Në datën 30 tetor 2017, në 2 vjetorin e çeljes së Muzeut të Bankës së Shqipërisë-sw (2015), i cili përkon edhe me përvjetorin e 79- të inaugurimit të ndërtesës së Bankës Kombëtare të Shqipnis (1938), si dhe në 2-vjetorin e inaugurimit të ndërtesës së rikonstruktuar të saj, Banka e Shqipërisë çeli ciklin me leksione “Netët e Muzeut”.
Qëllimi i “Netëve të Muzeut” është bashkërendimi dhe integrimi i njohurive mbi monedhën në ekspozitën e Muzeut të Bankës së Shqipërisë me informacionin e gjendur në arkiva, biblioteka, koleksione private apo edhe atë të shfaqur përmes arkitekturës, skulpturës, arteve vizive dhe fotove të muzeve të tjera të vendit.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Gjoni, Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë, theksoi se Muzeu e bën Bankën së Shqipërisë një institucion më të hapur e më të afërt për publikun. Megjithëse një muze i ri, ai ka pritur vizitorë të shumtë, kryesisht nxënës dhe studentë, por edhe profesionistë e grup-mosha të tjera. “Synojmë që Muzeu i Bankës së Shqipërisë, të mos jetë vetëm një vend ku vihet për të shijuar një ekspozitë, por edhe një vend ku mund të shkëmbehen mendime e ide”, theksoi Zëvendësguvernatorja e Parë.
Leksionin e parë e mbajti Artan Lame, si një prej koleksionistëve dhe njohësve të shquar të numizmatikës dhe medalistikës shqiptare e osmane, gjithashtu studiues i historisë shqiptare, si dhe veprimtar i shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. .
Lame, mbajti për të pranishmit një leksion mbi monetimin në Shqipërinë e sotme dhe trojet e saj historike gjatë Periudhës Osmane. Leksioni trajtoi çështjet e monedhës osmane, që prej lindjes së saj në shek. XIV deri në Reformat e Tanzimatit në shek. XIX, karakteristikat dhe llojet e monedhave të qarkulluara në trojet shqiptare. Leksioni u ndal edhe në qarkullimin e monedhave evropiane, të përdorura në trojet shqiptare para dhe gjatë përdorimit të monedhës osmane. Në përfundim të aktivitetit u zhvillua një sesion pyetje-përgjigjesh me dëgjuesit dhe u kryen vizita në Muze.
Cikli “Netët e Muzeut” do të vijojë të zhvillohet gjatë muajve të mbetur të vitit 2017, por edhe gjatë vitit të ardhshëm. Lektorë do të jenë ekspertë të njohur në fushat që do të trajtohen.
