Naçot e Çorovodës

J L

Zylyftar HOXHA

 

Në të vërtet, shkak për këtë shkrim u bë kjo foto mjaft domethënëse e “Vëllazërisë Naço” në një festë të tyre familjare, me siguri të zakonshme, nga ato që i bëjnë shpesh, por që mua më ngacmoi së brendshmi, se i njoh dhe i njoh mirë si fis, se kam shkrojtur për lloj-lloj njerëzish të tjerë të suksesshëm dhe të dallueshëm me shembullin dhe protagonizmin e tyre, por më “kishin dalë nga mendja” këta njerëz që i kisha kaq pranë dhe që i kam dashur dhe respektuar kaq shumë, sikundër edhe ata mua, të thosha qoftë edhe një fjalë të vetme publike për ta.

Nuk thonë kot “gjilpëra në gji, ti e kërkon në kashtë”. Ndaj me këtë rast, duke shkruar për ta, po shlyej një borxh të vonuar.

***

Megjithëse i vogël, por me një natyrë kurioze, kur kam qenë në Çorovodë në konvikt, në vitet ’60, e kam si tani parasysh atë gjysma qytet e gjysma fshat. Shumica e banorëve të atëhershëm, të zbritur nga fshatrat, veç punës në shtet, pranë shtëpive mbanin nga dy-tri dhi të bardha race, dele, pula dhe ata që ishin poshtë buzë lumit, edhe pata e rosa, me të cilat merreshin pleqtë e ngeshëm dhe fëmijët.

Bëhesha kurioz, por kot kërkoja elementë dhe gjëra që e bënin Çorovodën të quhej qytet. Hapnim sytë naaa, kokordhoq, kur vite “koriera”, një kamion “Zis” ushtarak sovjetik me stola dhe mushama që shërbente si autobusi i linjës Skrapar-Berat; riportabli i vetëm, edhe ky një “Zil” sovjetik, i Brahimit nga Leshnja, që përdorej për transportin e materialeve të ndërtimit, çimento, hekur, tulla, që vinin nga Berati.

Ajo që më bënte përshtypje dhe që i shikoja me admirim, ishin disa burra të moshuar, shumë të rregullt, që pinin kafe apo loznin domino në dy lokalet e vetme të asaj kohe. Më kujtohet psh, Shaqir Kapinova me një kobure të vogël “Berret” në brez dhe një thikë dytehëshe me këllëf, të vëna mbi çorapet e leshta apo kallcat e meshinta, që ishin në modë në atë kohë. Më kujtohet Qemal Nishica, nëpunës, një njeri rrezatues, tepër i qytetëruar si në sjellje dhe në veshje, Myrsel Koprëncka, Zeko Zabërzani, Eqerem Mançe, Haxhi Xhaja nga Krushova, Qani Mollasi, Abaz Rogu, Xhevo Çepani, Rane Mustafaraj, Rushit Dhoresi, Abas Mollasi (më duket Xhaferri) etj. etj, që për fat keq nuk po më kujtohen emrat tani që po shkruaj këto shënime.

Por ai që ishte më i dallueshëm, më dinamik, më i punës dhe që mbahej në gojë nga i gjithë qyteti, ishte Qani Naço, që i thërrisnin më së shumti Qani Streneci.

Mund të thuhet pa frikë që Qaniu ishte ndër të parët që hodhi themelet e para të qytetit të Çorovodës, qendrës së Skraparit, në mos dhe i pari fare. Nuk ka pallat të gurtë, të ndërtuar në ato vite, të mos ketë dorë Qaniu me materialet që binte me mushkat nga lumi rërë, gurë, gëlqere e qereste etj.

***

Po kush ishte Qani Streneci?

Lindi në fshatin Strenec në vitin 1908, në atë kohë, Streneci ishte pjesë e krahinës së Dangëllisë me qendër Frashërin. Ai rridhte nga një familje e varfër, por atdhetare, familje me tradita e virtyte të larta, derëhapur e zemërbardhë.

Është kjo një nga arsyet, por edhe përvoja e gjatë dhe e pasur jetësore, ajo që e bëri xha Qaniun të njohur, të urtë e të mençur, të rrethuar nga një dashuri dhe respekt i veçantë nga i madh e i vogël në Skrapar. Ai ishte fytyra e një kohe.

Emrin e dallueshëm xha Qaniut ia dha puna. E nisi atë që fëmijë, në kurbet, në Stamboll, ku punoi për gati 15 vjet. Nga Stambolli vërtet solli “një kaposh plaçka”, siç thoshte vetë, por solli edhe një gjë tjetër të çmuar, që nuk ia tregoi njeriu, zanatin e bahçevanit, zanat që e ushtroi shumë vite më vonë kur erdhi në qytet. Ai në Ndërmarrjen Bujqësore krijoi një brigadë perimeh që furnizonte çdo ditë tregun e qytetit dhe rrethin. Çudiste agronomët me njohuritë dhe prodhimet e tij. Në ato vite ai mori titullin zyrtar “Mjeshtër i Punës”, që e barazonte me agronomin, dmth, agronom me njohuri, por pa diplomë.

Veç punës në bujqësi ai kishte në atë kohë 20-30 mushka me të cilat, siç thamë më sipër, transportoheshin gurë, drurë, rërë për ndërtimin e qytetit, por edhe furnizoheshin dyqanet dhe magazinat tregtare të zonave të Tomorricës, Potomit, Çepanit, Therepelit etj. Herët, në vitet 50-të të shekullit të kaluar çonte dhe merrte postën në Berat.

Xha Qaniu, Lalai, siç e thërrisnin fëmijtë e tij, iu afrua shekullit, por aq sa shumë rrojti, aq më shumë la pas, jo ndonjë pasurit të madhe, por një oborr plot me kalamaj dhe një sekret krejt të vetin në edukimin dhe formimin e tyre, frymën hyjnore prindërore të ndershmërisë, punës dhe të bashkimit.

Kam njohur nga afër dy djemtë e parë të Qaniut, Xhevitin dhe Ismetin, jo vetëm si bashkëmoshatarë, por edhe si nipër në fshatin tonë, Qafë, pasi gruaja e parë e Qaniut, Tanukja, e cila fatkeqësisht vdiq e re, ishte nga Qafa.

Martesën e dytë Qaniu e pati me Safeten, një grua shumë e zonja dhe me emër në të tërë krahinën e Skraparit për karakterin e saj burrëror, por edhe për një “zanat” mjeshtëror, siç ishte ai i mjekësisë popullore. Safetja shëronte me ilaçe të përgatitura vetë me bimë të ndryshme shumë sëmundje, por në mënyrë të veçantë verdhëzën, një sëmundje ngjitëse shumë e përhapur në atë kohë.

Frut i kësaj martese dhe bashkëjetese të gjatë ishin edhe shtatë fëmijë të tjerë: Mersini, Rexhoja, Yzedini, Engjëllushja, Nasipi, Dauti dhe Bujari.

Sot Naçot përbëjnë një dinasti të tërë trebrezëshe me 40 e ca familje, me stërgjyshër dhe stërgjyshe, me gjyshër dhe gjyshe, me nëna dhe baballarë, me nipër dhe mbesa, me stërnipër dhe stërmbesa.

Në të shumtën e rasteve, për shkak të zgjidhjeve të gabuara politike të ndarjes së pronave, gjithandej nëpër Shqipëri kanë lindur dhe lindin konflikte dhe kontradikta midis vëllezërve dhe brenda familjes, që përbën një plagë të re të pashërueshme në shoqërinë tonë. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh me Naçot, të cilët, edhe pse të shpërndarë nëpër tërë Shqipërinë, edhe pse me punë dhe biznese e  interesa ekonomike të ndryshme, përsëri veprojnë, kur e do puna, si dikur, kur kishin të atin gjallë, si një mekanizm i vetëm, me një unitet të çuditshm, të admirueshëm që e kanë zili të gjithë.

Do të veçoja këtu Dautin, të cilin e mbaj mend që bëri emër kur luante futboll (portier) me skuadrën e “5 Shtatorit” të qytetit të Çorovodës para viteve ’90 të shekullit të kaluar. Do të veçoja gjithashtu, Nasipin, një emër që e ka tejkaluar Skraparin, ish-ministër i Ekonomisë, ish-ministër i Drejtësisë, deputet aktual dhe i dy ligjslaturave të mëparshme të Kuvendit Popullor, me premisa për t’u bërë senator.

Më duket e tepërt të flas me tej, pasi për të  ka “folur” me votën e tij populli.

Në këtë portret kolektiv të paautorizuar për Naçot, u kërkoj ndjesë dhe mirëkuptim e tyre, Ismetit, Mersinit, Rexhos, Bujarit dhe Lushit, që nuk po zgjatem në detaje për ta, për dy arsye njëzore: mungesë vendi, por edhe se ka kaluar një kohë e gjatë pa patur kontakte me ta, nuk kam informacionin e duhur, veç opinione të njerëzve të tjerë, kuptohet, opinione pozitive. Duke përfituar nga rasti, i përshëndes nga larg!…

Share This Article
6 Comments
  • Pershendetje Zylyftar ! Kjo pershendetje vjen per shkrimin qe ke shkruar per kete familje te nderuar ne Corovode, per familjene aq punetore,aq te sjellshem ,e aq te respektueshme ndaj qytetareve ne Corrovode,por edhe te Corovodasve ndaj tyre. Une xha Qaniun e kam njohur si pensionist,ndersa ,por dija se ishte nje plak korrekt dhe me shume autoritet jo vetem ne familje ,por edhe ne mbare qytetin e Corovodes. E kete autoritet ia kishte dhene puna, ia kishte dhene edukimi i femijeve ,ndaj shoqerise dhe punes. Xhevit e kam njohur si nje punetore i dalluar ne NSHN, Mersinin si je shofer te palodhur , po ashtu Rexhon dhe Yzedinin edhe keta po ne te njejtin profesion,ate te shoferit. Por ata qe kam njohur me afer ,sepse ishin nxenes ne shkollen “K.Ylli ,ku edhe une punoja me detyren e Udheheqsit te pioniereve. I kujtoj vazhdimisht si nxenes te mire, e te sjellshem . Se cilet jane tani i njehe e gjithe shoqeria nga Skrapari e Tirana ku kane jetuar dhe jetojne. Qofshin gjithemon te nderuar ,si dhe i nderuar edhe Ju Zylyftar qe keni shkruar per kete familje simbol e punes,ndershmerise e respektit shoqeror!

  • Pershendetje Zylyftar ! Kjo pershendetje vjen per shkrimin qe ke shkruar per kete familje te nderuar ne Corovode, per familjene aq punetore,aq te sjellshem ,e aq te respektueshme ndaj qytetareve ne Corrovode,por edhe te Corovodasve ndaj tyre. Une xha Qaniun e kam njohur si pensionist,ndersa ,por dija se ishte nje plak korrekt dhe me shume autoritet jo vetem ne familje ,por edhe ne mbare qytetin e Corovodes. E kete autoritet ia kishte dhene puna, ia kishte dhene edukimi i femijeve ,ndaj shoqerise dhe punes. Xhevit e kam njohur si nje punetore i dalluar ne NSHN, Mersinin si je shofer te palodhur , po ashtu Rexhon dhe Yzedinin edhe keta po ne te njejtin profesion,ate te shoferit. Por ata qe kam njohur me afer ,sepse ishin nxenes ne shkollen “K.Ylli ,ku edhe une punoja me detyren e Udheheqsit te pioniereve ishin Nasipi,Dauti dhe Bujari. I kujtoj vazhdimisht si nxenes te mire, e te sjellshem . Se cilet jane tani i njehe e gjithe shoqeria nga Skrapari e Tirana ku kane jetuar dhe jetojne. Qofshin gjithemon te nderuar ,si dhe i nderuar edhe Ju Zylyftar qe keni shkruar per kete familje simbol e punes,ndershmerise e respektit shoqeror!

  • Zoti Zylyftar, shkrimi qe ke zgjedhur behet interesant nese e zhbiron me tej. Ka nje ndryshim midis emrave qe jane tipik mysliman dhe mbiemrit qe eshte ortodoks, Naço, patjeter kjo do te thote diçka, emrat vijne nga thellesia e brezave apo mbiemri, besoj patjeter mbiemri. Naço ka dhe ne Gradisht te Lushnjes, qe ne dokumenta te hereshme thuhet se kane qene pronar te kullotave te Ostrovices, pra i perkasin te njejtes ane, nga jane dhe Frasherllinjte e famshem, qe ne dokumenta thuhet se jane pjese e fisit Naço, problem interesant qe kerkon shtjellim e hulumtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *