Presidenti i Partizani Gazmend Demi, ka folur për aktet e dhunës në derbin Tirana Partizani ku u godit drejtori i përgjithshëm Dritan Dervishi dhe një person tjetër i stafit që shihet edhe në videot e publikuara nga televizione të ndryshme.
Në fjalën e tij në emisionin “Rubrika Sportive” që transmetohet në TVSH, Demi u shpreh i zhgënjyer nga dhuna e ushtruar, e cila sipas tij është ushtruar nga rrugeçër, e jo nga drejtues.
“Jam i zhgënjyer nga dhuna e këtyre rrugaçëve. Unë nuk e kuptoj dot. Jemi të tradhëtuar pasi u goditëm në shtëpinë ku ishim mysafirë, dhe tradita shqiptare nuk e njeh një gjë të tillë.Unë mund të kuptoj tifozët kur shahen, por jo dhunën që vjen nga drejtuesit e Tiranës. Këta nuk janë drejtues këta janë rrugaçë”.
Demi e cilëson dhunën e ushtruar si një turp të madh, ndërkohë që “topin” ja kalon federatës dhe drejtësisë shqiptare për të vepruar pasi pamjet tregojnë më së miri gjithçka.
“Ky është turp i madh. Ky është turp edhe për Shqipërinë. Unë nuk dorëzohem. Më vjen keq që ndodhin këto incidente ordinere që prishin imazhin e futbollit tonë. Unë jam presidenti më i ri i Superligës. Po shikoj se si funksionojnë gjerat. Me FSHF do të ndalem. Unë nuk kam çfarë të denoncoj pasi FSHF dhe drejtësia i kanë pamjet dhe ato janë bërë publike”.
