Holanda, një nga pesë vendet refuzuese të statusit për Shqipërinë, ka spikatur në arenën ndërkombëtare për traditën e saj multikulturore dhe tolerante. Këto tendenca identifikuese të shtetit dhe shoqërisë holandeze, njohën një ekspozim të rëndësishëm, sidomos përgjatë valëve të mëdha të imigracionit, në vitet ’50-’60. Ndjekja në vitet në vazhdim e filozofisë shtetërore, gjithëpërfshirëse, krijoi edhe mundësinë e hartimit të politikave integruese përgjatë viteve ’90.
Kjo kulturë tolerance dhe shumë-kulturore, ka përbërë një nga faktorët dominues, që ka ndikuar në pasjen e një spektri politik nacionalist të dobët dhe me jetë relativisht të shkurtër elektorale. Një sërë partish nacionaliste të krahut të djathtë, do të dështonin në iniciativat e tyre politike, duke u përballur edhe me akuza ligjore për racizëm dhe diskriminim.
Më 1960, “Partia e Fermerëve”, dështoi në artikulimin e një ideologjie koherente. Partia “Unioni i Popullit Holandez”, e krijuar më 1971, vetëm në 1977 arriti të fitonte një vend në parlament. Por, ndërsa linja ekstremiste e partisë ashpërsohet drejt ksenofobisë dhe racizmit, Gjykata e Hagës ndalon aktivitetin e saj duke e konsideruar, se binte ndesh me moralin dhe rendin publik. Një tjetër parti e quajtur “Partia e Qendrës”, arrin më 1982, të fitojë një vend në parlament, por edhe kjo parti do të përballet me akuza ligjore për racizëm dhe diskriminim, pas protestave të fuqishme popullore. Më 1985, një tjetër parti e quajtur “Demokratët e Qendrës”, e fokusuar mbi imigrantët, minoritetet etnike dhe refuzimin e hapur të shoqërisë multikulturaliste, arrin të fitojë një vend në parlament, vetëm katër vite më vonë, më 1989. Por, pas vitit ’94 edhe kjo parti, fillon të humbasë gradualisht terrenin elektoral, duke shkuar drejt dështimit politik.
Mos rezistimi në kohë i jetës elektorale të këtyre partive nacionaliste, përtej faktorit kryesor ndikues të traditës tolerante dhe multikulturore të shtetit dhe shoqërisë holandeze, njeh gjithashtu edhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm, që kanë ushtruar influencën e tyre. Një ndër to, vlerësohet të jetë edhe prosperiteti dhe sigurimi social i klasës punëtore dhe i të papunëve, të cilët formojnë elektoratin potencial të partive ekstremiste në shoqërinë post-industriale. Si edhe, paaftësia e liderëve politike, për të mbajtur të palëvizshëm elektoratin e tyre.
Rishfaqja e Neo-Nacionalizmit
Vitet dymijë, do të karakterizohen nga një rishfaqje politike e formave të pastra të një nacionalizmi të ri, i cili do të zgjerojë terrenin e tij elektoral, i ndihmuar nga një sërë ngjarjesh që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik holandez dhe që përfshijnë në vetvete edhe elementë fetarë.
Pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, që patën një jehonë të gjerë edhe në opinion publik holandez, Holanda përjeton atë çka konsiderohet si “11 shtatori” i saj. Politikani Pim Fortuyn, një profesor i njohur për publikun, i cili mbronte politikat kundër imigracionit dhe kundër fesë islame, duke kërkuar deri mbyllje të kufijve, dhe gjithashtu një homoseksual i deklaruar, ekzekutohet gjatë fushatës elektorale për motive fetare.
Partia e Pim Fortuyn, një parti e ekstremit të djathtë, kishte arritur të thithte 20 përqind të elektoratit. Ideologjia partiake bazohej në anti-multikulturalizëm, racizëm dhe anti-islam. Vrasja e tij tronditi opinionin publik, pasi në perceptimin e njerëzve Foruyn, u ekzekutua vetëm sepse guxoi të thoshte publikisht, atë që e mendojnë të gjithë.
Dy vite më vonë, më 2004, një tjetër ngjarje, do të tërhiqte sërish vëmendjen e opinionit publik holandez, vrasja për arsye fetare e regjisorit Theo Van Gogh, nga një mysliman fondamentalist. Van Gogh, sapo kishte nxjerrë filmin e tij “Submission” (Nënshtrimi), ku kritikonte trajtimin e grave në Islam.
Këto ngjarje të perceptuara gjerësisht në publik, si dhunë ndaj shprehjes së lirë të mendimit, dhe shfaqje e karakteristikave anti-moderne islame, të shoqërizuar gjithashtu me retorikën politike, vlerësohen të kenë kontribuuar në vazhdimësi në krijimin e një identiteti polarizues të shoqërisë, të ravijëzuar në mysliman dhe jo mysliman.
Geert Wilders dhe Partia për Lirinë (PVV)
Pas ekzekutimit të Fortuyn, linja ideologjike e partisë së tij, përthithet nga një tjetër nacionalist, Geert Wilders. Pas largimit nga partia e tij VVD (Partia e popullit për Liri dhe Demokraci) më 2004, për arsye se ajo mbështeste perspektivën e Turqisë për anëtarësim në BE, Wilders krijon partinë e tij “ Partia për Lirinë”, (PVV). PVV me daljen e saj në skenë, fillon adoptimin e politikave me fokus mbi imigracionin dhe drejtësinë.
Wilders, arrin gradualisht të thithë më shumë se 20% të elektoratit, duke përfshirë edhe elektoratin e Fortuyn. Agjenda e tij partiake përfshin: promovimin e kulturës judo-kristiane si kulturë dominuese në Holandë, e cila duhet të përthithet nga emigrantët; ndalimi i Kuranit, i xhamive në zonat urbane, i shkollave islamike dhe mbështetjes financiare të huaj për xhamitë; tërheqjen e Holandës nga BE, nga Marrëveshja Shengen, nga Eurozona dhe nga ESM (Mekanizmi Evropian i Stabilitetit); ndalimi i Turqisë për anëtarësim në BE dhe dalja e Turqisë nga NATO; përforcimi i legjislacionit për ruajtjen e komunitetit LGTB dhe i çifutëve (sidomos nga islamistët), etj.
Agjenda partiake dhe deklaratat e tij të forta publike, kundër imigracionit, kundër fesë islame si edhe kundër anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, kanë tërhequr vëmendjen kombëtare dhe ndërkombëtare. Më 2008, Wilders publikon filmin e tij anti-islam ‘Fitna’ ku përpiqet të lidhë aktet terroriste të kryera, me frymëzimin e vargjeve nga Kurani. Filmi argumenton se, si janë të lidhura gjithashtu aktet antisemite, aktet kundër homoseksualëve dhe dhuna ndaj femrave, me Islamin.. Në shtator të po këtij viti 2009, Wilders, propozon vendosjen e taksave për gratë myslimane, që mbulojnë trupin dhe fytyrën e tyre. Që prej vitit 2004, Wilders është nën mbrojtjen e forcave policore, pas kërcënimeve të shumta që ka marrë.
PVV, zgjeron gradualisht terrenin e saj elektoral, duke u rritur në përqindje pas çdo zgjedhje që njeh vendi. Gjatë zgjedhjeve të 2006-s, PVV arrin të fitojë 9 deputetë, duke u bërë partia e pestë në vend. Gjatë zgjedhjeve evropiane të 2009-s, PVV merr 16,9% të votave, duke fituar 4 deputetë nga 25 që ka Holanda në Parlamentin Europian. Në zgjedhjet lokale të 2010-s, ku mori pjesë vetëm në dy qytete, fiton kryesimin në Almere dhe vendin e dytë në Hagë, në një fushatë ku tema dominuese ishte “lufta lundër islamizimit të Holandës”.
Zgjedhjet legjislative të po atij viti 2010, njohën suksesin më të madh, duke kaluar nga 9 në 25 deputetë dhe duke u shndërruar në forcën e tretë politike në vend. Ndonëse nuk dëshironte të merrte pjesë në qeveri, PVV ishte faktori mbështetës i saj, duke ndikuar në këtë mënyrë edhe në imponimin qeveritar për zbatim të politikave partiake, që i krijonte fuqia e votave.
Zgjedhjet e parakohshme të provokuara nga PVV, duke mos mbështetur më politikat qeveritare, shkaktojnë edhe humbje për vetë partinë, duke bërë kalimin e saj në opozitë. Aktualisht PVV ka 24 deputetë nga 150 në Dhomën e Përfaqësuesve, 10 vende nga 75 në Senat dhe 4 deputetë nga 25 në Parlamentin Europian.
Ndonëse ligji për financimin e partive në Holandë, lejon mbështetjen shtetërore, PVV e ka refuzuar atë, me argumentin se qytetarët nuk duhet të paguajnë për partitë që nuk i mbështesin. Burimet financiare të PVV-së, nuk janë të njohura për publikun, por sipas anëtarit të larguar nga PVV, Brinkman, partia sponsorizohet nga grupe të huaja lobiste me qendër në SHBA. Reuters, konfirmon gjithashtu të njëjtën linjë, se financimet vijnë kryesisht nga grupe neokonservatore amerikane, si Think Tank-u proizraelit “Middle East Forum” i drejtuar nga Daniel Pipes, nga grupe konservatore me bazë në Los-Angeles, që drejtohen nga David Horowitz, dhe nga një grup i drejtuar nga Pamela Geller i quajtur “Stop Islamizimit të Amerikës”. Wilders, është i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Izraelin dhe ka punuar për disa vite në kompani të ndryshme në Izrael.
Zgjedhjet evropiane, maj 2014
Fushata zgjedhore ka filluar dhe sondazhet paraprake të zhvilluara deri në këto momente, tregojnë një epërsi kryesimi të “Partisë për Lirinë” të Wilders. Zgjedhjet evropiane të majit 2014 në Holandë, do të paraprihen nga zgjedhjet lokale të 19 marsit 2014 dhe tendenca renditëse në këto zgjedhje, duket se do të paraprijë klasifikimin evropian.
Vetëm disa ditë më parë, Wilders prezantoi publikisht konkluzionet e një raporti të titulluar NEXIT (Netherland-Exit), publikim i “Capital Economics”, i cili vlerëson impaktin ekonomik të Holandës, në rast se vendos daljen nga BE. Sipas argumentimit të Wilders, bazuar në këtë raport, dalja e vendit nga BE, do t’i rikthejë Holandës sovranitetin kombëtar, do të gjenerojë ekonominë dhe do t’i ofrojë Holandës, një rrugë për të dalë nga kriza. Raporti përveçse ofron një panoramë optimiste të shkëputjes së vendit nga BE, ofron gjithashtu dhe modelet e mundshme për të ndjekur, si ai norvegjez dhe zviceran. Por, raporti gjithsesi, ka pasur një oponencë të gjerë, në lidhje me objektivitetin e metodave të përdorura në të.
Ndonëse sondazhet paraprake, rendisin në krye të listës partinë e Wilders, sondazhet e kryera me fokus mbi daljen apo qëndrimin e vendit në BE, favorizojnë ndjeshëm qëndrimin e vendit në BE. Në këtë linjë qëndrojnë dhe preferencat e partive të tjera kryesore në Holandë, të cilat refuzojnë idenë e daljes nga anëtarësimi në BE. Sipas tyre, lënia e eurozonës do të thotë një krizë e re financiare për Holandën, duke marrë parasysh faktin, se ekonomia është gjerësisht e varur nga tregtia.
Nëse rezultatet do të konfirmojnë PVV-në fituese, apo edhe renditjen e saj në vend të dytë, të dy opsionet, do të kenë ndikim të rëndësishëm në jetën politike të vendit. Si edhe gjatë periudhës 2010-2012, kur partia nacionaliste e Wilders mbështeste qeverinë pa marrë pjesë në të, por duke imponuar politikat e saj, duke shkaktuar më vonë edhe rrëzimin e qeverisë, ndikimi i tij do të jetë i konsiderueshëm edhe pas këtyre zgjedhjeve. Qeverisë do t’i duhet të adoptojë në politikat e saj një qëndrim më euroskeptik ndaj BE-së, si edhe më nacionalist, për të ripozicionuar vetveten përballë elektoratit të saj. Efektet fituese të politikave nacionaliste të Wilders, do të ushtrojnë influencën e tyre në vazhdimësi, në jetën politike në vend, duke ndikuar në ndryshimin e vazhdueshëm të trajektores euroskeptike dhe nacionaliste.(im.ta)