Meqë nuk kam mundësi të shkoj në jug të vendit, pasi mendoj se në këtë periudhë çmimet atje janë shumë të kripura për xhepin tim, jam ndalur në disa plazhe më afër Tiranës, në Adriatik.
Këtë të diel vendosa të shkoj në një nga destinacionet për të cilin kisha dëgjuar shpesh të flitej si një vend i virgjër, me bregdet të pastër dhe me natyrë fantastike. Është Kallmi.
Futem si fillim në internet, shoh fotot. – Uau, thash me vete, e paskam patur kaq afër Amalfi Coast dhe nuk kam shkuar ende!?
Nisem e filloj t’i flas në heshtje: i ke kaq afër këto perla dhe nuk shkon. Ankohesh ti dhe të tjerë për turizëm!? Luaj këmbët dhe zbulo vende të reja, në këtë formë argëtohesh, por edhe njeh vendin tënd.
Për 40 minuta isha në Durrës.
Ky qytet ishte ende në ndërtim. Ka kaq vite që të ngjan me një kantier. Ndonjëherë më duket sikur porti është futur në qendër të qytetit: rrëmujë, makineri dhe tek tuk ndonjë që punon.
Edhe në periudhën Bizantine duhet të ketë qenë më i organizuar ky qytet.
Tabela në rrugë që të tregojnë një drejtim, një lagje të caktuar? -Sa shumë kërkoj dhe unë, kjo pra është aventura. Këtë pëlqejnë turistët, thonë ekspertët. Shijoje- mendova me vete.
Ndoshta tabelat i kanë lënë t’i vendosin pasi të kenë përfunduar punimet. Ndoshta!
Nejse, unë e kisha ndarë mendjen: o të shkoja në Kallm, o s’ka!
Diku më kapi syri një Bar Teuta…Me erdhi në mendje mbretëresha, statura e saj, luftërat… sa shumë gjurmë ia kanë varrosur asaj dhe pasardhësve të saj!?
Misioni im ishte të gjeja Kallmin!
Me të pyetur, e gjeta.
Rruga që të çonte për atje do të ishte më mirë të bëhej si në kohën e Teutës, me kalë!
Nga lartë më dukej sikur isha jashtë shtetit. Një copë plazhi pranë një kodre të gjelbëruar. Disa shkëmbinj që thyenin dallgët pranë bregut dhe disa mjete lundruese që ishin ankoruar aty pranë.
Dakord, pavarësisht rrugës dhe mungesës së sinjalistikës, ia vlen-i thashë vetes.
Ndoshta ne kështu e duam. Rruga e mirë na prish punë!
Pas një kafe që e piva pranë një lokali, i cili ma mbushi filxhanin plot me tallash, pasi ende nuk i kishte përfunduar punimet, vendosa të zë një çadër.
Sapo afrohem pranë shezlloneve, më shfaqen: bidona, tapa, shapka, kanoçe, drunj, leshterik…
Çfarë bregu!? Nëse merrje mundimin të shkoje nga çadra në det, nuk e bëje dot pa veshur një palë shapka. Edhe kjo duhet të ishte pjesë e atraksionit?! Bregu ishte i mbushur plotë me mbeturina. Përveç bukurisë natyrore, njeriu ose kishte shkatërruar, ose nuk kishte ndihmuar që ky plazh të përmirësohej. E thënë ndryshe aty nuk mund të bëje dot plazh. Leshteriku e kishte pushtuar Kallmin.
Mund të ngre një mijë pyetje për këtë. Mund të them se përse nuk i kushton vëmendje Bashkia e qytetit kësaj zone, duke ndërtuar rrugën, duke pastruar plazhin, por duke parë se çfarë ka ndodhur me gjithë vijën bregdetare të Durrësit dhe jo vetëm me atë pjesë them se leshteriku na ka mbytur të gjithëve. E. Resuli/Dita


Nje shkrim qe kam dashur ta lexoj prej kohesh. Fleminderit E.Resuli
Shkrimi i mrekullushem
Po mos harro shqiptari si iriqi,Ne ferre e ka qetesine,shpirtin.
Po u kujdes bashkia e Gjushit do ta mbushe plazhin me beton e kulla kaladibrance.
Qellimi i politikaneve te sotem eshte vjedhja e tenderave. Sigurisht nuk eshte permiresimi i administrimit te qyteteve.
Po ta shikosh ne kete prizem, kupton tablone.