Bajern – Thomas Myler ka rinovuar kontratën me Bajern Munih deri në 30 qershor të vitit 2017. “Myler është një lojtar që ka dalë nga ekipet tona zinxhir dhe është një pedinë shumë e rëndësishme e skuadrës”, u shpreh presidenti i Këshillit Drejtues të klubit bavarez, Karl-Heinz Rummenigge. “Jemi shumë të lumtur që kontrata që skadonte në vitin 2015 është zgjatur para kohe. Kjo është një provë që Thomas identifikohet me Bajernin”, shtoi Rummenigge. 23-vjeçari ka nisur të luajë me grupmoshat e klubit më të madh në Gjermani kur ishte vetëm 11 vjeç. Në vitin 2008 debutoi me skuadrën e parë, ndërsa në sezonin 2009-10 u bë titullar i Bajernit dhe kombëtares gjermane. Në sezonin aktual, Thomas Myler ka shënuar 13 gola në 25 takime.