Naço shigjeton KLD-në dhe sqaron reformën në sistemin e drejtësisë

redaktor

Një debat i gjëra është duke u zhvilluar në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me besueshmërinë e publikut dhe me perceptimin për korrupsionin në këtë sistem. Ka një nismë për një ndryshim në organizimin e KLD-së dhe natyrisht ka presion të ndërkombëtarëve në mënyrë që sistemi i drejtësisë të vihet në baza të shëndosha dhe të funksionojë në mënyrë të pavarur. Për të diskutuar mbi këto çështje ishte i ftuar në Top Show ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.  
Alban Dudushi: Funksionimi i KLD-së ka qenë një nga shqetësimet tuaja që kur keni marrë detyrën. Në këtë sistem të drejtësisë për të cilin po flitet, KLD-ja është problemi?
Nasip Naço: Besoj që është një nga pjesët e problemit të sistemit të drejtësisë. Nëse KLD-ja do të zbatojë ligjin nuk do të ketë asnjë konflikt me Ministrin e Drejtësisë. Nga 2012, kolegu im Halimi ka dërguan për procedim disiplinor për 4 raste gjyqtarësh dhe akoma pas 700 ditësh nuk janë futur në rendin e ditës. Pas disa kërkesave nesër janë futur në rendin e ditës, kaq mjafton për ta kuptuar të gjithë se ku është problemi i KLD-së.

Është në shkelje të ligjit në këtë rast apo nuk parashikon afate?

Ligji nuk parashikon afat dhe me draftin e paraqitur ne kemi vendosur një afat prej një muaji që KLD është e detyruar që për procedime disiplinore të futen në rendin e ditës dhe të diskutohen. Vet mënyra e funksionimit të KLD-së nuk duhet të ishte në këtë gjendje. Në shtator 23 gjykata, nga 29, kryetarët ishin të komanduar dhe të deleguar. Ka një vendim të KLD-së të vitit 2008 që kryetarët e gjykatave mund të rrinë të komanduar deri në 3 muaj. KLD-ja ka një axhendë tjetër të ndryshme nga ligji. Që në ditët e para në këtë post kam kërkuar që të vendoseshin disa prioritete për mirë funksionimin e KLD-së, por nuk ka pasur reagim. Kam kërkuar emërimin e kryetarëve të gjykatave, kam kërkuar që gjyqtarët që ishin tepër sipas dekretit të Presidentit të transferoheshin në rrethe të tjera dhe kjo nuk është bërë. Në një apo dy gjykata gjyqtarët nuk marrin pagat prej disa muajsh. Kjo tregon qartë mungesë efiçencë dhe përgjegjshmërie të KLD-së.

Çdo njeri që shkel ligjin përgjigjet, kush përgjigjet në këtë rast?
KLD është një organ kolegjial dhe nismat tona nuk janë vetëm në KLD. Reformat tona do të jenë tërësore. Problem tjetër është inspektorati pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe ai pranë KLD-së ne kërkojmë që këto të harmonizohen me njëri tjetrin. I kam kërkuar Komisionit të Venecias që të japi asistencën e nevojshme në formimin e të gjithë sistemit gjyqësor. Mazhoranca e dalë në 23 qershor është tejet e konsoliduar dhe i ka të gjitha mundësitë që të bëjë të gjitha reformat dhe të ndryshojë të gjitha kodet. Ne kërkojmë që të gjitha reformat të bëhen më partnerët tanë ndërkombëtar. ‘Euralius 4’ do të vijë këto ditë në Shqipëri. Pranë Ministrisë së Drejtësisë është krijuar edhe një grup këshillimor me juristët më të mirë të vendit. Të gjitha këto grupe do të bëjnë të mundur të bëjnë një reformë që të jetë gjithëpërfshirëse dhe të shërbejë për vitet e ardhshme. Besoj që një nga arsyet që u votuam kishte të bënte më sistemin e drejtësisë “Transparency International” nga ka renditur në vendin e 116 në botë kjo tregon qartë perceptimin e publikut, por edhe të ndërkombëtarëve për rastet e korrupsionit në sistemin e drejtësisë.

Nuk përmendët opozitën, e cila është në një debat me ju dhe me qeverinë mbi këtë reformë.
Kemi parashikuar që pranë Kuvendit të ngrihet dhe një komision tjetër në të cilin do të gjejë vendin edhe opozita, shoqëria civile dhe të gjithë aktorët e mundshëm që duan të kontribuojnë në këtë reformim. Me opozitën ne ndahemi në një pikë, ajo kërkon taksën e sheshtë dhe ne taksën progresive dhe nuk besoj që ne do të gjejmë ndonjë emërues të përbashkët për këtë, por për reformat në drejtësi ne do të gjejmë edhe mbështetjen dhe përkrahjen e opozitës. Një pjesë të përgjegjësisë së këtij sistemi e ka edhe mazhoranca e djeshme dhe opozita e sotme dhe lidershipi i ri duhet të reflektojë në këtë drejtim.

Ju po tentoni të kontrolloni institucionet e pavarura dhe konkretisht sistemin e drejtësisë.

Këto janë zëra naiv. KLD përbëhet nga 15 anëtarë, ku 9 prej tyre zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore dhe në çdo rast mazhorancën në KLD e ka gjyqësori, prandaj themi që problemi kryesor është KLD-ja. Nëse nuk do të ketë interesa të anëtarëve të saj gjërat do të përmirësoheshin. Vitin e kaluar një anëtar i KLD është zgjedhur drejtori i shkollës së Magjistraturës, një anëtar tjetër është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë, Një tjetër është zgjedhur në Gjykatën e Apelit. Ligji për këto raste flet qartë se nuk duhet të promovohen anëtarët e KLD-së, por nëse promovohen 4 nga 15 anëtarë faktet flasin vetë se çfarë ndodh realisht .

Dhe kjo është një nga pikat që në ligjin për disa shtesa në ligjin për organizimin dhe funksionimin e KLD, ju e keni theksuar.
Po t’i referohesh ligjit për Konferencën Gjyqësore Kombëtare është e qartë, por anëtarët e KLD-së ndonjë herë bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe i referohen vetëm ligjit për KLD-në, prandaj ne kërkojmë që të futet edhe kjo dispozitë.

Si paraqitet situata në Gjykatën Administrative?
Kjo gjykatë ka filluar punë më 4 nëntor dhe e kam quajtur një revolucion në sistemin e drejtësisë. Menduam që me kohën t’i evitonim problemet administrative. Problemi kryesor këtu është se në disa gjykata si ajo e Gjirokastrës, Vlorës, Korçës dhe Shkodrës nuk është plotësuar numri i gjyqtarëve për shkak të efiçencës në KLD.

Keni deklaruar se nuk e ka prioritet KLD.
Vitin e fundit janë lëvizur rreth 100 gjyqtarë. Po këtë anëtarë një vit më parë e kanë quajtur riorganizim, këtë vit nuk e quajnë. Kam bërë prezent çfarë ka ndodhur në KLD. Nëse do të ketë vullnet brenda një ose dy ditësh kjo mund të zgjidhet. Kërkesa minimale që kam është që KLD të zbatojë vetëm ligjin dhe kjo gjykatë më pas do të ishte revolucion. Gjykata e Lartë ka 3 kolegje ku 10 mijë çështje presin të gjykohen sepse i tillë është sistemi. Shumë shpejt Ministria e Drejtësisë së bashku me misionin “Sigma” ka përgatitur dhe pret që të miratohet në Parlament Kodin e Procedurës Administrative dhe kjo do të jetë një histori suksesi që do t’i vijë në ndihmë qytetarëve dhe administratës publike.

Një nga debatet e hapura që keni patur me KLD-në ka qenë emërimi i magjistratëve të rinj, si ka lëvizur kjo histori?

Është histori suksesi emërimi i magjistratëve dhe shkolla e magjistraturës, e cila prej vitit 1998 vazhdon të fusë në sistemin e drejtësisë rreth 150 gjyqtarë dhe prokurorë. Në futëm portalin anti-korrupsion dhe ka pasur mbi 700 ankesa, kjo tregon besimin që kanë filluar të kenë qytetarët te qeverisja e tyre. 14 raste ne ja kemi adresuar zyrës së Prokurorit për të hetuar këta gjyqtarë dhe prokuror.

Janë në proces?
Shteti vazhdon funksionimin dhe hetimin. Falënderoj edhe qytetarët që denoncojnë këto raste. Në muajt e fundit keni 2 gjyqtarë të arrestuar për korrupsion. Ditët e fundit Prokuroria ka filluar çështjet penale për fshehje të pasurisë për 3 apo 4 raste dhe unë si ministër i Drejtësisë kam filluar procedurat për shkarkimin e tyre. Institucionet kanë filluar të funksionojnë dhe qytetarët janë bërë më të ndjeshëm duke denoncuar. Për 2 gjyqtarët e tjerë që janë verifikuar për fshehje të pasurisë presim që KLD do të gjejë kohë t’i fusë sa më parë në rendin e ditës.

Keni paraqitur për diskutim një draft në lidhje me sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve. Pse keni paraqitur një draft të tillë, ndërkohë që KLD-ja e ka një sistem vlerësimi?
Në ditët e para si ministër kam qenë i shqetësuar se nuk shkonte si duhet sistemi i vlerësimit. Kam kërkuar që të intensifikohej puna e vlerësimit dhe kam parë një vetëkënaqësi pasi thoshin se nuk është bërë prej vitesh dhe në po e bëjmë. Më pas kam kërkuar të ketë një sistem vetëvlerësimi të gjymëtarëve dhe të konsultuar me ndërkombëtarët. Miratimi me ligj do të bëjë të mundur një herë e mirë të heqë qokat që bëjnë anëtarët e KLD-së. Do të jetë një risi.

Sa procedime gjyqtarësh ka deri tani?
Për 4 vite nga paraardhësi im janë dërguar 12 ose 13 gjyqtarë për procedim dhe vetëm 2 për shkarkim, nga shtatori deri në ditët e sotme janë dërguar rreth 20 gjyqtarë për procedim disiplinor dhe 10 janë dërguar për shkarkim. Nuk ka qenë ky qëllimi im të merrem me shkarkimin e gjyqtarëve, por kemi një pjesë të gangrenizuar, e cila do të infektojë edhe pjesën tjetër. Ky është një mesazh i qartë për të gjithë gjyqtarët se nëse shkelin ligjin do të dalin jashtë sistemit, por në çdo rast sipas një procedure të përcaktuar.

Ka raste të rëndë.
Sigurisht. Një gjyq vazhdonte prej 4 vjetësh dhe qytetari kërkonte që ta pushonte çështjen dhe të hidhej shorti për një gjyqtar tjetër se mund ta zgjidhte çështjen më shpejt. Po ky gjyqtarë kishte bërë të mundur që këto çështje t’i zgjidhte edhe për 1 muaj dhe çështje të tjera ku nuk kishte interes vazhdonin me muaj e vite të tëra. Në rast se do të ketë shkelje të ligjit ne nuk do të ndalemi, do të tregojmë vullnet politik, por edhe ligjor që në çdo rast të marrim masat përkatëse.

Ju keni mbajtur qëndrim si ministër për ligjin “Antimafja”dhe keni deklarua se është shumë e rëndësishme marrja e masave plotësuese. Ju e keni zgjeruar këtë edhe te korrupsioni, kjo është ideja?
Unë thash që ne jemi renditur në vendin e 116 dhe prandaj ne morëm disa nisma legjislative. E para kishte të bënte me Kodin e Procedurës Penale, për veprat penale të korrupsionit për gjyqtarët dhe prokurorët, por edhe për zyrtarët e lartë. Qëllimi nuk ka qenë për të rritur masën e dënimit, por me të njëjtat mjete që luftojmë bandat dhe organizatat kriminale do të luftojmë edhe korrupsionin për të gjitha nivelet e zyrtarëve të lartë. Kjo është një fushatë që nuk fillon sot dhe mbaron javën tjetër. Edhe me marrjen e statusit ne do të kemi probleme.

E keni ndierë sfidën që kur sistemi është kompakt mundet edhe t’iu mund?
Sfida është personale e imja dhe është me të gjithë mazhorancën, me opozitën, qytetarët për të përmirësuar sistemin. Tarifat gjyqësore janë ulur 37-50% . E rëndësishme në vendin tonë është zbatimi i ligjeve. Ulja e tarifave gjyqësore i shërben direkt qytetarëve të thjesht.

Në rast se gjithçka funksionon siç duhet do të rrallohen radhët e gjyqtarëve, e keni menduar për gjakun e ri që duhet të futet?
Shkolla e magjistraturës është një histori suksesi. Çdo vit nga kjo shkollë dalin 10-12 gjyqtarë apo edhe kaq prokuror. Nuk di në këtë shkollë që të jetë abuzuar në konkurrim. 8 nga këta gjyqtarë kishin mbi një vit që kishin mbaruar shkollën paguheshin, për shkak të ligjit dhe rrinin në shtëpi dhe KLD-ja nuk i fuste në rendin e ditës, por mbaruan dhe 8 të tjerë dhe përsëri vazhdonte e njëjta histori. Në Tiranë ishin 12 vende të lira unë i kërkova KLD-së  që të futeshin në rendin e ditës, por kjo kërkesë nuk u pranua, më pas erdhën gjyqtarë nga rrethet. Kjo ishte qoka e radhës e KLD-së.

Çfarë parashikojnë ndryshimet?
Sistemi i karrierës do të bëjë të mundur që të mos ketë kompetenca kaq të gjëra KLD-ja.

Jeni një nga ministrat e Drejtësisë që keni lëvizur më shumë gjatë këtyre 300 ditëve në shtete të tjera. Vizita e fundit ka qenë në Holandë dhe në Francë, pse?
Nuk kanë qenë vizita turistike, por si ministër i Drejtësisë kam kërkuar që bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të njohur partnerët më reformat e bëra që ne të plotësojmë standardet për statusin.

Ne e perceptojmë këtë si një detyrë të Ministrisë së Jashtme dhe të Integrimit apo edhe të Kryeministrit është një aksion i koordinuar?  
Sigurisht që është një aksion i koordinuar që çdo ministri të pasqyrojë punën e vet. Vizita ime e parë ka qenë një vizitë pune në Britani. Ne kemi pasur nevojë për partnerët ndërkombëtar. Vizitën e dytë e kam pasur në Bruksel për të prezantuar reformat e marra dhe të bëra deri në ato momente. Kam qenë në Itali dhe Greqi ku kishte disa vite që nuk kishte asnjë lloj kontakti midis ministrive. Pas 2 ose 3 javëve do të zhvillojë edhe një vizitë në Gjermani ku do të takohem me Ministrin e Drejtësisë dhe Sekretarin e Shtetit për t’i thënë atyre besimin për kryerjen e reformave edhe në bashkëpunim me ndërkombëtarëve.

Ka specifika nga vendi në vend apo ka qenë një kryefjalë në të gjitha këto vizita?
Pjesa kryesore e vizitave ka qenë konsolidimi i shtetit të së drejtës, i reformave gjithëpërfshirëse dhe inkurajimi për vendin tonë për këto reforma. Kjo i tregon atyre që ne jemi të vendosur dhe që dimë se çfarë kemi bërë deri më sot. Ne jemi një vend i vogël që kemi nevojë për asistencën e tyre.

Më bëri përshtypje që thatë se në Greqi kishim disa vjet që nuk ka pasur kontakte.

Ne kemi dhjetëra të dënuar në këto vende dhe më takon mua që të interesohen për ta, për kushtet e tyre. Kjo ka qenë një tjetër arsye e vizitës. Për rastin e Karelit kam kërkuar drejtësi dhe kam marr garanci nga pala greke.

A morët informacion për gjendjen e të burgosurve në Greqi?
Ne kemi kërkuar bashkëpunim më të ngushtë që të gjithë ata shtetas shqiptarë të dënuar në Greqi të vinë dhe ta vuajnë dënimin në Shqipëri, duke respektuar të gjitha konventat. Në SHBA në takimin me kongresmen kërkova lehtësimin e regjimit të vizave dhe lobimin e tyre. Ka ardhur një moment që ne i plotësojmë të gjitha kushtet dhe me pasaportat biometrike, kërkova edhe një ndihmesë nga FBI për trajnimin, por edhe për operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit dhe terrorizmit.

Share This Article
3 Comments
  • MINISTRI I DREJTESISE QE I FALET ENVER HOXHES DHE VAJTON DIKTATUREN.

    Naspi Naco vetem drejtesi nuk mund t’i ofroje shqyptareve sepse shkon dhe i falet Enver Hoxhes me fotografine e tij ne dore si nje REZIL albanez ne syte e Botes. Ku ka bere vaki qe Ministri i Drejtesise ne nje shtet Demokratik te shkoje dhe te beje homazhe para lapidareve komuniste me fotografine e Diktatorit Gjakatar ne dore? Kjo mund te ndodhe ne Korene e Veriut, mbase ne Rusine e Putinit nuk jam i sigurt, por kurre ne nje vend perendimor demokratik. Atehere cfare kerkon Shqypnia ne BE? BE-ja eshte federate shtetesh dhe popujsh demokratike dhe antikomuniste qe kane zgjedhur sistemin liberal te drejtimit, c’kerkon Ministri Nasip Naco ne vendet perendimore pervec se te perfitoje ndonje LEK badiava me mashtrime enveriste?

  • Populli eshte i etur per drejtesi !!! Jo ca te nenes eca te babes ….Eshte krim i madh …qe shumica e te burgosurve ,,vijne nga familje me potencial te ulet ekonomik …..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *