Nafta që ulet dhe nuk ulet

redaktor

Është thënë dhe përsëri thuhet, se nafta sundon botën.

Aktivitetet e kompanive të naftës që disa kohë më parë ishin mjaft të mëdha, aktualisht kanë rënë mjaft dhe po krijojnë probleme në zhvillimin normal të tyre. Kjo mund të shpjegohet bazuar në rënien e çmimit të naftës, por mund të ketë edhe shkaqe të tjera.

Edhe në vendin tonë është vërejtur një rënie shumë e madhe e aktivitetit të industrisë së naftës.

Me sa dimë, parku i sondave aktive sidomos në kuadrin e kompanisë Bankers Petroleum është shkurtuar mjaft dhe aktiviteti i investimeve po ashtu.

Edhe aktiviteti në fushën e kërkimeve dhe të nxjerrjes po ashtu ka rënë mjaft. Petromanas apo dhe koncesionarë të tjerë, nuk po paraqesin ndonjë aktivitet të dukshëm në kërkime, duke ngadalësuar veprimet në zonën e zbuluar të Beratit. Për këto probleme aktuale dhe për perspektivën e tyre, biseduam me Prof. Fatmir Shehun, një nga specialistët e spikatur të kësaj fushe.

 

– Profesor, cila është panorama aktuale e sektorit të naftës sot në botë? Si ndikon tek ne?

– Që të njihen problemet tona, duhet medoemos njohur problematika e këtij sektori në shkallë globale. Nafta siç dihet aktualisht zë rreth 60% të bilancit energjetik të Botës, gjë që është një peshë shumë e madhe dhe rrjedhimisht me këtë peshë që ka ajo, është përcaktuese në shumë fusha të ekonomisë, por edhe në atë ushtarake. Nafta është një lëndë strategjike dhe jo rrallë ka shkaktuar dhe konflikte dhe luftëra. Raportohet se nga rënia e çmimit të naftës vetëm në industrinë amerikane të naftës rreth 200 mijë punëtorë nafte janë shkurtuar si dhe janë ndërprerë shumë prodhime në fushën e pajisjeve të naftës. Po ashtu, është shkurtuar mjaft aktiviteti në fushën e kërkim-zbulimit të rezervave të reja të naftës dhe të gazit, gjë që do ketë ndikim të madh në ecurinë e industrisë së naftës për të ardhmen. Këto probleme mbarëbotërore, në një mënyrë a tjetër reflektojnë edhe në ekonominë tonë që edhe pa këto probleme të induktuara nga jashtë, mbetet e vobektë në këtë tranzicion të gjatë dhe pa politika të qarta zhvillimore.

– Sa është çmimi i naftës aktualisht?

– Në pikëpamjen e tregut nafta është klasifikuar në dy grupe të mëdhaja dhe pikërisht: WTI që ka të bëjë me klasën amerikane, dhe klasën Brent që është nafta europiane. Nga të dhënat që kemi aktualisht këto nafta shiten me një çmim sipas klasave, përkatësisht për klasat që përmendëm më lart: 46 USD dhe 49 USD për fuçi. Këto çmime janë shumë më të ulëta se çmimi i para disa kohëve që kapte shifrën rreth 90-100 USD për fuçi.

Bazuar në këtë rënie mund të themi se vetëm nga kjo ulje çmimi, vendi ynë (kompanitë operatore) që ka një prodhim vjetor prej rreth 6 milion fuçi në vit, humbet një sasi të madhe valute që nuk është vështirë që të llogaritet.

tabela

 

Siç duket nga të dhënat e paraqitura në grafikun e mësipërm, çmimi i naftës ka filluar një rënie drastike që nga nëntori i vitit 2014 dhe për një kohë relativisht shumë të shkurtër arriti në vlera shumë të ulëta – në ato që është aktualisht. Kjo ishte një rënie që konsiderohet nga ekspertët si shumë intensive.

– Si shpjegohet një rënie kaq e shpejtë e çmimit të naftës?

– Në pikëpamje të përgjithshme, çmimet e mallrave (këtu futet dhe nafta) i nënshtrohen ligjit të kërkesë-ofertës. Por që të dy këta faktorë kanë një sasi të pa fund ingredientesh që e bëjnë të komplikuar marrëdhënien midis kërkesës dhe ofertës. Duhet thënë se disa vende që kanë qenë importuese të naftës, kanë gjetur rezerva të konsiderueshme dhe rrjedhimisht ose kanë ndërprerë importin si të pa nevojshëm sepse vetëfurnizohen, dhe njëkohësisht bëjnë demarshe që të futen në tregun e hidrokarbureve si eksportues. Kështu, Amerika pothuajse e ka dyfishuar prodhimin e naftës këto gjashtë vjetët e fundit dhe kërkon mundësira dhe tregje që të eksportojë. Një gjë e tillë detyroi Algjerinë, Arabinë Saudite, Nigerinë që të humbin tregun amerikan dhe të shkojnë në një treg tjetër siç është ai aziatik, por për shkak të konkurrencës janë të detyruar të ulin çmimin. Po ashtu rritje prodhimi ka ndodhur në Kanada dhe në Irak. Duhet thënë se Amerika dhe Kanadaja bumin e prodhimit e kanë mbështetur në futjen në eficencë ekonomike të rezervave të shumta që kanë gjetur në shistet naftë-gazmbajtëse duke shfrytëzuar teknologji të tilla si shpimet horizontale dhe shpërthimet hidraulike. Po ashtu dhe Rusia me gjithë vështirësitë, bën përpjekje që të mos e ulë prodhimin e naftës. Nga ana tjetër, kërkesat për naftë në gjithë ekonominë globale, relativisht kanë rënë për shkak se ekonomitë e vendeve europiane janë dobësuar, dhe industritë e makinave për shkak të presioneve që po u bëhet për ruajtjen e ambientit, po prodhojnë makina eficente në pikëpamje energjetike. Sot po prodhohen edhe makina që nuk përdorin naftën si energji, por përdorin energji të tjera të rinovueshme. Po ashtu dhe Kina , që ka qenë importuesi më i madh, vetë fakti që valuta e saj u zhvlerësua, tregon se do të ketë një përkeqësim ekonomik. Gjitha këto kanë çuar në uljen e kërkesës për naftë. Po ashtu, në uljen kaq të madhe të çmimit të naftës, mund të konsiderohet si një faktor i rëndësishëm edhe mosmarrëveshjet që kanë vëndet e OPEC –ut për të ndërhyrë në nivelin e prodhimit të naftës, dmth në uljen e prodhimit të naftës për të ruajtur çmimin e naftës.

– Kush përfiton dhe kush humbet nga rënia e çmimit të naftës?

– Sigurisht që çmimi i naftës prek shumë sfera të ekonomisë. Në përgjithësi ulja e çmimit të naftës duhet të “gëzojë” konsumatorët dhe të “hidhërojë” gjetësit (kërkuesit) dhe prodhuesit e naftës. Ky është një ligj i përgjithshëm, por realitetet në vende të ndryshme janë të ndryshëm. Kështu, në Amerikë çdo pronar makine thotë se harxhon më pak dollarë për gallon, po kështu dhe ne disa vende të Europës. Në fakt edhe këtu në vendin tonë pati një mikro ulje të çmimit të shitjes së nënprodukteve të naftës, por është akoma larg në krahasim me çmimin e lëndës së parë – naftës. Kjo është një gjë që lidhet me shumë arsye, por më kryesorja është se politikat e zhvillimit dhe të investimit që janë bërë në vendin tonë në lidhje me industrinë e naftës janë jo adekuate. Fakti që Shqipëria ka naftë më shumë se vende të tjera dhe çmimin e nënprodukteve të saj e ka relativisht të lartë, për mendimin tim është një nonsens. Ne prodhojmë rreth një milion tonë në vit dhe, po të menaxhohen më mirë problemet, mund të rrisim akoma më shumë prodhimin, por faktikisht ne si ekonomi kemi një hendek të madh midis prodhimit dhe industrisë së përpunimit të naftës, ku ka shumë për të bërë. Është shumë alarmante që, duke pasur rezerva dhe prodhim nafte, importojmë rreth një miliard euro në vit nënprodukte nafte sidomos karburante. Ne duhet të tentojmë që jo vetëm mos të importojmë, por të eksportojmë dhe kjo mendojmë se është një mundësi reale, por që do vëmendje dhe mbështetje.

Tani të kalojmë te çështja se kush fiton dhe kosh humbet nga ulja e çmimit të naftës. Kuptohet që nga ulja e çmimit të naftës ka shumë vende dhe aktivitete që kanë humbje të madhe. Humbje të madhe kanë kompanitë kërkuese të rezervave të reja, të cilat ose do i ngadalësojnë investimet në fushën e kërkimeve dhe zbulimit siç janë edhe ngadalësuar ose do të mbyllin aktivitetin deri në një afat oportun. Po ashtu humbje kanë kompanitë investitore në fushën e prodhimit të naftës në botë, por edhe në vendin tonë, siç janë tek neve kompanitë Bankers Petroleum, TransOil Group, Stream Oil etj. Po ashtu dhe Kompanitë e shërbimit si Simonsat, Crosco, Albdrilling etj., kanë humbje jo të vogla.

– A ka ndonjë konspiracion në lidhje me uljen e çmimit të naftës?

– Ka shumë mendime që përfliten por është vështirë të vësh gishtin. Thuhet se sauditët duan që nëpërmjet uljes së çmimit të dëmtojnë ekonomitë e Rusisë dhe të Iranit. Po ashtu dhe amerikanët duan të njëjtën gjë. Ka mendime se ulja e çmimit të naftës në vitet 1980, çoi në rënien e sovjetikëve. Këto edhe mund të jenë reale se ekonomitë janë në konkurrencë të vazhdueshme. Megjithatë, pavarësisht se ka mendime që çmimi i naftës do të jetë i ulët për një kohë të gjatë, duhet thënë se shkurtimi i investimeve që po detyrohet të ndodhë aktualisht në gjetjen e rezervave të reja të naftës, si dhe vetë çmimi i nxjerrjes së naftës ka probleme, mund të kenë ndikimin e tyre në ringritjen e çmimit të naftës. Për sa kohë do ndodhë kështu? Ashtu si edhe ka ndodhur: siç ka ulje do ketë edhe ngritje!

Intervistoi Xh. Shehu

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *