheshin kanë ngjyrën e kuqe të flamurit turk me ndonjë nuancë të verdhë të gjysmëhënës. Ky emër i madh, si arkitekti i Turqisë moderne, e meriton respektin e popullit shqiptar për tri arsye të forta: e para, si burrë i madh shteti i një vendi fqinj, me të cilin ne kemi patur lidhje shekullore shpirtërore; e dyta, për shkak të origjinës, pasi ai në deje kishte gjak shqiptari, rridhte nga një familje me origjinë nga Dibra e nënë nga Jugu i Shqipërisë dhe, e treta, sepse ai mbajti qëndrim mospajtues me formën qeverisëse monarkike të Zogut në Shqipëri.
Shtëpia e lindjes e Ataturkut në Selanik, shtëpi muze
Me vendimin e qeverie, shtëpia e Mustafa Qemal Ataturkut në Selanik është shpallur monument kulture. Mustafa Qemal Ataturk lindi në vitin 1881 në Selanik, në një ndërtesë trekatëshe, e cila ishte ndërtuar nga babai i tij dhe ndodhet në kryqëzimin e rrugëve Apostolu Pavlu dhe Agjiu Dhimitriu. Në këtë përfundim kanë arritur historianët, sipas dëshmitarëve dhe dokumentave historikë, megjithëse disa mbështesin variantin se Qemal Ataturk lindi në Krisavgji Lagada, ku jetonte një vëlla i nënës së tij. Shtëpia në Selanik iu dha në vitin 1935 nga Bashkia e Selanikut shtetit turk, i cili vendosi ta kthejë në muze kushtuar Qemal Ataturk. Ndërtesa e ndërtuar përpara vitit 1870, përbëhet nga tre kate dhe ka një oborr. Ajo u rikonstruktua në vitin 1981 dhe u lye në ngjyrën fillestare. Pjesa më e madhe e mobilimit është autentike. Atje ku kishte mungesa ato u plotësuan me orendi nga mauzoleumi i Qemal Ataturk dhe nga Pallati Topkap i Stambollit. Vlen të përmendet se në oborr ekziston edhe një shegë, të cilën e mbolli babai i Qemal Ataturk.
Ataturku, për Zogun: “Një njeri që luan opereta komike”
Në terma formale Zogu kishte zgjeruar reputacionin e tij jashtë vendit. Shumë krerë shtetesh reaguan ndaj krijimit të mbretërisë me më pak mirësjellje. Mustafa Qemali, presidenti i Turqisë goditi me grusht tryezën kur mësoi lajmin:
“Çfarë! Ta pranoj? Jo, jo. Unë s’do ta njoh kurrë! Mbase do jem i vetmi në botë. Kjo s’ka rëndësi. Ju betohem, ju jap fjalën që s’kam për ta njohur! Duhet dhënë shembulli. Një njeri i zgjedhur nga njerëzit nuk duhet ta tradhtojë kurrë betimin e tij! Kurrë!” Ataturku, kush e di pse ka qenë kaq i nxehur, sa që porositi gazetarët që t’i shkruanin fjalët e tij fije e për pe. Edhe më vonë ai ka mbajtur po atë qëndrim. Pas disa ditësh ai përshëndeti një diplomat shqiptar me pyetjen: “Asaf Bej, shoh shumë piktura qesharake nëpër gazeta. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Po vini në skenë ndonjë operetë?

Nuk e di nga vjen emri Mustafa .Di me SIGURI emrin,bile Pellasg Ke – Mal ,qe edhe ne Shqiptaret sot e therrasim gabimisht Qemal .Mal -ik = Maliq,Ke – rri, Ke rrim (Qeri Ke-rri,Qerim),Kam ill = Qamill …etj etj .Ne trashegojme nje gjuhe te trasheguar qe nga koha e te se quajtures Komuna Primitive