Çdo ditë, banorët e Tiranës që kalojnë pranë shkollës “Vasil Shanto”, do ta fillojnë mëngjesin me zërin e Vaçe Zelës
Pranvera Kola
E pozicionuar në mes të katër rrugëve, shkolla 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë është shndërruar në një ambient argëtimi ku të gjithë mund të nisin një mëngjes të mbarë. Në mënyrë individuale, prej disa muajsh kjo shkollë ka gjetur një praktikë të re të nisjes së mësimit, nëpërmjet muzikës. Instalimi i qendrës së zërit bën që çdo mëngjes për rreth një orë nxënësit dhe kalimtarët të shijojnë këngët që vënë në dukje vlerat patriotike të vendit tonë, këngë të cilat bëhen edhe më të dukshme në këtë prag, ku kanë nisur festimet e 100-vjetorit të shtetit shqiptar.
Duke iu afruar portës së shkollës vërehen dhjetëra kalimtarët të cilët ndalojnë për disa çaste duke kujtuar me nostalgji këngët e Vaçe Zelës, që të risjella në një format të ri, janë bërë refren i përditshëm për nxënësit që frekuentojnë këtë shkollë. Matilda është një ndër kalimtaret që pohon se i ndodh çdo ditë të ndalojë për disa çaste tek muret e shkollës për të shijuar muzikën, kumbimi i së cilës i kalon kufijtë e oborrit të shkollës dhe për pak metra bëhet shoqëruese e kalimtarëve të rrugës.
Drejtoresha e shkollës, Anila Bajraktari, tregon se vendosja e kësaj qendre zëri, e cila prodhon çdo ditë tingujt të hareshëm, ka ndikuar në thellimin e raporteve miqësore të nxënësve e vetë shkollës.
“Vendosja e muzikës në ambientet e shkollës tonë ka më se një vit që po praktikohet. Fillimisht e kemi nisur ditëve të hëna, ku këndohej vetëm himni, sikundër është përcaktuar edhe në rregulloren e shkollës. Duke parë që nxënësit ishin më të relaksuar dhe e nisin ditën e mësimit më të gëzuar, vendosëm si drejtori që muzika të vendoset çdo ditë nga ora shtatë deri në orën tetë në ambientet e shkollës.
“Në të vërtetë kjo gjë ka rezultuar shumë efikase, pasi është shmangur modeli tradicional i rutinës në nisjen e ditës së mësimit. Në këtë mënyrë nxënësit janë më të qetësuar dhe më të përqendruar në zhvillimin e orëve mësimore, si dhe përvetësimin e dijeve. Këtë gjë ne kemi faktuar edhe me rezultatet në rritje që vërehen tek nxënësit e shkollës gjatë muajve të fundit”, shprehet drejtoresha Bajraktari.
Ajo shton më tej se nuk janë vetëm fëmijët e klasave të shtata e të nënta ata që e ndiejnë gëzimin e nisjes së mësimit nën tingujt e muzikës, por edhe më të vegjlit e klasave parashkollore , e atyre fillore e ndiejnë më së shumti këtë risi, çka vërehet në dëshirën e tyre për të ardhur sa më herët para nisjes së mësimit që të mund të qëndrojnë së bashku në oborr duke kënduar këngët.
Përzgjedhja e muzikës bëhet nga vetë mësuesit, këngë të cilat janë të përshtatshme me moshën e nxënësve. Ndërkohë që në këtë periudhë iu është kushtuar më shumë rëndësi këngëve patriotike, në kuadër edhe të aktiviteteve që vetë shkolla po organizon për festimet e 100-vjetorit. Organizime të cilat vërehen që në hyrje të shkollës, ku korridori është mbushur plot me punime të bëra nga vetë nxënësit me rastin e festimeve të 100-vjetorit.
Megjithatë nuk është vetëm mëngjesi ai që shoqëron hyrjen e nxënësve në klasa nën shoqërinë e muzikës. Edhe në orën e pushimit, qendra e zërit prodhon sërish tingujt muzikorë, të cilat i ftojnë ata që të bashkohen në ambientet e oborrit për të vijuar bisedat e tyre.
“Krahas relaksit dhe argëtimit të nxënësve, vendosja e muzikës na ka ndihmuar që të mbajmë larg nivelin e lartë të zhurmave që prodhohen çdo ditë nga qarkullimi i automjeteve të shumta në të dy kryqëzimet që kufizojnë ambientet e shkollës sonë. Ndonëse nuk e parandalon totalisht, muzika e zbeh shumë negativitetin e këtyre zhurmave”, shprehet një nga mësueset e shkollës. Sipas saj, të gjithë janë të kënaqur me këtë model të ri, duke përmendur veçanërisht nxënësit e klasave parashkollore, për të cilët pohohet se në të vërtetë, nuk ishte menduar që të jepte kaq shumë ndikim.
Disko në palestrën e shkollës
Drejtoresha Bajrakatari tregon se me qendrën e zërit u është dhënë fund edhe largimit të fëmijëve pas mësimit në të ashtuquajturat disko. Për këtë është menduar kthimi i palestrës së shkollës në një ambient të ngjashëm me diskon, ku nxënësit e klasave të teta dhe të nënta të mund të kalojnë disa orë argëtimi nën shoqërinë e njëri-tjetrit, e mësuesve çdo fundjavë.
“Për klasat e teta dhe të nënta ne praktikojmë diskon në palestër, ku çdo ditë të premte ata mblidhen me njëri-tjetrin për të shijuar tingujt e muzikës që preferojnë. E kemi bërë këtë gjë pasi duam që ato orë argëtimi të mund t’i kalojnë në ambiente ku janë më të sigurt dhe të shmangim daljet nëpër ambiente të tjera jashtë shkollës, të cilat kanë një shkallë të lartë pasigurie për këto mosha”, shton drejtoresha Anila Bajraktari.
Vetë nxënësit pohojnë të kënaqur se mezi e presin fundjavën, pasi kanë mundësi që të qëndrojnë së bashku dhe të dëfrejnë në ambientet e palestrës.
Monitorimi me anë të sistemit të kamerave
Një tjetër e mirë është edhe vendosja e sistemit të kamerave, i cili është instaluar në mënyrë private falë bashkëpunimit të prindërve dhe drejtorisë së shkollës. Vendosja e sistemit të kamerës ishte i nevojshëm, pasi shkolla ndodhet në mes të rrugëve dhe frika e largimit të nxënësve është shumë e madhe, sikundër edhe vështirësitë në kontrollimin e njerëzve që hyjnë e dalin.
Që nga muaji shtator kur ka startuar edhe viti i ri shkollor, e gjithë shkolla vëzhgohet përgjatë gjithë ditës në sistemin e kamerave që janë instaluar nga drejtoria.
“Kontrollohen hyrjet dhe daljet e shkollës për të shmangur çdo situatë të padëshirueshme. Po ashtu nëpërmjet një qarkoreje të përbashkët të cilën e kemi firmosur edhe me prindërit, kemi përcaktuar rregulla të qarta për vijimin e procesit mësimor ku nxënësve nuk u lejohet mbajtja e celularëve në ambientet e shkollës. Fatmirësisht në shkollën tonë nuk ka pasur fenomene negative të sherreve mes nxënësve apo dhe braktisjes së mësimit”, shton më tej drejtoresha.
Sociologia Entela Binjaku: Muzika nxit hyrjen e gëzueshme të nxënësve në mësim
“Për një mori arsyesh, shkolla ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në jetën e individit; mbi të gjitha sepse është një agjent formues dhe luan rol shumë të rëndësishëm shoqërizues përgjatë procesit të rritjes. E gjendur ndërmjet familjes dhe shoqërisë, shkolla përgatit fëmijën për rolin që ai do të ketë në jetën e tij si i rritur i ardhshëm.
“Sigurisht, shkolla nuk përfaqëson vetëm atë institucion ku zhvillohet të mësuarit të aftësive dhe të dijeve, por ajo është edhe një agjenci shoqërizimi e atillë që edukon vlera dhe rregulla të caktuara që nevojiten për bashkëjetesën civile. Nëpërmjet shkollës dhe edukimit shoqëria garanton një nivel të caktuar solidariteti, ushqen njësimin shoqëror, transmeton ndjenjën e përkatësisë dhe të besnikërisë tek e njëjta kulturë dhe tek i njëjti grup.
“Përmes procesit edukativ, shkolla u mëson fëmijëve se si t’u binden rregullave, i aftëson në identifikimin e roleve që lidhen me autoritetin (mësuesi, drejtori), me përpikërinë (orari i mësimeve, testimet, dorëzimi i detyrave etj.), me vetëvlerësimin (vlerësimi i vetes me të njëjtat kritere që aplikohen tek të tjerët), me respektin ndaj të tjerëve etj.
“Pavarësisht interesit që shfaq, dihet se fëmija përfshihet në një raport afatgjatë me shkollën dhe me elementet e lidhura me të, një ndër të cilët është edhe edukimi muzikor. Duke e konsideruar procesin e shkollimit si vetëm pozitiv, rrugëtimi është më i pëlqyeshëm kur pasurohet me muzikën, si një element tërheqës për fëmijët. Edukimi muzikor është një hallkë shumë e rëndësishme në edukimin e fëmijës, pasi nëpërmjet tij, fëmija pasuron botën shpirtërore, nxit imagjinatën, hap rrugë një bote shumë pranë të gëzueshmes, të bukurës.
“Muzika, thoshte Platoni, është ligj moral. Ajo i jep shpirt universit, krahë mendimit, rrugë imagjinatës, hijeshi të resë, jetë dhe gëzim gjërave.
“Në këtë këndvështrim, muzika në 20-25 minutat para fillimit të mësimit, është një mënyrë me anë të së cilës shkolla mirëpret fëmijët, këngët zgjojnë tek fëmijët ndjesinë e solidaritetit. Të kënduara përpara fillimit të mësimit, këngët japin një impuls pozitiv për fëmijët që ata të hyjnë këndshëm në mjediset e shkollës. Shumë prej këngëve që dëgjohen sot në këto mjedise të shkollave, janë të një periudhe më të hershme, duke zgjuar kështu edhe tek prindërit një ndjenjë nostalgjie dhe ndjeshmërie më të lartë ndaj të njëjtës periudhë në jetën e tyre.
“Në këtë mënyrë shpeshherë muzika dhe këngët për fëmijë apo dhe ato atdhetare bashkojnë në të njëjtat ndjesi treshen e rëndësishme “fëmijët-prindërit-shkollën” për forcën e së cilës një studiues i njohur, Majkëll Fullan, thoshte se “është një domosdoshmëri për shoqërinë”.”
Është një nismë që duhet përgëzuar e mbështetur. Sa mirë për ata nxënës që u janë krijuar këto kushte. Është një shëmbull që të ndiqet edhe nga të tjera shkollae rekomanduar nga Drejtoritë arsimore.