Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se nga sot shqiptarët kanë shenjtoren e tyre, ndërsa bota ka simbolin e shenjtë të dashurisë, besimit, humanizmit, vetëmohimit.
Në një postim në statusin e tij ne Facebook, të dielën, Kryeministri Mustafa shprehet se “Isha shumë i nderuar që mora pjesë sot në ceremoninë zyrtare të shenjtërimit të Nënës Terezë. Jeta dhe vepra e jashtëzakonshme e Shën Terezës në shërbim të njerëzimit, u nderua nga qindra mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
“Shqiptarët tashmë e kanë shenjtoren e tyre e cila do të vazhdojë të na prijë në përsosjen e vlerave shpirtërore, morale e humane. Bota mbarë ka simbolin e shenjtë të dashurisë, besimit, humanizmit, vetëmohimit”, shkruan Mustafa duke postuar dhe një set fotosh nga Vatikani.
