Është e dhimbshme të shikosh “gra politikanësh” me fustanet firmato, takat e shndritshme dhe xhevahiret e shtrenjta ndërkohë që pasqyra jonë tregon një Shqipëri me rrecka të grisura, që zvarriten dhe fshijne tokën e ndotur. Kur klithmat e qytetarisë mbeten vetëm klithma, kur liria është vetëm iluzion, kur drejtësia i ngjan një njeriu buzë greminës, kur mendimet e vërteta ndrydhen dhe shtypen, ka vetëm një shpresë: Të marrësh fatin tënd në dorë. Vetëm vota masive, gjithëpërfshirëse kundër së keqes, na shpëton nga “llogaritë” me mandate plus e minus që bën pazarxhiu vrasës. Qeverisja e gjithë këtyre viteve na ka induktuar një perceptim të trishtë për veten dhe vendin. Sa herë kemi nxirë gishtat nëpër qëndrat e votimit aq herë kemi nxirë edhe jetët tona. Por ç’do fushatë, ç’do zgjedhje zgjojnë edhe një herë vizionin për të ndryshuar. Dhe jetojmë në një vend ku ndryshimi është po aq i nevojshmëm sa edhe uji në shkretëtirë. Duhet ta gjejmë vrullin shpirtëror, pas gjumit letargjik, të pastrojmë vendin, rrugët, institucionet, drejtësinë, vetëdijen publike nga poshtërimi që sjell kjo situatë.
Email nga adresa: [email protected]