Për forcat politike në Shqipëri komunitetet fetare shihen si blloqe elektorale. Kjo nuk është gjë e re. A nuk pat deklaruar kryetari demokristian Ndoka se Topalli nuk po përfaqësonte katolikët siç duhet, dhe se ai merte përsipër të përmbushte interesat e tyre? Teksa konsiderimi i interesave grupore apo komunitare është gjë e njohur dhe normale në politikat elektorale në shumë vende demokratike, asnjëherë në Shqipëri kjo nuk ka qenë haptas e artikuluar në retorikën zyrtare të forcave kryesore politike.
Sa i përket politikave komunitare, me specifikë fetare, teorikisht në një vend laik si Shqipëria nuk ka pse veçohen strategji komunikimi të ndara për grupe të ndryshme, sipas përkatësië së besimit të tyre, mirëpo kjo gjendje ideale do të kërkonte në rradhë të parë edhe barazi ideale të bashkësive në trajtimin e tyre prej institucioneve shtetërore. Nëse kjo barazi shkelet, vetvetiu krijohet një terren i padëshiruar dallimesh komunitare të cilat herët a vonë mund të politizohen.
Pamja e përvitshme e besimtarëve myslimanë që falen trotuareve në ditët e tyre festive, tregon për premtimet publike të pambajtura për ngritjen e xhamisë së madhe të kryeqytetit, e cila do të plotësonte, pa krijuar ndjesi diferencimi, po të njëjtat nevoja si edhe dy katedralet, tashmë të ndërtuara.
Një mirëmbajtje e përgjegjshme e simbolikave të barazisë do të pamundësonte abuzimet me akuzat e kundërakuzat e rrezikshme me sfond fetar në arenën politike, dhe ç’ka është më e rëndësishme, do t’i priste rrugën perceptimimeve naive se ndonjë grup a bashkësi voton “unanimisht”, motivuar nga çështje që konsiderohen të rëndësishme fetarisht e politikisht njëherazi.
Të njëjtën ditë që një gazetë botonte lajmin e shkëmbimeve politike në ditën e Kurban Bajramit, po kjo gazetë botonte dhe një reportazh për tre vajza muslimane që mbajnë shami dhe që deklaronin se veçanërisht në shtet i kanë patur dyert e punësimit të mbyllura. Edhe pse Shqipëria tani ka një ligj kundër diskriminimit, është e njohur se vetëm aprovimi i një ligji në parlament nuk mund të modifikojë qëndrimet diskriminuese në një shoqëri.
Ndërkohë, para pak muajsh, në një intervistë për blogun Respublica, intelektuali dhe studiuesi Ardian Vehbiu fliste me shqetësim për mënjanimin e muslimanëve si komunitet nga jeta publike. Para ndonjë viti Elsa Ballauri e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, duke shqyrtuar ligjërimin ndaj fesë në Shqipëri, shkruante se ky ligjërim ka krijuar një ndasi midis “nesh” dhe “myslimanëve.” Duke shkruar para pak kohësh rreth premtimit për xhaminë, analisti dhe pedagogu Fabian Zhilla, shkruante për nevojën e integrimit të muslimanëve praktikantë në shoqëri si një nevojë dhe më imediate se ndërtimi i xhamisë.
Në disa shoqëri demokratike, ku Shtetet e Bashkuara përbëjnë rastin më domethënës, një nga mënyrat sesi përballet diskriminimi është nëpërmjet “diskriminimit pozitiv,” ndryshe i njohur në ShBA si “affirmative action.” Ky lloj diskriminimi pozitiv synon të marrë në konsideratë faktorë si gjinia, feja, etnia, ngjyra etj. për të sjellë përfitim për grupe me nivel të ulët përfaqësimi e për të balancuar kështu efektet e diskriminimit. Kjo politikë prek fusha të tilla si ato të shkollimit a punësimit nga ku këto grupe të caktuara të shoqërisë kanë vështirësi aksesi.
Rama ka mundësinë pas marrjes së pushtetit në 2013 të bëjë hapa domethënëse si në afrimin me sektorë të elektoratit mysliman ashtu dhe në adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për këtë komunitet fetar. Për shumë arsye, ai është në pozita më të favorshme për ta bërë këtë se oponenti i tij politik, Berisha. Rama nuk do mund të akuzohet, siç abuzohet me Berishën, për filo-islamizëm, apo se “na ka futur në Konferencën Islamike.” Hapat e tij në këto kahje do të emanciponin gjithë skenën politike shqiptare, dukshëm të kompleksuar kur vjen fjala tek trashëgimia apo përkatësia myslimane. Por tek e fundit, të tilla politika do ishin në harmoni dhe me një vizion normativ të së majtës progresiste perëndimore.
Besimtarët e kryeqytetit sigurisht do ta vlerësonin plotësimin e premtimit gati 20 vjeçar të politikës për një xhami me përmasa që i përgjigjen nevojave të tyre, por më shumë do ishin të interesuar në politika që adresojnë diskriminimin në punësim, shkollim e integrimin e plotë në shoqëri. Rama ka treguar ndërkaq se nuk i mungon as guximi dhe as avancimi i risive politike.
CV e shkurtër e kreut të Komunitetit Musliman të Shqipërisë
Haxhi Selim Muça rrjedh nga një familje me tradita islame. Babai i tij ka qenë Imam deri në momentin e ndërrimit jetë në fshatin e lindjes. Sipas CV-së së tij botuar në faqen zyrtare të Komunitetit Musliman nga 1964-1991 Muçka ka punuar në Ndërmarrjen Gjeologjike- Bulqizë-Dibër në funksionin e Inxhinierit Gjeodezi-topografi-hartografi. Nga marsi i 2004-s dhe në vazhdim është Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Haxhi Selim Muça është lideri i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën pas 90-s, duke zëvendësuar në këtë post Haxhi Hafiz Sabri Koçin. Ai ka kryer medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas Haxhi Selim Muça ka vazhduar studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki. Zotëron mjaft mirë gjuhën çeke.
Është zhvilluar paraditen e sotme, 17 nëntor 2012, në ambientet e Universitetit Bedër, mbledhja e radhës e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Mbledhja është hapur nga Kryetari Selim Muça, i cili pasi uroi e përgëzoi anëtarët e pranishëm për prezencën, u shpreh: “Vijmë sot në mbledhjen e zakonshme të KP në fillim të vitit të ri Hixhri, kohë e cila përkon me fillimin e epokës së re për myslimanët e globit, epokës së re aq të pritur të njerëzimit, e cila i shtohet pjesës së atmosferës historike, festive të 100 viteve tona si shtet. Është momenti dhe vendi që sot përmes një lutjeje t’i drejtohemi dhe t’i kërkojmë Zotit, që shpirtrat e të gjithë dijetarëve, ylemave, nxënësve të dijes, mendimtarëve të fesë, filluar me Vehbi Agolli-dibrën, për të ardhur te pishtari i ringjalljes së Islamit në Shqipëri, Hafiz Sabri Koçi, të prehen në Xhenet dhe të jenë frymëzim i përkushtimit tonë në shërbim të fesë dhe shoqërisë shqiptare”.
Në vazhdim pjesëmarrësit janë njohur me një rezyme të veprimtarisë të Universitetit Bedër të prezantuar nga pedagogu Skënder Bruçaj, në të cilën janë evidentuar arritjet institucionale dhe sukseset e studentëve që studiojnë në këtë institucion të lartë arsimor privat gjatë vitit të kaluar akademik.
Mbledhja e drejtuar nga Kryetari i Këshillit, z. Ylli Gurra, ka vazhduar sipas rregullores statuore, me listëprezencën dhe pasi është konfirmuar pjesëmarrja e 2/3 të anëtarëve të KP, me rendin e ditës si vijon:
[Mbledhja e KP (2)]
-Raporti i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm mbajtur nga z. Ylli Gurra, kryetar i KP-së. Gjatë periudhës mes dy mbledhjeve Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm ka kryer kontrolle në myftinitë Berat, Kuçovë e Fier, duke patur në fokus analizimin e veprimtarisë fetare, situatave financiare, bilancet, hipotekimet e pasurive vakf dhe interesimin e myftinive për shtimin e pasurive vakf kudo nëpër Shqipëri. Sipas raportit, veprimtaria e këtyre strukturave lokale ka shënuar rritje, duke ndikuar në forcimin e imazhit dhe rolit përfaqësues të Islamit në këto rrethe e më gjerë. Gjatë kësaj periudhe, myftinjtë dhe stafi i tyre kanë realizuar detyrat dhe udhëzimet përkatëse duke pasur një ecuri të kënaqshme në planin fetar dhe administrativ, shoqëruar kjo edhe me një frymë të lartë koordinimi e bashkëveprimi. Falë interesimit dhe përkushtimit të myftinjve është realizuar një menaxhim i mirë dhe organizim i rregullt i Festës së Kurban Bajramit, duke mundësuar shpërndarjen e mishit të kurbanit për shumë familje në nevojë në qytet e fshat. Myftinjtë me prezencën e tyre kanë dhënë shembullin e njeriut të fesë, i cili është i interesuar të ofrojë shërbim për besimtarët dhe qytetarët jo vetëm brenda mureve të xhamisë por jashtë saj.
Pjesë e raportit ishte analiza e Zyrës së Haxhit në KMSH. Duke e vlerësuar pozitivisht punën e kësaj zyre, stafit organizues dhe teologëve pjesëmarrës në këtë detyrë të rëndësishme, në raportin e KP theksohej se përmes këtij organizmi, institucioni dëshmoi edhe një herë përkushtimin dhe seriozitetin e tij në shërbimin e tij në interes dhe favor të besimtarëve.
[Mbledhja e KP (4)] Anëtarët e pranishëm në sallë pasi u informuan me përmbajtjen e raportit, parashtruan vërejtjet dhe sugjerimet e tyre me qëllim që ato t’i shërbejnë këtyre strukturave dhe drejtuesve të tyre për të riparuar të metat dhe përmirësuar metodën e punës në të ardhmen.
-Raporti mbi veprimtarinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për periudhën mes dy mbledhjeve, u raportua nga Kancelari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi. Përmes këtij raporti anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm janë njohur me veprimtarinë e institucionit për periudhën mes dy mbledhjeve në aspektin e shërbimit fetar, arsimor e kulturor dhe në atë juridik e administrativ. U pasqyrua veprimtaria e Kryesisë dhe e çdo drejtorie, u evidentuan arritjet dhe mangësitë, si dhe u analizuan çështje të tjera me interes.
Këshilli i Përgjithshëm u informua gjithashtu me vendimet që Kryesia e Komunitetit Mysliman ka marrë gjatë kësaj periudhe si dhe emërimet dhe lëvizjet e kryera gjatë kësaj periudhe në qendër e në bazë.
Nga anëtarët e Këshillit u bënë vlerësime për punën e Komunitetit Mysliman dhe pati vërejtje e sugjerime shumë të vlefshme, që, siç u theksua prej tyre, duhet të mbahen parasysh për përmirësimin e veprimtarisë së përgjithshme të institucionit në të ardhmen.
Raportet e dy kryesive për periudhën mes dy mbledhjeve u hodhën në votë dhe u miratuan me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
Duke qenë që në kornizën tonë të besimit atdheu nuk mund të jetë pa fenë dhe feja nuk mundet të jetë pa atdhenë, të dyja kryesitë propozuan që në të gjitha xhamitë e shqipërisë të mbahen hytbe, ligjërata mbi dashurinë për atdheun, për vendin, për popullin dhe për lirinë.
Kjo ishte mbledhja e dytë për këtë vit e Këshillit të Përgjithshëm, strukturës më të lartë organizative të institucionit zyrtar të myslimanëve të Shqipërisë.