Naço: KLD-ja, gangrena e sistemit të drejtësisë

anazapta

KLD merr vendime në shkelje të ligjit dhe është kthyer në gangrenën e sistemit të drejtësisë. Një ditë pasi Ministria e Drejtësisë reagoi me anë të një deklarate lidhur me emërimin nga KLD të katër gjyqtarëve  në Gjykatën e Tiranës, vetë ministri Nasip Naço e cilëson këtë një rast flagrant të shkeljes së ligjit.

Në një prononcim për News 24, Naço u shpreh se KLD po ndjek një axhendë personale, duke bërë emërime selektive nën ndikim politik.

“Nuk është rasti i parë që KLD e shkel ligjin, ndjek axhendë personale. Rasti djeshëm është flagrante, pasi kisha lajmëruar që nuk do isha. Dhe seanca nuk e shtyu mbledhjen, dhe presidenti nuk ishte në mbledhje. Muaj më parë në kabinete politike ishin përfshirë ata persona që janë prezantuar për vendet vakantë në gjykata. Prej disa muajsh nuk marrin pagat gjyqtarët në Lushnje, të cilët po denigrohen. Në rastin e djeshëm, duket qartë axhenda personale e KLD dhe po emëron në mënyrë selektive”, tha Naço.

Ministri u shpreh se KLD nuk është treguar bashkëpunuese dhe ka pasur mungesë transparence.
“Ky është një turp tjetër i KLD, pasi kam kërkuar shumë herë që të bashkëpunojmë. Si ministër i kam propozuar të shpallen vendet vakantë. KLD ka pasur synim të emëroj gjyqtarët në Tiranë e jo në rrethe. Që nga muaj shtator kam kërkuar bashkëpunim. Por KLD ka emëruar ata gjyqtar që ka dashur vetë. Nuk mund të bëhemi pjesë e BE nëse nuk respektohet ligji. Nuk ka transparencë nga ana e KLD, këtë gjë e vërtetojnë dhe ankesat e qytetarëve. Mjafton t’u them faktin e Gjykatës së Lushnjës, e cila nuk merr pagën. Ndërkombëtarët tashmë e kanë kuptuar, edhe vetë qytetarët”, tha ai.

***

Ministria e Drejtësisë: KLD jashtë kontrollit, duhet ndërhyrja e Kuvendit

30 qershor – Ministria e Drejtësisë akuzon Këshillin e Lartë të Drejtësisë se ka dalë jashtë kontrollit. Në një reagim të Ministrisë së Drejtësisë thuhet se KLD merr vendime në kundërshtim me ligjin dhe  nën ndikim politik.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë mbledhjes së sotme vijoi të shkelë ligjin me marrjen e një vendimi që përmbyll një proces të nisur në mënyrë të kundërligjshëm. Ky proces i kundraligjshëm nisi që me shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe përfundoi me votimin e ditës së sotme që përveç se është në kundërshtim me ligjin, mbetet edhe i ndikuar politikisht, përsa kohë që u konfirmuan si kandidatura fituese njerëz që kanë shërbyer në funksione politike”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në mënyrë të veçantë, Ministria e Drejtësisë ndalet në rastin e Gjykatës së Lushnjës, ku gjyqtarët po bëjnë 200 ditë që nuk kanë marrë rrogën:

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë tregoi me vendimin e sotëm se është i paaftë dhe inefiçent, në një kohë që prej dy vitesh nuk arrin të përmbylli procesin e riorganizimit të gjykatave, dhe nuk arrin as të zbatojë dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 7818 datë 16.11.2012 “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit”.

“Pasojë e kësaj mungese efiçence është fakti se në Gjykatën e Lushnjës prej më shumë se 200 ditësh, vijon një situatë absurde dhe e paligjshme, ky gjyqtarët nuk paguhen për detyrën që kryejnë. Rasti në Gjykatën e Lushnjës përbën një situatë të papranueshme dhe është tregues i qartë i mungesës së aftësisë dhe vullnetit të KLD-së, e cila mund të përbëjë një premisë të rrezikshme për veprime korruptive”, shprehet ministria.

Ajo ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të Kuvendit në lidhje me situatën e krijuar në KLD.

“Në kushtet e moskryerjes së detyrave funksionale, si dhe në vijimin e shkeljeve të ligjit nga ana e këtij këshilli, Ministria e Drejtësisë inkurajon Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendin që të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme për të ndaluar shkeljet flagrante të ligjit nga ky institucion”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *