Më 2010, Interi i Milanos u bë skuadra e gjashtë që fitonte “treshen”, kombinimin e rrallë midis titullit kampion e kupës në shtëpi dhe Champions League. Para italianëve, ia kishin arritur vetëm Barcelona (2009), Manchester United (1999), PSV Eindhoven (1988), Ajax (1972) dhe Celtic (1967). Bajeni mund të bashkohet me këtë grup elite të shtunën në mbrëmje, nëse arrin të fitojë Kupën e Gjermanisë në Berlin, kundër Shtutgartit, dhe të gjithë lojtarët janë të vetëdijshëm për këtë fakt. “Jemi të gjithë të uritur, duam të mbahemi mend përjetësisht, duam të fitojmë treshen”, deklaron pa asnjë mëdyshje Tomas Myler. Asnjë klub gjerman nuk e ka arritur këtë gjë më parë dhe vetëm kjo mjafton për të qenë një “faktor i madh motivues” për ndeshjen kundër Shtutgartit. Kjo gjë e ka rritur edhe rëndësinë e Kupës së Gjermanisë për Bajernin. “Kupa ka fituar më tepër rëndësi, sepse çmimi është shumë më tepër se Kupa vetë”, shpjegon Myler. Bajerni nuk ka pasur rivalë në Gjermani, duke e fituar titullin që në prill, ndërsa në Kupë ka qenë i pamëshirshëm me kundërshtarët, por Myler premton se askush nuk po e merr lehtë këtë takim pas festës për Champions League. “Nuk do të jemi 85 por 100 për qind të përkushtuar për këtë ndeshje. Ditën e parë të stërvitjes i kishim pak të rënduara këmbët, por më pas gjithçka u përmirësua. Tani mendjen e kemi vetëm në Berlin”.
Ndërkaq, presidenti Uli Hënëse ka zbuluar se trajneri i ardhshëm, Pep Guardiola, kishte kërkuar blerjen e brazilianit Neimar, por klubi nuk pranoi, duke shkuar më pas drejt Mario Gëces. “Guardiola donte të merrnim një lojtar të ri brazilian”, tha Hënes, pa thënë emrin, por duke iu referuar Neimarit. “Por ne ia mbushëm mendjen për të kundërtën. E dimë nga përvoja se brazilianët e rinj e kanë të vështirë të përshtaten me kulturën dhe klimën tonë. Gjërat komplikohen edhe më tepër nëse paguan 20 apo 30 milionë dollarë”. Hënes shton se Guardiola këmbënguli për një lojtar të ngjashëm, çka çoi në blerjen e Mario Gëces nga Borusia Dortmund.
