Naço: Drafti për reformën në drejtësi sjell luftën ndaj korrupsionit

Saimir Lleshi

Delegacioni i lartë i Raporterëve të Komisionit të Venecias që ndodhen në Tiranë kanë zhvilluar një takim edhe me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. Ata kanë ardhur në Shqipëri për të dhënë opinionin e tyre mbi draft amendamentet e ndryshimeve kushtetuese, të hartuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, pranë Komisionit të Posaçëm për reformën në Drejtësi.

Gjatë takimit, Naço ka vlerësuar kontributin e Komisionit të Venecias, duke e cilësuar ekpertizën e këtij institucioni të një niveli të lartë si dhe një garanci për një reformë të orientuar drejt BE-së.

“Që në nisjen e mandatit tim si ministër, rolin e Komisionit të Venecias e kam vlerësuar si mjaft të rëndësishëm dhe e kam ftuar këtë institucion të na asistojë në rrugën tonë të reformimit të sistemit. Drafti i paraqitur pranë jush është i fokusuar në marrjen e masave për çrrënjosjen e korrupsionit ndërkohë që realizimi i gjithë këtyre ndryshimeve do të na sjelli pashmangashmërisht një sistem drejtësie të pavarur, transparent, të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha të denjë për t’i shërbyer qytetarëve të vendit tonë dhe të gëzojë besimin e tyre”, u shpreh Naço

Z. Naço i informoi raporterët e Komisionit të Venecias se së shpejti është në plan realizimi i një axhende konsultimesh për diskutimin e draftit, ku do të jenë të ftuar të gjithë aktorët e sistemit për të marrë prej tyre komente mbi këtë draft.

Në përfundim të takimit, kreu i drejtësisë shqiptare u shpreh se qeveria i mirëpret opinionet e Komisionit të Venecias për draftin e paraqitur, me qëllim përmirësimin e tij, duke vlerësuar se ky opinion është garanti kryesor për një sistem të reformuar sipas standardeve të BE-së. /Dita/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *