Myzeqeja, kjo metaforë pjellorie dhe fisnikërie

Dita

Në pikën më dominuese të vargut perëndimor të kodrave të Myzeqesë, atje, ku shpaloset një pamje mahnitëse e të dy anëve të Fushës së Madhe; atje, ku shijohet lindja dhe perëndimi i bukur i diellit; atje, ku ndihet aroma e detit, e kripës, dhe e pishës; atje ku shijohet bukuria e Ultësirës Perëndimore të Myzeqesë, pra e Libofshës, ngrihet një kompleks arkitektonik madhështor ndërtimi, i njohur prej shumë vitesh me emrin Manastiri i Ardenicës. Brezi i kodrave të Ardënicës, që ndan në dy pjesë Fushën e Madhe, është piktoresk. Sa herë që shkoj në vendlindje, në Libofshë, nga këtej kaloj, sepse që këtu shijohet pothuajse gjithë Myzeqeja. Manastiri i Ardenicës  është ballkoni më i bukur i Myzeqesë ku duket deti, lumenjtë, kodrat e veshura me ullinj e vreshta, pyjet me pisha të Divjakës që duken si vetulla të bukura të detit dhe plazhit.  Mrekulli e vërtetë një dhuratë e çmuar nga mëma natyrë!!

Parë nga ky Manastir, të dyja anët e Fushës së Madhe duken sikur janë mbështjellë me një tis misteri, mister që lidhet me ngjyrat e saj. Që këtej më duket sikur Fusha e Madhe, Tomorri dhe dielli janë sinonime, plotësojnë dhe zbukurojnë njeri-tjetrin. Ndaj dhe poeti i talentuar Xhevahir Spahiu, shkruan: “Mjegulla, ra/ Mali s’duket më,/ Fusha mbeti pa zot/E pa zë”…

***

Në mesjetën e hershme në trevën e Myzeqesë ra në sy lulëzimi i familjes princërore të  Matrëngasve ose Matarangasve. Zotërimet e kësaj familjeje shtriheshin në fushën, që më vonë do të merrte emrin Muzakie (Myzeqe). Kësaj periudhe i përket edhe skela e Pirgut të Myzeqesë, ndërtimi i kështjellës së parë të tipit fushor të Bashtovës si dhe më vonë, ndërtimi i Manastirit të Ardenicës dhe Kolkondasit.

Familja princërore e Matrëngasve kishte titullin: “Grafi i Karavastasë e i Apolonisë, Mbrojtësi i Bashtovës dhe Kryezot i Savrës dhe Slanicës (kripore). ”Kjo familje në shekujt e XIII dhe XIV-të zotëronte tokat që nga fusha e Savrës deri në Babunjë, Sulëzotaj, Kështjellën e Bashtovës dhe deri në derdhjen e lumit Vjosë, duke përfshirë edhe Apoloninë. Në vitin 1274, ndërmjet princërve të familjeve të mëdha, që i rezistuan ushtrive anzhuine, ishin edhe anëtarët e kësaj familjeje, Pavli dhe Vlashi ose Paulus dhe Sevast Blasius.

Papa Xhovani XXII, në vitin 1319 i drejtoi një dekret Pal Matrëngës kundër mbretit serb, Uroshit II-të. Kjo familje arriti kulmin në kohën e princ Vlashit II-të, në vitin 1358-1367. Pas vdekjes së këtij princi, Myzeqenë e pushtoi Karl Topia. Vlash Matrënga transportonte drithë me anijet e veta në drejtim të Raguzës. Ky drithë i Myzeqesë eksportohej nëpërmjet skelës së Pirgut të Myzeqesë edhe nga anije të huaja. Kjo skelë është ndër më të vjetrat dhe me interes të madh studimi. Ajo përmendet përherë të parë në dy dokumente veneciane: pra, më 15 nëntor 1344 dhe 13 qershor 1389, nën emrin “Dievali”(Devolli i vjetër). Nëpërmjet skelës lumore të Pirgut hynin në Myzeqe mallrat nga tregtarët venecianë dhe të Raguzës. Fitimet që sillte skela, e bënë atë objekt grindjeje midis feudalëve vendas.

Pas Matrëngës ajo ra në duart e Balshajve dhe më vonë të Muzakajve. Në periudhën e sundimit të familjes princërore të Matrëngasve u ndërtua edhe kështjella e Bashtovës. Kjo kështjellë është me shumë interes, jo vetëm se është e vetmja kështjellë fushore, por ajo flet shumë edhe për arkitekturën dhe mjeshtërinë e ndërtimeve të asaj kohe. Kështjella u ndërtua nga Pavli dhe Vlashi Matarënga., në krah të majtë të lumit Shkumbin.

Karavastaja, në mesjetën e hershme ka qenë një qytet i vjetër sikundër në lashtësi e tillë ka qenë edhe Babunja. Në ato kohë ka ekzistuar edhe një liman për ankorimin e anijeve tregtare, i cili me kalimin e kohës, u mbath dhe u krijua këneta. Në kohët e vjetra në Karavasta ka qenë e njohur lagja me emrin “Menegatis”, e cila edhe sot e kësaj dite quhet “Mëngë”. Nën juridiksionin e principatës së Matrëngasve ka qenë edhe Porto-Nuevo (Sulëzotaj i sotshëm).

Me hyrjen e osmanëve në Shqipëri, familja e Matrëngasve shpërbëhet dhe filloi shtegtimi i banorëve drejt brigjeve italike. Janë jehonë e gjashtë shekujve më parë fjalët e këngës së vjetër, që ruhet ende në Myzeqe dhe tek arbëreshët:“Ikëm, moj nëno, ikëm,/Ikëm e muarëm dhenë,/Te Kishë e Shën Kollit, nëno, atje hëngrëm drenë (drekën)…/Na u këput shpirti nëno, ikëm e po largojmë,/Atje përballë detit nëno, përballë do qëndrojmë”…

Në historinë e përpjekjeve të fshatarësisë shqiptare kundër shfrytëzimit osman, një vend të rëndësishëm zë edhe rezistenca e bujqve të 22 fshatrave të Myzeqesë për mospagimin e të tretës sipërmarrësve të Turqisë gjatë gjysmës së parë të shekullit të XIX-të. Kjo rezistencë është një nga vendimet e kryengritjes së myzeqarëve të vitit 1835, për tokë dhe liri dhe kundër taksave të rënda, të udhëhequr nga Abaz bej Lushnja dhe Alush Frakulla…

Në këtë lëvizje agrare spikatin figura të tilla myzeqarësh si: Papa Jorgji Karavastaja, Jorgji Perriu nga fshati Kular, Sulë Sinani nga Kryekuqi, Mançe Malko nga Zharneci, dhe Met Roshe, nga Remasi. Sipas dokumentit 12 – 13, të vitit 1846, F.128, dosje 98 kërkohet dënimi i personave të mësipërm si shkaktar nxitës dhe organizatorë të lëvizjes së bujqve të 22 fshatrave të Myzeqesë, të cilët për tre vjet rresht nuk paguan të tretat sipërmarrësve të Turqisë. Jo vetëm kaq, por bujqit e organizuar i përzunë sipërmarrësit, me forcë.

Në kohët e moçme, kur nuk kishte shkrim e këndim shqip, kur nuk ekzistonte alfabeti, njerëzit e shprehnin gjendjen e mjeruar sociale dhe ekonomike edhe nëpërmjet  këngëve: “Më martove, nëne, poshtë në Myzeqe,/Korba, nëne, qyqja nëne ku më dhe…/Atje thyejnë plisa, nëne me varre,/Korba nëne, qyqja nëne, ku më dhe!…

Në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të pishtari që mbante në zemër Babë Dudë Karbunara ndezi disa kandile në Myzeqe ku me dritën e tyre në duar  shumë patriotë vendas përhapën gjuhën e shkruar shqipe dhe shkronjat e saj. Të tillë kanë qenë Jovan e Zoi Nreko, Ikonom Dhima, Anastas Laska, Teodor e  Aleko Rista, Jani Minga i Shen Pjetrës, Petro Bualli (Muzaka), Rrapi Mërtiri, Naun Prifti (Doko), Dhaskal Xhavo, Simon Sako e të tjerë.

Po ashtu nëpër baltërat dhe lerat e Myzeqesë, duke përshkuar rrëzën e kodrave të Karatoprakut dhe duke fjetur e u çlodhur në konakët e Nedin bej Leskovikut, në Libofshë kaloi për në Vlorë Ismail Qemali.

Në Lushnje u mblodh Kongresi Historik me të njëjtin emër që  hodhi themelet e shtetit të ri shqiptar dhe vendosi Tiranën kryeqytet. Edhe Fan Noli dhe Kryengritja antizogiste e vitit 1935 në Fier pati për protagonistë myzeqarët që u grumbulluan rreth Heroi të Popullit, Riza Cerova.1-MANASTIRI-I-ARDENICES

Myzeqarët të udhëhequr nga Fronti Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Partia Komuniste e treguan edhe njëherë veten. Ata në fund të vitit 1942 krijuan Çetën e Parë partizane me 27 vetë dhe në 21 shtator të vitit 1943 formuan formacionin më të madh partizan në Shqipëri, Grupin Partizan të Myzeqesë së Lushnjes dhe të parin grup partizan në Qarkun e Berati me rreth 850 partizanë, formacioni i dytë më i madh në luftë pas Brigadës së Parë Sulmuese.

Bonifikimi i Myzeqesë në vitet 1945-1955 ka qenë një nga veprat më të mëdha të shtetit socialist  … Ujët e lumit hynte nga dera dhe dilte nga dritarja. U rindërtuan shtëpitë e djegura. U ndërtuan shtëpi të reja për të pastrehët. U hapën kurse kundër analfabetizmit, në fshatra e në qytet. Numri i nxënësve, që frekuentonin shkollat ishte i konsiderueshëm. U ndërtuan në të dy krahët e lumenjve argjinatura. U thanë kënetat – fole e malaries dhe e mushkonjave. Nga tharja e kënetës së Tërbufit u përfituan 12.000 ha tokë. Nga këneta e Mbrostarit u përfituan 6 mijë ha tokë. Nga pyjet e degraduara dhe moçalet në tërësi u përfituan 20.000 ha tokë. U shtua toka arë, krahasuam me para Çlirimin, me 8. 000 ha. U ndërtua sistemi kullues dhe ujitës i kanaleve. U ndërtuan 11 rezervuare, më i madhi prej të cilëve – ai i Thanës, që ujiste 60.000 ha tokë. U rritën rendimente në drithëra. Misri, nga 15 kv./ha arriti në 60 kv./ha, deri edhe 100 kv./ha. U arrit që toka të mbillej dy herë në vit. Në fshat nuk gjen më kasolle me kashtë si qëmoti. U krye elektrifikimi i plotë më 25 tetor 1970.

Myzeqeja, kjo pjesë nga më të bukurat e Shqipërisë vazhdimisht është kthyer në një metaforë pjellorie dhe mjerimi bashkë. Ajo ka qenë dhe mbetet hambari i Shqipërisë, krahina me shpirt të gjerë e me një butësi shpirtërore proverbiale që e gjen te çdo banor i saj.

 “Grunari i Madh” ose “Hambari” i Shqipërisë

f1_21-myzeqeja1340306173Myzeqeja ka qenë dhe mbetet hambari i Shqipërisë. Në mesjetë, sipas dokumenteve veneciane, e kanë quajtur “grunari madh”. Si pasojë e sundimit të çifligarëve, agallarëve dhe si rezultat i shesh luftimeve me të huajt, kjo fushë dhe popullsia e saj, ishin shumë të mjeruar. Mjafton të përmend faktin që në vitin 1938 nga 21200 ha tokë nën kulturë, që kishte rrethi i Lushnjes, nën juridiksionin e të cilit përfshihej edhe Libofsha, vetëm çifligarët zotëronin 11157 ha, ose 53% të të gjithë sipërfaqes. Reforma Agrare shpronësoi të gjithë çifligarët. Tapitë e para të tokës së përfituar nga Reforma agrare u ndanë në fshatin Gorre të Myzeqesë nga Gjeneral – Kolonel, Enver Hoxha, më 25 nëntor të vitit 1945. Reforma Agrare u ndau 5160 familjeve të varfra myzeqare 25000 ha tokë, duke realizuar kështu ëndrrat dhe përpjekjet e tyre shekullore për tokë.

Toponimi – onomastikë

Banorët autoktonë të Myzeqesë, historikisht kanë jetuar në dy anët e lumit Seman, duke përfshirë edhe dy brigjet e degës së tij, Devollit të dikurshëm, që kalonte pranë fshatrave të hershëm të Myzeqesë. Këto fshatra figurojnë edhe në regjistrimin e parë turk të vitit 1431, si: Zhelizhani – vend i gjelbër; Krutja (hirvati, Hrvatskoe); Shakuj –Sakul; Kamçishte-Gurishte; Gur- Kamenicë; Gradishtë- Qytezë; Grabjan – Gropë; Zharrnec – Vënd i ngrohtë; Lushnje – nga emri i fshatit Luznie, në Kosovë. Ka gjasa të jetë themeluar nga popullatat e zbritura nga veriu drejt Jugut; Divjakë – vend i egër; Babunjë – vend i burrneshave; Karavasta – Skelë karavelash; Barbullinjë – Shën Barbara; Karatoprak – Baltë e zezë; Golem – I madh; Çipllakë – Lakuriq; Vanar – Mal; Çermë – Ajër i freskët; Remas – Kamp fushimi romak; etj.

Myzeqarët sipas…

…Ismail Kadaresë63195

Ismail Kadareja në librin “Qyteti i Jugut” më 1967, pasi jetoi disa kohë në shumë fshatra të Myzeqesë, shkruan:

“…kujtdo që ka qenë në Myzeqe, i ka rënë në sy natyra e gjerë e këtyre njerëzve. Ata në përgjithësi janë shumë realistë, e shijojnë jetën me sytë e tyre e jo me sytë e konvecionalizmave të vjetra, shpesh të dëmshme, të së kaluarës. Për ta janë të huaja arroganca, brutaliteti, vaniteti, etja për t’u dukur, për t’u kapardisur, mania për t’u mburrur me gjëra që s’i kanë, llafet e kota. Myzeqari  ka punuar gjithë jetën, ai s’di ç’është parazitizmi, prandaj nga natyra ai është realist. Realizmin e tij, mungesën e paragjykimeve e të thashethemeve, disa e quajnë naivitet, duke mos kuptuar se këto cilësi janë cilësi të njeriut të së ardhmes”…

 

 

 

…Sami Frashëritsami-frashc3abri

Rilindësi ynë i madh, Sami Frashëri, në veprën e vet “Kamus – ul – Alam”, jep këtë karakteristikë për Myzeqenë:

“…Kur vërshojnë lumenjtë, ujërat e mbulojnë tokën dhe pjesën më të madhe të saj e transformojnë në liqen dhe verës ato ujëra sjellin malarien…Përveç kësaj, ujët, kur e ndërron shtratin e rrjedhjes, sjellë me vete rërë dhe zall dhe kështu e prish tokën në shumë vende. Prandaj sot për sot mbillet më shumë misër e të lashta të tjera. Tokat e Myzeqesë janë të përshtatshme edhe për oriz, pambuk e të tjera prodhime…Po të çeleshin edhe kanale për vaditje, Myzeqeja do të bëhej një Egjipt i vogël…Në gjithë fushën e Myzeqesë nuk gjenden gurë dhe për të bërë tulla e tjegulla nuk është kujdesur njeri, prandaj popullsia banon nëpër kasolle, që i ka bërë vetë prej kashte dhe kallami…”

Lalët, banorët e hershëm të Myzeqesë

Shtrati i lumit të vdekur vazhdoi deri në afërsi të Babunjës e Remasit dhe Karavastasë dhe derdhej në Adriatik. E gjithë kjo zonë nga vendasit quhej me emrin “Dheu i butë” ose “Balta e butë”. Banorët e kësaj treve janë quajtur “Lalë”. Lalët, si banorët më të hershëm të Myzeqesë, dallohen nga banorët e tjerë, që kanë zbritur gjatë periudhave të ndryshme historike në Myzeqe, kryesisht nga traditat e vjetra, që ruajnë ende: veshja karakteristike, e folura e butë, të kënduarit epiko-lirik, takia prej liri në formë konike, që është unikale në Shqipëri. Edhe emrave të vetë, ata u japin një karakter thellësisht zbutës, përkëdhelës, ashtu siç janë vetë, të urtë, të butë dhe paqësor. Emrat e tyre fetar u përkasin kalendarit Gregorian. Sepse janë të parët e këtij komuniteti, që në mesjetë, nuk iu nënshtruan dallgëve të asimilimit islamik. Fjala “lalë” ka dhe kuptimin e vet leksikor, të cilin e shpjegon rilindësi Vaso Pashë Shkodrani në studimin e vet “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Sipas tij, fjala “lalë” në gjuhën shqipe ka kuptimin e vëllait të madh. Në disa vende kjo fjalë nuk iu largua kuptimit të parë, pra, filloi të përdorej si emërtim për të treguar popullsinë që nuk u islamizua. Por ka edhe studiues të tjerë, që thonë se fjala “lalë” do të thotë “e lënë”, pra njerëz të braktisur, të lënë mënjanë, jashtë vëmendjes së të tjerëve. Sido që të jetë, emri “lalë” ka arritur deri në kohët e sotme si shprehje e një mesazhi besnikërie. Masa e lalëve (banorë ortodoksë) në përgjithësi përbënin pjesën më të madhe të popullsisë. Këta ndaheshin në dy pjesë: në bujq të shtetit, që ishin pa tokë dhe quheshin gjorçinarë (të gjorë, të mjerë!) dhe në bujq beu, të cilët nuk kishin tokë dhe shtëpinë e kishin pa oxhak, pa dritare, pa oborr, pa portë se nuk i linte beu, i cili mbështetej nga ligjet turke. Për fat të keq kjo zgjati deri në kohën e mbretit Zog.  Vetëm Lufta Nacional-Çlirimtare, e udhëhequr nga komunistët bëri të mundur të zhduk këto ligje raciste, t’u jap tokë, arsim, kulturë dhe dinjitet kësaj popullsie, të denigruar.

 

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *