Sezoni futbollistik shqiptar do të nisë si gjithnjë me Superkupën, që këtë herë do të vërë përballë dy nga skuadrat më të mira të vendit. Derbi i milionave, Flamurtari-Skënderbeu, që në çdo përballje ka dhuruar spektakël dhe polemika, vjen me një trofe në mes. Pavarësisht se është një titull simbolik, mbetet një sfidë për t’u fituar, pasi vlen shumë në anën morale. Portieri Ilion Lika ka eksperiencën e duhur për të kuptuar rëndësinë e një ndeshjeje të tillë pikërisht në këtë aspekt. “Është një trofe që shërben për prestigj, pasi fillon kampionatin me moral të lartë. Ndaj Skënderbeut kam luajtur dy finale Superkupe dhe i kam fituar të dyja, shpresoj që kjo të jetë e treta”, thotë portieri i Flamurtarit në një prononcim për “Supersport”.
Në të njëjtën linjë me gardianin e portës është edhe Gjergji Muzaka, që në fund të majit ngrinte trofeun e kampionit pikërisht me korçarët, të cilët të dielën duhet t’i mundë në fushë.
“Është një finale emocionuese për mua, por dhe një finale që do të jetë e luftuar dhe shumë e bukur si për ne në fushë ashtu dhe për tifozët në stadium”, shprehet mesfushori tiranas i kuqezinjve.
Tek Flamurtari ka një strategji të qartë, pasi përveç se emrave të rëndësishëm, po hidhen edhe themelet për ndërtimin e një klubi të fuqishëm. Diçka që evidentohet edhe nga dy futbollistët më me eksperiencë të këtij ekipi. “Është bërë një ekip i fortë, me një strategji europiane dhe është fat për mua që jam këtu. Shpresojmë të shpërblejmë presidencën dhe tifozët”, thekson portieri, ndërsa Muzaka deklaron se ndihet i privilegjuar që është pjesë e këtij projekti ambicioz. “Këtë vit Flamurtari ka një projekt ambicioz dhe ne jemi të privilegjuar që jemi pjesë e tij”, shprehet ai.
Për Muzakën ky do të jetë një 90 minutësh i veçantë pasi takon ish-shokët e tij, megjithatë mesfushori premton se do të japë maksimumin dhe pse jo të shënojë, pavarësisht se do të festojë apo jo më pas. “Nuk do të kursehem pasi jam këtu për të dhënë maksimumin. E rëndësishme është të shënoj pastaj të shohim nëse festoj ose jo”, shton më tej Muzaka.
Ndërkohë portieri Lika ka një mesazh për tifozët, të cilët i kërkon të shumtë në mbështetje të ekipit, pasi i cilëson si një ndihmesë të madhe për skuadrën. “Duam mbështetjen e tifozëve pasi e provova tek Tirana çdo të thotë kjo. Me ndihmën e tyre mund t’ia dalim”, përfundoi gardiani i kuqezinjve.
