Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, tha sot se korrupsioni në drejtësi mbetet një problem serioz, ndërsa forcimi i institucioneve të pavarura është domosdoshmëri.
Gjatë një analize të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Naço tha se perceptimi i publikut lidhur me gjykatat duhet ndryshuar.
“Gjykata e Tiranës është në fokus për shkak të perceptimit të publikut, duhet punë më e madhe për ndryshimin e mendimit. Vendimet gjyqësore duhen shpallur brenda afateve dhe duhet transparencë më e madhe, pasi është në nivel të ulët. Në portalin online të Ministrisë së Drejtësisë, ankesat për gjyqësorin janë të shumta. Duhet të forcojmë pavarësinë e institucioneve të pavarura në vendin tonë”, theksoi Naço.
Nënkryetari i KLD, Elvis Çefa, gjykata nuk duhet të përdoret si taktikë mbrojtjeje nga palët në proceset gjyqësore.
“Gjykata e Tiranës është mjaft e rëndësishme. Publiku nuk ka besim tek drejtësia, por duhet punuar për ta ndryshuar këtë gjë. Publiku ka nevojë për transparencë prandaj dhe duhet përmirësuar mënyra e drejtimit të një procesi gjyqësor. Gjykata nuk duhet të përdoret si taktikë mbrojtjeje nga palët në proceset gjyqësore”, tha ai.
Kryetari i Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj, ka kërkuar rritje të numrit të gjyqtarëve dhe të personelit. Ai tha se në Gjykatën e Tiranës vijon të jetë problem mungesa e sallave të gjyqit.
“Është bërë punë e mirë për të plotësuar kushtet e infrastrukturës e sigurisë në gjykatë. Publiku ka akses të plotë në punën e institucionit”, u shpreh ai.
