Me lojën e tyre rreken të fyejnë intelektin e një populli të tërë, ta quajnë atë me memorie të fshirë, ta konsiderojnë defiçent e njëkohësisht, duke luajtur shpesh të trimëruarin, t’i mbushin mendjen vetes se për ta nuk ka ndëshkueshmëri, se ajo që kanë bërë në më shumë se dy dekada, ka qenë thjesht një lojë kalamajsh.
Po u kujtojmë disa nga bëmat e gjëmat duke filluar nga viti i mbrapshtë 1996. Më 26 maj, me SHIK e polici, shkeli gazin në dërrasë, përlau kutitë e votimit në krah e vende – vende doli mbi njëqind përqind. Dy ditë më pas, më 28 maj, na “përkëdheli” me shkopinjtë e gomës, qytat e automatikëve.
Ata dinin të luanin dhe më rëndshëm, edhe me para të thata, “të pastra”. Kishin ngritur me rërë piramidat, në të cilat të thonin se paratë shtoheshin si me magji. Por thesi i shpuar u ça. Paratë e njerëzisë i përpiu dheu. Arkitektët e piramidave nuk gjenin vrimë të futeshin. Kompetenti u fsheh pas fustanit të Sudes. Të tjerë hëngrën prasin, pikërisht në vendin e të urtëve në Lushnje. “Duam paratë tona”, – gjëmonte njerëzia. “Paratë e satëme” gërmëzonte nën dhëmbë kryearkitekti, ideatori, kompetenti, ujku pa dhëmbë.
Njerëzia vuri përpara arkitektët, por ata përdorën kundër popullit të vet, “lodrat e tyre” të preferuara si pushkë, mitralozë, top, avionë, helme, mobilizuan Veriun kundër Jugut, paguan mercenarë me paratë e firmave, qëlluan pa mëshirë.
Një vit më vonë, në shtatorin e 1998-ës menduan të bëjnë “një lojë” tjetër, të ktheheshin në pushtetin që e kishin humbur. Pasi hodhën në mes rrugës arkivolin e atij me të cilin bëjnë sikur “krenohen”, por dalngadalë po vetëzbulohen, bënë yxhym mbi të gjitha institucionet, u ngrefosën, shpallën fitoren, që nuk duan ta quajnë grusht shteti, fitore që rezultoi të jetë si e Pirros.
Iknin vitet e ata po njësoj. Mendja u punonte ditë-natë se si të vidhnin, të gllabëronin prona, të pasuroheshin skajshmërisht mbi djersën e populllit të mjeruar e varfëruar deri në kockë. Shqipërinë e të gjithëve nuk nguruan ta quajnë pronë të tyre , të cilën mund ta shesësh kur e si të duash, në Maliq apo Fazlliq. E çfarë nuk shitën! Toka, miniera, krom e naftë, ujra, dete, ndërrmarrje, institucione, reparte ushtarake, ç’u zinte syri, si në mall të babait. Dora e hajnit u shtri si metastazat e kancerit kudo: në shkolla, spitale, rrugë, ujësjellësa, kanalizime, privatizime, armatime.
Dhe harami dikur plasi. 26 të pafajshëm, viktima të babëzisë së pangopur qeveritare në Gërdec, qindra të plagosur, një trevë të zhbërë tërësisht. Por u bënë sup më sup, lëshuan frerët e egërsisë për të përlarë këdo që u dilte përpara. Janë verbuar në theqafjen e tyre.
21 janari, që vazhdon të endet dyerve të gjykatave sikur të kishte ndodhur 2000 vjet më parë e jo ditën për diell të një dimri të acartë të para tre viteve, nxorri sërish në pah natyrën fashistoide të këtyre që qahen sot si “opozitë”. Të papërkulur në kafshërinë e tyre rendën ta hedhin fajin mbi viktimat dhe mbi “horrat dhe laviret e bulevardit”.
Sot ankohen se po i ngasin. Fabula e deles që i turbullonte ujin ujkut, është më se aktuale për këtë lukuni të pangopurish.
Letër e nënshkruar
Petrit Zili
