Naço në Mal të Zi: Shqipëria, jo strehë e individëve që mbështesin terrorizmin

redaktor

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka marrë pjesë në punimet e Ministerialit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi, një iniciativë e përbashkët mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë, ku janë diskutuar çështje të ndjeshme si lufta ndaj terrorizmit dhe parandalimi i financimit të tij, trafikimi i armëve etj.

Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Ministri Naço evidentoi masat e marra në luftën kundër fenomenit të terrorizmit, ndërsa theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar me partnerët e saj strategjikë dhe vendet fqinje kur është fjala për nisma dhe angazhime të përbashkëta rajonale, me qëllim kryesor ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale dhe globale. Ministri Naço theksoi se qeveria i qëndron të njëjtit vullnet të shprehur tashmë se Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet strehë e individëve që ndërmarrin veprime direkte apo mbështesin aktet terroriste.

“Kërcënimi nga terrorizmi, sidomos ai me bazë fetare, është real dhe strukturat tona, duhet të jenë në gatishmëri pro-aktive për të neutralizuar çdo shfaqje apo tendencë, me qëllim parësor parandalimin e akteve terroriste. Në këtë kuadër besoj se të gjithë jemi të mendimit që është e nevojshme marrja e masave legjislative të shoqëruara me ngritjen dhe mirëfunksionimin e strukturave të posaçme dhe sigurimi i kapaciteteve apo burimeve njerëzore të nevojshme”, u shpreh z. Naço. Në vijim të fjalës së tij, kreu i drejtësisë shqiptare bëri një prezantim të masave legjislative të ndërmarra nga qeveria shqiptare si dhe ka parashtruar risitë që sjellin disa nga ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit.

“Si rezultat i ndryshimeve apo plotësimeve ligjore që kemi realizuar, mund të themi se Shqipëria ka tashmë legjislacionin e nevojshëm në përputhje me angazhimet ndërkombëtare dhe detyrime të partneritetit të saj. Krahas masave legjislative autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë hapa të qenësishme për krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër terrorizmit, duke vlerësuar riskun lidhur me financimin e terrorizmit si dhe duke koordinuar bashkëpunimin ndërinstitucional”, theksoi Ministri Naço

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *