Shpesh herë trajtimi i sëmundjes neglizhohet për shkak se ngatërrohet me infeksionet e zakonshme mykotike të lëkurës, ekzemën dhe psoriazën. Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili detajon tre fazat e zhvillimit të sëmundjes, si dhe masat që duhet të merrni për të mbajtur nën kontroll simptomat, duke qenë se sëmundja është e pashërueshme
Pranvera Kola- DITA
Shfaqja e pllakave të kuqe të luspëzuara në lëkurë, sidomos në zonën e kyçeve të duarve, këmbëve, apo edhe të gjunjëve që shkaktojnë kruajtje të bezdisshme, nuk duhen trajtuar si infeksione të thjeshta mykotike të lëkurës, pasi mund të jenë shenja dalluese të mukozës fungoide, që është një infeksion mykotik fungol më i rëndë i lëkurës.
Sëmundja prek kryesisht të rriturit, ndërkohë që bëhet edhe më e shpeshtë tek moshat mbi 50 vjeç.
Mjekja infeksioniste Ilda Xhelili, tregon për lexuesit e “Dita”, format se si zhvillohet kjo sëmundje, si dhe masat që duhet të merren për mbajtjen nën kontroll të simptomave të kësaj sëmundjeje, për të mos ndikuar në cilësinë e jetesës.
Kjo pasi sëmundja nuk ka shërim, por mund të qetësohet dhe mbahet nën kontroll, për të mos lejuar shfaqjen e ndërlikimeve të mëtejshme.
Çfarë është mykoza fungoide dhe cilat grupmosha rrezikojnë më shumë prej saj?
Mykoza fungoide u përshkrua për herë të parë në 1806 nga mjeku dermatolog Jean Louis Marc Alibert. Emri “mycosis fungoides” në të vërtetë do të thotë “infeksion mykotik (fungol)” gjë që në fakt bie në kundërshtim me zhvillimin e sëmundjes, e cila është një lloj limfome.
Mjeku francez e emërtoi si të tillë, pasi ai përshkroi tumoret e lëkurës me ecuri të ashpër, të cilat në pamje të parë dukeshin si kërpudha.
Prandaj diagnoza diferenciale me infeksionet e vërteta mykotike është shumë e rëndësishme të jetë e saktë dhe të bëhet në kohën e duhur. Është fenomen i rrallë që sëmundja të shfaqet para moshës 20 vjeç.
Ajo është më e shprehur te meshkujt se sa te femrat dhe incidenca ka tendencë të rritet mbi moshën 50 vjeçare. Mosha mesatare e fillimit të sëmundjes është 45-55 vjeç, në mënyrë të veçantë për ata që kanë probleme të shpeshta me lëkurën.
Me përmirësimin edhe të kushteve diagnostike, është vënë re që trajtimi për këtë patologji është rritur mjaft vitet e fundit.
Cilat janë simptomat klinike të mykozës fungoide?
Simptomat tipike të dukshme përfshijnë shfaqjen e pllakave të kuqe në lëkurë në formë luspash, sidomos në zonën e kyçeve të duarve, këmbëve, apo edhe të gjunjëve.
Në rreth 20 për qind të pacientëve shfaqet dukshëm fenomeni i kruarjes (pruritus), por ky nuk është universal. Simptomat klinike të shfaqura janë zakonisht progresive, me faza të hershme të përbëra nga lezione si arna dhe me luspa. Fazat e mëvonshme përfshijnë pllaka të luspëzuara, të cilat me kalimin e kohës evoluojnë në të gjithë trupin.
Stadi i avancuar i mykozës fungoide karakterizohet nga një skuqje e përgjithshme dhe një kruatjte (pruritus) e rëndë dhe e gjeneralizuar në të gjithë trupin.
Cilët janë shkaktarët e mundshëm të sëmundjes?
Shkaku i saktë për shfaqjen e kësaj sëmundjeje mbetet akoma i paqartë, pavarësisht përpjekjeve të bëra nga ekspertët e shëndetit. Nuk mendohet që sëmundja të ketë bazë gjenetike dhe nuk është ngjitëse. Sëmundja është një shprehje jo e zakonshme e qelizave T-CD4, të cilat janë pjesë e sistemit imunitar.
Qelizat T janë të lidhura ngushtë me lëkurën në mënyrë dinamike, biokimikisht dhe biologjikisht. Mykoza fungoide është lloji më i zakonshëm i limfomës qelizore, por ka edhe shumë lloje të tjera limfomash, të cilat nuk kanë të bëjnë me mykozën fungoide dhe që natyrisht kanë protokolle të ndryshme mjekimi.

Si përcaktohet diagnoza?
Me thënë të drejtën përcaktimi i diagnozës nuk është i lehtë, pasi siç e theksova edhe më sipër ngatërrohet shpesh me infeksionet mykotike, prandaj edhe jo rrallë neglizhohet, apo mjekohet jo në mënyrë adekuate.
Prandaj është e rëndësishme që të trajtohet nga mjekët specialistë dermatologë, por edhe më gjerë, në varësi të kuadrit klinik që prezanton sëmundja dhe të organeve të prekura në stadet e avancuara të saj. Në fazat e hershme të saj, sëmundja mund të ngjajë edhe me ekzemën, ose psoriazën, prandaj diferencimi i diagnozës në këto faza mbetet i vështirë.
E rëndësishme është që të jemi në kontrollin e mjekut vazhdimisht. Sa herë që diagnoza dyshohet, duhet kryer biopsia e lëkurës. Madje janë të rekomanduara disa biopsi për të konfirmuar në mënyrë të saktë diagnozën.
Po ashtu, mjaft i rëndësishëm është ekzaminimi i gjakut dhe i nyjeve limfatike (gjëndrat). Të gjitha këto ekzaminime së bashku me tablonë klinike të ndjekur në vazhdimësi, plotësojnë dhe konfirmojnë diagnozën e saktë.
Si zhvillohet kjo sëmundje?
Tradicionalisht kjo sëmundje është ndarë në tre faza, që janë: faza premykotike, mykotike dhe tumorale. Faza premykotike paraqet klinikisht lezione eritematoze në sipërfaqen e lëkurës (skuqje), kruarje dhe luspëzim të saj.
Pamja mikroskopike e këtyre lezioneve nuk është diagnostike dhe përfaqësohet si dermatit kronik jospecifik, e shoqëruar me ndryshime psoriasiforme në epidermë (shtresa sipërfaqësore e lëkurës). Në fazën mykotike shfaqen pllakat infiltrative (depërtuese) dhe biopsia në këtë fazë tregon një depërtim inflamator (infeksioz) polimorf në dermë (shtresa e lëkurës që vjen poshtë epidermës).
Në këtë shtresë qelizat përhapen gjerësisht. Në fazën tumorale kemi një depërtim akoma më të gjerë të qelizave limfocite përgjatë dermës. Theksoj që limfocitet janë një lloj i rruazave të bardha të gjakut, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me mbrojtjen imunitare të organizmit të njeriut.
Si trajtohet patologjia?
Terapia sipas është e ndryshme, sipas simptomave dhe karakteristikave specifike që paraqet secili pacient. Në shumë raste mund të jetë kombinim i alternativave të ndryshme të mjekimit, të cilat kanë rezultuar pozitive.
Trajtimet e zakonshme mund të përfshijnë rrezatimin e thjeshtë diellor, rrezatimin ultravjollcë, preparatet kortizonale, radioterapitë lokale sipërfaqësore, kimioterapitë sistemike, terapitë sistemike që ndikojnë në imunitetin e organizmit. Në përgjithësi terapitë janë të kombinuara.
Përzgjedhja e terapive bëhet zakonisht në varësi të fazës së sëmundjes, rezistencës së krijuar ndaj terapive të mëparshme, alergjitë e pacientit, ecuria klinike, efekteve anësore. Pra çdo gjë bëhet nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekut specialist.
Si është ecuria e trajtimit të sëmundjes?
Nëse trajtimi është i suksesshëm, sëmundja nuk ka ecuri progresive qoftë nga ecuria klinike, qoftë nga rezultatet e testeve të ndryshme. Por, sëmundja mund të zgjasë edhe pafundësisht në gjendje stacionare, ose mund edhe të agravohet (rëndohet).
Nëse sëmundja përparon, ajo mund të prekë nyjet limfatike, gjakun dhe organet e brendshme. Sëmundja është e pashërueshme, por për shumicën e pacientëve ajo mund të mbahet nën kontroll për periudha të gjata kohore.
Cilësia e jetës është një objektiv i madh për trajtimin e kësaj patologjie, për minimizimin e efekteve anësore të terapive, përmirësimin klinik e në mënyrë të veçantë për qetësimin e pruritit të lëkurës (kruajtjes), gjë e cila mund ta acarojë shumë pacientin. E theksoj edhe një herë që e rëndësishme është të jeni nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut.
Kujdesi për infeksionet e zakonshme mykotike të lëkurës
Infeksionet e zakonshme mykotike të lëkurës prekin të gjitha grupmoshat, por në mënyrë të veçantë janë më të shprehura tek fëmijët. Këto infeksione janë ngjitëse dhe mund të kalojnë nga personi në person nëpërmjet kontaktit me zonat e lëkurës së infektuar, ose duke shkëmbyer veshjet, apo sendet e kujdesit personal (krehrin, makinat dhe furçat e rrojës, gërshërët, etj).
Infeksioni mund të prekë dhe kafshët shtëpiake, të cilat mund ta transmetojnë atë më pas edhe tek njerëzit. Pra faktori më i madh i rrezikut është kontakti me individët e prekur. Zonat e ngrohta e me lagështi krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e kërpudhave. Si vende të tilla mund të përmendim dushet publike, pishinat, dollapet e përbashkëta të rrobave. Pra, çdo kontakt me një person të infektuar, ose zonë të infektuar shërben si burim infeksioni. Lidhur me trajtimin, është shumë e rëndësishme të dihet që infeksionet mykotike trajtohen për periudha të gjata kohore dhe kërkojnë mjaft durim deri në marrjen e rezultateve të duhura shëruese.
Mjekimi konsiston në luftimin e shkaktarit, gjë e cila arrihet nëpërmjet preparateve antimykotike të përgjithshme, pra që merren nga goja dhe të preparateve antimykotike lokale që aplikohen mbi zonën e prekur në formën e pomadave dhe të solucioneve.
Këshilla
- Studimet tregojnë se minimizimi i djersës dhe i lagështisë mund të ndihmojë në parandalimin e infeksioneve mykotike. Kujdes duhet treguar për zonën e sqetullave, rrëzës së kofshëve, apo poshtë gjoksit (për gratë). Këto zona duhen larë shpesh dhe tharë vazhdimisht me peshqirë të pastër dhe të hekurosur.
- Kujdes duhet treguar edhe me sendet personale, siç janë veshjet, këpucët, pandoflat, sandalet, të cilat nuk duhet të shkëmbehen me të tjerët.
- Mbani veshur gjithmonë çorape pambuku, që thithin djersën e këmbëve dhe këpucë, apo atlete që lejojnë ajrosjen e këmbëve.
- Para dhe pas pishinave bëni gjithmonë dush dhe përdorni peshqirë personalë.
- Lani gjithmonë duart me ujë të rrjedhshëm dhe me sapun pasi prekni kafshët shtëpiake.
- Ecuria e trajtimit të infeksioneve mykotike në përgjithësi është e mirë. Megjithatë, jo rrallë ato kronicizohen dhe paraqesin rezistencë ndaj mjekimit
