Të gjithë e kemi provuar sa acarues është një tingull që nuk pushon për një kohë të gjatë. Por një gruaje në Britaninë e Madhe i duhet të jetojë 24 orë në 24 me këtë torturë dhe vetëm tek zhurma e fshesës me korrent mund të gjejë prehje.
Cath Gamester, 84 vjeç, vuan nga sindroma e muzikës në vesh, që do të thotë se dëgjon 6 këngë gjatë gjithë ditës, sikur vijnë nga magnetofoni në dhomë.
Kur filloi të vuante nga kjo sindromë, Cath mendoi fillimisht se muzika vinte nga fqinjët. Por pavarësisht ritmeve dhe zërave të këngëve, ato në fakt prodhohen nga truri I të moshuarës. Madje gruaja ka edhe një listë të këngëve që nuk pushojnë asnjëherë: “Silent Night”, “Abide with Me”, “You’ll Never Walk Alone”, “Land of Hope and Glory”, të cilat përsëriten gjithë kohën.
Për Cath, kënga që ne të tjerët e dëgjojmë rrallë dhe me kënaqësi të veçantë “Happy Birthday”, është makthi më I madh.
“E urrej atë këngë. Por fatmirësisht më pëlqen zëri i këngëtarit. Është një tenor me zë të fortë e të lartë, ndërsa në sfond ka muzikë”, thotë gruaja.
Një sindromë e tillë prek një në 10 mijë të moshuar mbi 65 vjeç. Cath thotë se muzika filloi pas përdorimit të disa antidepresivëve që ajo merrte pas vdekjes së të motrës.
Specialistët thonë se sindroma nuk ka të bëjë aspak dhe problemet e të dëgjuarit. Disa prej tyre sugjerojnë se truri reagon ndaj rënies së aftësisë për të dëgjuar, duke e mbushur boshllëkun e krijuar me muzikë të njohur. Fatkeqësisht deri tani nuk është zbuluar asnjë kurë për këtë problem. Psikologët dhe neurologët rekomandojnë pacientët e këtij lloji të pranojnë sëmundjen dhe të përpiqen të relaksohen duke folur me persona që kanë një problem të tillë.