Thuhet se ndër shenjat e afrimit të fundit të botës, është rritja e arsimimit por dhe njëherësh i injorancës mes njerëzve. Dhe më açik se në Shqipëri, kjo dukuri nuk është asgjëkundi. Sipas një të dhëne të fundit, nga universitetet tona jepen çdo vit rreth 1500 tituj doktor. E fjala vjen, ndaj kemi sot doktor Berishën, tek i cili puqen si profesioni e si titulli, por kemi dhe doktor Xhelal Mziun në krah tij, edhe politikisht gjithashtu. Ky fenomen, është dhe shprehje e informalitetit që nuk ka lënë qelizë të shoqërisë pa e infektuar. Po, jemi krejt një shoqëri informale në çdo gjë. Dhe kjo tregon shkallën e zullumit në këtë vend, që nuk ke ku ta kapësh më parë. Çdo popull ka kaluar e kalon faza të vështira ekzistence e zhvillimi. Ka çështje të cilat avancojnë por ka dhe që ngecin; ka krizë në një drejtim, por ka zhvillim në drejtime të tjera. Nuk ka nevojë të shkojmë larg, mjaftojnë fqinjë si Mali i zi apo Maqedonia. Edhe ata në fazë tranzicioni janë gjithë këto vite, por nuk kanë arritur kuotat tona të krizës në çdo zë, në gjithçka. Përshembull, nuk kanë probleme të mprehta me territorin, me lëvizjen demografike, me administrimin e resurseve natyrore dhe në shprishjen e raportit të shtetasve me ligjin. Nuk është bërë masakër mbi pronat, e as më rendin e sigurinë nuk përjetojnë faza akute. Dhe ta mendosh se sa doktorë kanë kontribuuar që të mbërrijmë në këtë pikë…vdekjeje klinike. Ta ç`doktorizosh këtë popull, është reformë mbi reformat.
Email në adresën
