Naimi si paradoks i censorit

redaktor

Nga Nasho Jorgaqi

(Vijon nga numri i kaluar)

 

 

Kthimi i fundit i poetit në Stamboll

Fjala ka nxjerrë fjalën dhe ne dalëngadalë kemi hyrë thellë në jetën e poetit. Bisedojmë për kthimin e tij të dytë në Stamboll, kur ai erdhi këtu dhe s’iku më prej këndej. Flasim për arsyet që ai e la Shqipërinë. Për goditjen e rëndë që morën Frashërllinjtë pas shtypjes së Lidhjes. Për largimin e familjes së Abdylit nga Janina dhe vendosjen në kryeqendrën e perandorisë. Kishin kaluar më se dhjetë vjet nga koha kur Naimi qe detyruar të braktisë Stambollin. Dhjetë vjet nuk ishin pak, aq më tepër po të mbajmë parasysh kohën e Lidhjes plot pësime e mësime. Zëre se qe kthyer nga lufta – dëgjoj të thotë xha Baftjari në mes rropamës së një mauneje që kalon poshtë.

Në katër vjet të Lidhjes së Prizrenit, shqiptarët ia kishin bërë fora. Jo vetëm ia kishin vënë gishtin kokës, po ishin gjakosur më të djathtë e më të mëngjër. Pa gjak, s’bëhej Shqipëri. Naim beun në këtë kohë s’e zinte vendi. Ato që pa e dëgjoi kësaj here, nuk do t’i harronte kurrë dhe mësimi i parë që kish nxjerrë, ma merr mendja, do të ish ky: Ç’i takonte atij dhe të tjerëve të bënin këtej e tutje për atë që u kuvendua në Prizren dhe nuk u arrit të kryhet. Lufta për mëmëdheun kështu e ka. Armët mund të ndërroheshin, po kurrsesi s’do të hidheshin poshtë. A nuk i takonte Naimit, që i këndonin përbrenda këngët e Shqipërisë, ta çonte më tutje atë që e kishin arritur Abdyli me shokë? Ky burrë mendjendritur kuptoi se urtësia e lypte që pa harruar dyfekun të përpiqej tani e këtej të ndriste mendjet e të ndizte zemrat e shqiptarëve. Për këtë kishin nisur të punonin mëmëdhetarë të dëgjuar para se të mbërrinte ai në Stamboll. Ishin këta që kishin formuar një shoqëri e u kishin dhënë shqiptarëve shkronjat e gjuhës. Me këto shkronja Naim beu do të hidhte në kartë vjershat e tij dhe kjo qe një gjë shumë e madhe. Rilindja e kombit  kërkonte këngëtarin dhe këtë e gjeti tek ai. Fyelli i tij i shenjtë këndoi në kohën që lipsej, pa ç’ka se ishte koha e ligë e sulltan Hamitit.

Kujtojmë që poeti erdhi këtu për të dytën herë më 1882 dhe xha Baftjari tregon se ka të ngjarë të ketë qenë nga muajt e parë të vitit. Atëherë ishte në moshën e burrit, tridhjetë e gjashtë vjeç. Rininë e kishte lënë prapa tok me ëndrrat dhe jetën e shkujdesur. Xha Baftjari nxjerr nga xhepi një fotografi të kësaj kohe dhe e shohim së bashku. S’e ka më atë fytyrë të plotë si dikur, por të hequr, me sy të menduar, me mustaqe të holla, flokë të dendura e të valëzuara, me xhaketë të zezë e kravatë të gjerë lidhur në këmishë, sipas modës së atëhershme. Kjo tregon se sapo ka nisur të bëhet  qytetar i Stambollit e të marrë pamjen e intelektualit dhe funksionarit të shtetit, sepse Naimi me t’u vendosur në Stamboll, nuk vonon dhe fillon nga puna përsëri në Mearif, në Ministrinë e Arsimit. Ishte pak a shumë po ajo detyrë që kishte pasur më parë. Naimi u emërua anëtar i këtij komisioni. Në këtë rast xha Baftjari tregon për rrethanat si ndodhi kjo gjë. Ai sjell të dhëna nga kujtimet e dr. Rifat Frashërit. Doktor Rifati thotë se Ali Fuat Beu, mik i Abdylit, që kishte qenë kryesekretar i sulltanit dhe ishte bërë Ministër i Arsimit, e pyet një ditë Samiun nëse njihte ndonjë njeri që dinte mirë greqisht, pasi i duhej për Komisionin e censurës. Samiu i propozoi të vëllanë dhe kështu Naimi u gjend funksionar i Mearifit. Tamam prej kohës kur sapo kishte nisur nga detyra, na ka arritur leja që ai ka nënshkruar më 14 gusht 1882 për botimin e “Gramatikës” së K. Kristoforidhit.

Detyrën e censorit e më vonë atë të kryecensorit, Naimi do të mbante për vite me radhë, madje deri sa të mbyllte sytë. Merret me mend se çfarë cilësish e aftësish duhet të kishe për ta kryer këtë funksion sa të vështirë aq edhe delikat. Por ishte urtësia dhe mençuria e Naimit, kultura e gjerë dhe karakteri i tij i fortë, me të cilat ai do të përballonte situatat dhe detyrat e ndërlikuara, që nxirrte shtypi në një shtet feudal e obskurantist si ai i sulltanit.

Kur e mendon sot këtë funksion dhe e lidh me poetin tonë të madh, duket e çuditshme, gati si një paradoks. Sigurisht, pas dukjes zyrtare, në shpirtin e tij ndodhte drama, një dramë që zgjati për afro dy dhjetëvjeçarë. Ishte një haraç që ai do ta paguante shtrenjtë dhe ndoshta kjo do të jetë një nga arsyet që e mbylli jetën shpejt. Por, megjithatë, po të njihet mentaliteti i kohës, roli tradicional i shqiptarëve në administratën osmane synimet dhe taktikat e mençura të Lëvizjes sonë Kombëtare, shfrytëzimi i rrethanave në dobi të interesit të përbashkët, shumë gjëra bëhen të qarta. Naimi nuk ishte një përjashtim.

Po ta gjykosh thellë, Naimi nuk do të bëhej ai që u bë, në rast se do të kishte mbetur diku në periferi të perandorisë. Stambolli luajti një rol të pazëvendësueshëm në jetën e tij. Pikërisht nga kuota më e lartë e perandorisë, ai do të vështronte realitetin bashkëkohor dhe mekanizmin e sundimit të shtetit osman. Kjo do t’i jepte mundësi të njihte siç duhej situatat politike, raportet në përmasa botërore dhe në këtë kuadër, pozitën e atdheut të vet.

Këto mendime më lindin vetvetiu tek bisedoj me xha Baftjarin. Kemi hyrë thellë në kohën e poetit tonë, ndërsa herë-herë kthejmë sytë nga ujërat e Marmarasë. Nuk harroj për asnjë çast se poshtë nesh shtrihet Stambolli, qyteti ku mbijetoi Naimi dhe kjo më shtyn në meditime të tjera.

Mendoj për Stambollin si për një univers nëpër të cilin u vërtit jeta e Naimit, një jetë që nuk do të hutohej dhe çorientohej brenda tij, edhe pse kryeqendër e varfërisë dhe e luksit, burg popujsh, kështjellë e shtypjes dhe e fanatizmit. Ai do të dinte ngaherë si t’i gjente shtigjet dhe t’i qasej së vërtetës. Karakteri i tij shqiptar do të ngrihej mbi hipokrizinë bizantine dhe mefshtësinë orientale, mbi dinakërinë dhe arrogancën osmane, siç do t’u rrinte larg dhe grackave të Portës së Lartë dhe joshjeve të Qoshk Jalldëzit. Për të do të qenë të huaja egoizmi dhe mendjengushtësia, anakronizmi dhe veset aq karakteristike të bejlerëve shqiptarë.

Pas uniformës hijerëndë të censorit perandorak, me të cilën na ka lënë dhe një fotografi, qëndronte Naimi që njohim të gjithë, njeriu me zemër të madhe dhe horizont të gjerë, poeti dhe poligloti, po dhe funksionari i mençur dhe i ekuilibruar që donte t’i hapte udhe dritës në mbretërinë e errësirës. Atij nuk do t’i mungonin aftësitë organizative kur e lypte detyra. Për këtë na vijnë në ndihmë dhe disa fjalë të Tahsinit, i cili kur e shikonte të vëllanë që e kryente aq mirë detyrën si drejtor dogane në Sarandë i thoshte, “Kështu si e ke filluar, prite kur një ditë do të të shohim kajmekam në ndonjë mëhallë të madhe të Stambollit”.

Për ta njohur nga brenda Stambollin dhe për t’u ambientuar me rrethet politike shoqërore, po edhe më shumë me ato kulturore e letrare, Naimit do t’i gjendej Samiu. Ai ishte bërë tanimë i shtëpisë në kryeqytet, me gjithë telashet që hiqte nga Porta e lartë. Njeri energjik dhe inteligjent, plot talente dhe erudit, emri i tij gëzonte respekt dhe popullaritet. Më tepër se shkrimtar, kur shkoi Naimi në Stamboll ai njihej si gazetar, që kishte nxjerrë revistën letrare “Muhanis” (Shkrimtari) ose revistat shoqërore “Aile” (Familja). “Hafta” (Java) dhe gazetën “Sabah” (Mëngjesi) etj. Atij i takonte dhe botimi i kolanës “Biblioteka e xhepit”, ku nisi të bashkëpunojë edhe Naimi. “Fjalori frëngjisht-turqisht”, përkthimi i “Të mjerëve” të V. Hygoit, pa përmendur vepra të tjera. Po ajo që e ngrinte Samiun para të vëllait të sapoardhur në Stamboll ishte veprimtaria e tij e gjallë kombëtare si një nga udhëheqësit e saj, kryetar i “Shoqërisë së shkronjave” dhe autori i “Alfabetares së gjuhës shqipe”. Ndonëse i ri, ai kishte ecur shumë dhe qe bërë një nga personalitetet e kulturës së kohës. Kjo rrethanë, sigurisht, ia lehtësonte Naimit punën. Brenda një kohe të shkurtër ai do të hynte e do të bënte pjesë në mesin e intelektualëve shqiptarë që jetonin në kryeqytet.

Përsëri me ndihmën e të vëllait, po edhe për shkak të detyrës që kryente Naimi, u lidh dhe me rrethet e huaja intelektuale të Stambollit. Duke qenë kryeqendër e një perandorie kozmopolite, këtu ishin mbledhur intelektualë të kombeve të ndryshme. Naimi u njoh me plot prej tyre dhe me disa zuri miqësi. Këta qenë figura të kulturës arabe, greke, armene, afgane, egjiptiane, siriane, irakiane e të tjerë. Dihej miqësia e tij me historianin e shquar armen Basmadjen, botuesin Mirhan, savantin grek aq të njohur atë kohë I.Koralidhisin. Koralidhisi, studiuesi i shkëlqyer i historisë së Azisë dhe poliglot i rrallë, do të shkruante më 1885 një artikull lavdërues në revistën e tij letrare “Qiriks” për “Tejahylat” e Naimit dhe do ta ftonte poetin që ta zbukuronte edhe Parnasin grek me një tufë lulesh erëmira. Poeti shqiptar do ta mbante fjalën dhe vite më vonë (1885) do të botonte librin me vjersha greqisht “O eros” (Dashuria), të cilin do t’ia kushtonte mikut grek.

Xha Baftjari përmend pastaj se në shoqërinë e Naimit në Stamboll zinin vend disa nga poetët e dijetarët me nam të atyre kohëve, veç Namik Qemalit me të vëllanë Shenasinë, poetët Teufik Fikreti e Jahja Qemali, gazetari dhe botuesi Ebuzia Teufku e të tjerë. Stambolli ishte qyteti i poetëve që u këndonin bukurive dhe dhimbjeve të tij. Plaku i thotë këto tërë gaz dhe shton se është për t’u çuditur se si Naimi, sado që e pëlqente Stambollin, nuk i këndoi e as shkroi gjë për të. Ky fakt të bën të mendohesh, e megjithatë, s’mund të mohosh se jeta e poetit dhe, tërthorazi, edhe veprat e tij, nuk  janë të pleksura me këtë qytet. Stambolli është pjesa e pandarë e biografisë së Naimit dhe xha Baftjari e quan fatkeqësi që askush nga bashkëkohësit e poetit nuk e regjistroi këtë pjesë të jetës s’e ktheu në dëshmi dokumentare. Edhe kur ndonjë nga pasardhësit e familjes e evokoi këto nëpër kujtime, vetëm sa i pikëzoi dhe nuk i rroku siç duhet. Shqiptarët e Stambollit ia kanë borxh Naimit, bile borxh të madh, por që nuk ia lajnë dot.

-Shqiptari këtu, – flet plaku me një lloj pezmi, – sado fanatik në shqiptarizmën e tij dhe besnik sa s’bëhet i rrënjëve të veta, nuk e kuptoi me kohë këtë detyrë mëmëdhetare. Nuk e lanë hallet e jetës, buka e fëmijëve. Edhe kur patëm ndonjë njeri me shkollë, s’u kujtua për këtë gjë. Ç’të thotë gjë tjetër xha Baftjari!

Plaku puliti sytë, vështroi nga ana e përtejme e Bririt të Artë dhe lëvizi lehtë nga karrigia. Në tavolinën tonë ka rënë dielli i mesditës. Te dritaret e hapura jehon zhurma e mbytur që ngjitet nga poshtë. Fishkëllima e një sirene dhe tufa pulëbardhash ngrihen nga ujërat përqark. Çohemi, – thotë miku im papritur. – Kohën, siç the zotrote, e kemi tonën dhe hajde dalim për kësmet. Për kismetin e Naim Beut. Doemos diçka do të bëjmë sot e sa kohë të duash më ke shërbëtorin  tënd.

– Para mëmëdheut jemi të gjithë shërbëtorë, – ia kthej unë duke e kapur për krahu dhe dalim në rrugë.

Presim taksinë e parë dhe nisemi. Vështroj nga dritarja dhe sytë e mendja ime nuk ndalen të rrugët e gjera dhe ndërtesat e larta, që më kalojnë në të dyja anët. Më punon fantazia dhe përfytyroj përsëri Stambollin e njëqind vjetëve të shkuara kur s’ishin këto hapësira e ky ritëm i jetës, këto dekore farfuritëse. Qytetin e mbulonte rrjeti i rrugëve të ngushta e i sokakëve, shtëpitë e drunjta, dyqanet orientale me tezga, turma laramane me feste të zeza; lëviznin karroca luksoze e araba të rëndomta, kuaj e gomerë, ndoshta dhe ndonjë makinë a biçikletë të modeleve të hershme. Përpiqem të marr me mend Stambollin e atëhershëm, të ngathët e si të përgjumur, të zhveshur e të uritur, me plagë të hapura, me lypsa dhe invalidë të sakatuar nga lufta, rrugëve e qosheve, një qytet plot me mistere dhe ekzotikë. Vetëm kështu, më duket se mund ta ndiej këtu Naimin dhe të përftoj siluetën e tij tek më lëviz përpara syve.

Dëgjoj që xha Baftjari jep e merr me shoferin, ndërsa makina vozit nëpër rrugët e ngarkuara. Harta që kam marrë me vete më rri në duar. Miku im di se ku po më çon dhe mua s’më mbetet veç të shoh e të kundroj. Stambolli është gjithnjë një labirint.

Makina zbriti nëpër një të tatëpjetë të vogël dhe doli poshtë nga ultësira që të kujtonte një vend gjysmë të braktisur. Gurët e kalldrëmit  tregonin se gjendeshim në një nga pjesët e vjetra të qytetit. Këtu jemi, – thërret plaku, –  në Finanxhillar Jokushu, që po ta kthesh në shqipe do të thotë “Ultësira e filxhanëve”.  Duan të thonë se këtu një herë e një kohë ose janë bërë ose janë shitur filxhanë.

Dalim nga makina dhe hyjmë në një rrugicë. Xha Baftjari shkon përpara dhe pastaj kthehet nga unë.

-Ky është Leh Sokaku që e njohin të gjithë shqiptarët e vjetër të Stambollit. Këtu është mbledhur në një han, në katin e sipërm “Shoqëria e të shtypurit të shkronjave shqipe”. Përkundrejt tij ka qenë shtypshkronja e armenit Bojaxhian. Sot, siç e sheh, nuk janë as hani, as binaja e shtypshkronjës. Po trualli është dhe historia e ka shkruar.

Koha ato i ka rrëzuar dhe në vend të tyre janë ngritur ndërtesa të reja. Vetëm gurët e sokakut kanë mbetur. Shekulli ynë e ka mundur shekullin e kaluar. Këtë do ta vë re sa e sa herë këto ditë në Stamboll. Dhe sepse më zgjohet një ndjenjë e turbullt, që s’e di ç’është, zhgënjim a keqardhje. Vetëm kuptoj se në hapësirat e Stambollit mund të dallosh qartë zhvendosjen e kohëve.

-Naimi, – thotë xha Baftjari kur largoheshim nga Leh Sokaku, – siç mund ta dish, s’u ndodh në këtë mbledhje, por ishte Samiu. Ai gjendej në Shqipëri, po me shkronjat që u nxorën këtu, ai shkroi ato libra që u mëkuan dhe mëkohen sot e gjithë ditën brezat tanë.

Vështirë të them se nëpër ç’rrugë u vërtitëm, derisa dolëm në bulevard e hymë në lumin e gjerë të makinave. Dy burrat flisnin vazhdimisht me njëri-tjetrin dhe unë megjithëse nuk e kuptoja gjuhën, ndjeja shqetësimin e tyre e kjo sikur më qetësonte. Hymë pastaj në një rrugë fare të zakonshme, që s’kishte asgjë të veçantë që të kujtonte kohën e Naimit. Po këtu vetëm sa qëndruam, nuk zbritëm.

-S’kemi pse zbresim, – tha plaku i pakënaqur dhe zuri të tregojë me dorë nga dritarja e hapur e makinës. Kjo udhë njëherë e një kohë thirrej udha e Anton Maksutit, ku gjendej shtypshkronja e grekut Margarit. Këtu u radhit e u shtyp revista “Drita” apo si i thonë pastaj “Dituria”. Do të qe shpirtndrituri Naim beu ai që më 1884 i pat nxjerrë lejen e revistës. Siç e shikon, motet që erdhën e kanë fshirë binanë nga faqja e dheut, po dhe udha s’e ka pamjen e parë. Vemi?

 

Te “Porta e Lartë”

Kthehemi prapa dhe përsëri lëvizim nëpër qytetin e panjohur. Diku dalim në një rrugë të gjerë të stilit të vjetër, vende-vende me kalldrëm dhe me mure të trasha anash. Makina ngadalëson shpejtësinë dhe xha Baftjari kthehet nga unë.

-Erdhëm te udha “Porta e Lartë”, aq e njohur dhe e rrahur në kohën e saj. Zotrote e di ç’ka qenë Porta njëherë e një vakt. Sot ka porta të tjera që merren me punët e hyqymetit e të miletit. Po të solla këtu, jo vetëm për të treguar Portën, po dhe Mearifin, zyrat ku punoi Naim beu e sidomos që ta dish se në këtë udhë gjendej dhe shtypshkronja e armenit Mihran, ku shtypën librat e tyre Naimi dhe Samiu. Mihrani ishte mik i tyre, thonë se qe njeri i zgjuar e tepër i shkathët si tërë armenët, veç dorështrënguar sa s’bëhet. Ç’kanë  hequr nga kopracia e tij vëllezërit, ata e dinë!

-Te Mihrani, Naimi nxori në dritë librin e tij të parë me vjersha “Ëndërrime”, të thirrur persisht “Tejahylat”, dhe “Katër stinët”në turqisht.  Nuk kujtoj tanithi gjithë sa botoi Samiu. Po për lidhjet e tij me Mihranin ka plot fjalë, ca thonë ia hëngri paratë Samiut e s’i dha ato që i takonin, ca të tjerë duan të thonë se kur sulltani e syrgjynosi Samiun në Trablusgarb, ai e ndihmoi, sidomos kur ngriti shtëpinë në Erenqoi. Të gjithë këto janë harruar, po ajo që s’harrohet është dituria e madhe e të dy vëllezërve, dituri që u derdh në sa e sa libra që shtypi Mihrani.

Dëgjoj nga Baftjari dhe sytë më sillen nëpër të dyja anët e rrugës me shtëpi prej druri që kanë mbetur si dhëmbë të kalbur në mes të ndërtesave të reja dhe pastaj sarajet e Portës që pushtojnë tërë pamjen. Plaku s’është në gjendje të më thotë se ku gjendet tamam Mearifi, po në qoftë se ajo ka qenë këndej rrotull, atëherë s’kemi ardhur kot deri këtu. Mjafton për të marrë një ide, aq më tepër kur mendoj se kjo është një nga rrugët që poeti rrahu sa e sa vjet, kur punonte në Ministrinë e atëhershme të Arsimit.

E, megjithatë, rruga që shoh më shton më shumë kureshtjen dhe dua të di se cili ka qenë itinerari i tij i zakonshëm për të ardhur deri këtu. Kthehem nga xha Baftjari dhe dua ta pyes, po ai jep e merr me shoferin dhe atëherë e lë. Ndoshta është shpejt, kur e di se ai ka marrë përsipër të m’i tregojë me radhë vetë.

Makina kthehet prapë në qendër. Ujërat e gjirit të “Birit të Artë” vezullojnë nga dielli i mesditës. Kalojmë urën e Gallatës dhe pas lëmë Stambollin e vjetër. Stambollin e ri e kemi përpara po gjithnjë jemi në kontinentin evropian, sado që makina vozit me shpejtësi në drejtim të verilindjes. Detit herë i afrohemi e herë i largohemi. Janë brigjet perëndimore të Bosforit, që kanë një relief të përthyer, të lagura nga deti Marmara. Pastaj rruga ngjitet lart dhe na del përpara tërë pamja e brigjeve poshtë: vila në trajta të ndryshme, kopshte të mbytura në gjelbërim, porte, gjire e mëngë deti, silueta të direkëve të anijeve, varka të panumërta dhe tufa pulëbardhash, që humbasin në kaltërsinë e pafund. Bukuria e këtyre anëve është aq e madhe, sa ajo pa dashur të rrëmben dhe të bën të harrosh, veç kur dëgjoj zërin e xha Baftjarit: Me sa më kanë rrëfyer e me sa di unë, Frashërllinjtë, ose më mirë Naim beu, kur erdhi në Stamboll për të dytën herë u vendos në krye në këto vise. Dua të them, ja këtejza, në këtë mëhallë që thërritet Beshiktash.  Mëhallë i thonë, po është një nga pjesët më të dëgjuara të Stambollit. Shtëpia e parë e Naimit këtu ishte në Këlliç Ali. Mbaje mend këtë emër, se sa për shtëpinë që duam unë e ti, nuk e marr përsipër se mund ta gjej. -Vërtet, kemi ardhur në Beshiktash në një nga  lagjet më të bukura të Stambollit, po ku gjendet Këlliç Aliu? Pas bisedës së zgjatur turqisht, shoferi tund kokën dhe e nxjerr makinën në rrugën e gjerë që zgjatet anës detit.

Kapërcejmë Dollmabahçenë dhe ngjitemi përpjetë nëpër rrugët e sarajeve të sulltanëve. Më të djathtë është limani i Beshiktashit që del në grykën e Bosforit. Përkarshi, përtej ujërave të detit duket sa gjatë e gjerë Stambolli i kontinentit tjetër. Ne i kthejmë me shpejtësi kurrizin dhe futemi në një rrugicë të kalldrëmtë. Ky është Këlliç Aliu, – thotë xha Baftjari duke zbritur nga makina. – Në je i zoti, më thuaj se ku mund të ketë ndenjur Naim beu?

Vërejmë shtëpitë, që dhe këtu janë të trazuara, të vjetra e të reja, dhe ngremë supet. Nuk kemi asnjë dëshmi për të kërkuar atë që duam. Diku kam lexuar se kjo shtëpi ishte mbi det, afër skelës së Beshiktashit, në krahun e majtë,  me një portë të zakonshme, por që me kohë u rrëzua.

Mbetet vetëm të sodisim vendin. Dhe vendi është i bukur me detin në një krah, me pallatet e sulltanëve, me kopshtet përherë të gjelbëruar; aty pranë kalon një nga rrugët më të lëvizshme të Stambollit. Poeti me siguri i ka parë e soditur përditë këto pamje njëherë e një kohë. Edhe këtu, atij nuk iu ndanë ujërat nga sytë. Në Janinë kishte lënë liqenin, në Sarandë detin Jon dhe këtu gjente një det tjetër, Marmaranë.

Në shtëpinë e Beshiktashit do të vinte shpesh Jani Vretoja, një punëtor i ndjerë i Rilindjes, që bënte ndërlidhjen në mes kolonisë së Stambollit dhe kolonive të tjera shqiptare. Këtu ai i kishte sjellë poetit sihariqin për gazin që u kishte ngjallur shqiptarëve të Rumanisë vjersha e tij “Shqipëria”.  Prej Vretos ata e kishin marrë vesh se këtë vjershë të zjarrtë e kishte shkruar një mysliman e për më tepër, një bej!Dua të di, në Këlliç Ali, Naimi banonte tok me vëllezërit apo veç tyre? Pyes xha Baftjarin, por ai s’është në gjendje të më përgjigjet. Vetëm thotë se më vonë, ata do të jetonin të ndarë dhe secili do të ndërtonte në Yskidar shtëpi më vete.

Vendi këtu, megjithëse i bukur, ishte shumë larg nga Mearifi, ku punonte Naimi. E marr me mend se ç’rrugë të gjatë duhet të bënte çdo ditë ai. Sado që udhëtonte me araba, prapëseprapë do të qe një gjë tepër e lodhshme për shëndetin e tij të drobitur.

Nga xha Baftjari mora vesh se Naimi nuk do të qëndronte gjatë në Këlliç Ali. Ashtu si të vëllezërit dhe ai do të vendosej me kohë përtej Bosforit, në Yskidar. Madje, as mund të merret me mend qëndrimi i tij në kryeqytetin e perandorisë pa Yskidarin, pjesën aziatike të Stambollit. Në këto anë poeti kaloi vitet më të mira e më të vështira të jetës së tij. Yskidari u bë vendbanimi kryesor, pjesa tjetër e Stambollit mbeti si të thuash periferi për të. Këtë gjë e di mirë dhe miku im, prandaj dhe nuk dëshiron të ndalemi gjatë përkëtej Bosforit. Shpirti i Naim beut ishte Yskidari, – thotë xha Baftjari. Atje u preh,atje u dergj kurmi i tij. Meka jonë ngeli përherë andej. O burra, të vemi!

 

 

Yskidari i Naimit

Makina mori të përpjetën nga veriu, nëpër një rrugë bregdetare, duke lënë sërishmi anash gjire e limane të vogla, ku lëvizin ose qëndrojnë barka e anije nga më të ndryshmet. Janë këto që bënin lidhjen e krijonin rrugën ujore në mes dy brigjeve. Gjithnjë dy anët e Bosforit, sado të ndara i kanë afruar lopatat e detarëve e të peshkatarëve.

Xha Baftjari vështron nga dritarja i tërhequr në mendime dhe më tregon me dorë:

-As bregu përkëtej e as ai përandej nuk rrinin dot pa dhënë e pa marrë me shoqi-shoqin, si ditën dhe natën. Kështu ka qenë në kohë të Naim beut, kështu edhe sot. I ndarë dhe i bashkuar, kjo e bën Stambollin të mos ketë një të dytë në botë.

Pastaj më afron hartën dhe vazhdon:

-Ja, përkëtej i ke me radhë limanet e Stambollit të Evropës. Fillon që poshtë me portin e Eminit, pastaj ai i Kabatashit e i Beshiktashit, i Ortaqoit e kështu më tutje. Lart fare vjen mëhalla e shqiptarëve, Arnautqoi, buzë detit, që ka dhe rrugë dhe limane me këtë emër. Nga të gjitha këto limane vozitin kaike, varka, anije për në Yskidar. Njëherë e një kohë, pa u bërë ura e madhe s’mund të kapërcehej deti në këmbë.

Dhe plaku më rrëfen urën e madhe që lidh të dyja anët e Stambollit, shtyllat e së cilës duken nga larg. Ura qëndron pa këmbë, ndërmjet kavove të tendosura, sipër ujërave të Bosforit. Është vërtet një mrekulli e teknikës që në kohën e poetit mund të tregohej vetëm si përrallë.

Rruga vjen e tillë, që urën në fillim e vështrojmë nga poshtë e pastaj ngjitet lart e del në Ortaqoi. Atje hyjmë në radhën e pafund të makinave që lëvizin drejt urës.  Po trafiku është aq i ngarkuar, sa makinat ecin ngadalë dhe kjo na jep mundësi të sodisim pamjen e mrekullueshme, që hapet në të dyja anët. Ura ngrihet në mes të brigjeve të Ortaqoit dhe të Bejlerberit dhe duke shkuar nga perëndimi drejt lindjes, ne vështrojmë nga lartësia e saj viset e Yskidarit. Vëmendjen tonë e tërheq një varg i tërë pallatesh të bardhë, rrethuar me kopshte e parqe simetrike. Dikur këto pallate ishin rezidenca verore e sulltanëve. Kjo është pamja e parë me të cilët shfaqet Yskidari tek vjen nga Stambolli evropian. Pas tij zbulohet dora-dorës panorama piktoreske e brigjeve të Stambollit aziatik: plazhe e limane, ndërtime të stilit oriental, xhami e kulla të lashta, lokale nga më të ndryshmet, e të gjitha këto, rrethuar nga gjelbërimi dhe lulet shumëngjyrëshe. Me ngritjen e urës, – dëgjoj zërin e thellë të xha Baftjarit, rruga më e shkurtër për në Yskidar nuk është më rruga e kohës së Naim beut.  Sepse për të dalë matanë, jemi ngjitur shumë përpjetë Stambollit. Ura është e ngritur, jo tamam përballë qendrës së Yskidarit, po më lart, ku brigjet janë më afër njëri-tjetrit. Në det, rruga më e shkurtër ka qenë dhe është ajo që niset nga portet pranë Gallatës dhe të nxjerr në limanin Hajdar Pasha. Kjo rrugë pret drejt dhe të fut në zemër të Yskidarit.

Kur kapërcejmë urën, makina merr djathtas dhe zbret për në jug, nëpër një rrugë bregdetare. Tani kemi dalë në Azi, në anën lindore të Stambollit, që është më e vogël se pjesa perëndimore e qytetit. Në vështrim të parë, megjithëse zotëron hiri oriental dhe kjo duket nga arkitektura dhe urbanistika, prapë s’i ka shpëtuar ndikimit të kontinentit tjetër. Kjo vihet re kur fillon e largohesh nga deti.

Vjen një çast dhe sikur e humbas orientimin. Xha Baftjari, që tregohet gjithnjë i vëmendshëm e i gatshëm, më shikon dhe thotë:

-Yskidarin e lamë prapa. Tani po vemi për në Kadiqoi, që gjendet në anët juglindore. Më poshtë, që ta dini është Fenerbahçeja, një mëhallë shumë e njohur, kurse nën të, vjen Erenqoi, ku gjendet Merdivenqoi, vendvarrimi i Frashërllinjve dhe truall shumë i rrahur nga shqiptarët. Ndërmjet Kadiqoit dhe Erenqoit, por pak më në thellësi, nga krahu i lindjes, gjendet Këzëll-Topraku, mëhalla ku rrojti dhe vdiq Naim beu.  Për atje po shkojmë. Larg rrëmetit ku rrojti dhe mbylli sytë poeti.

Vendet janë vërtet shumë të bukura, jo vetëm nga relievi i butë e i këndshëm, po edhe nga shtëpitë dhe blerimi i thellë, nga horizonti i ndritur që bashkohet me detin e kaltër. Tërë këto pamje, njëra më tërheqëse se tjetra, më lënë aq mbresa sa pa dashur më shkon mëndja te fjalët e xha Baftjarit, që më tha tek rrinim në kafenenë mbi Urën e Gallatës. Si nuk shkroi Naimi një vjershë për këtë bukuri? Dhe vërtet, si nuk shkroi?! Edhe kur shkroi për Yskidarin, e bëri kryesisht për të kujtuar të vdekurit, të dashurit që ka mbuluar në dhe të huaj. Më vijnë ndër mend vargjet, në të cilat përmenden vendet ku gjenden varret e motrës, vëllezërve, të vajzës, si dhe të Hoxhë Tahsinit. Janë vargje të zymta, pa dritë, që të pikëllojnë e që rrëfejnë për një gjendje të rëndë shpirtërore. I vetmi emër vendi që shënohet në mes vargjesh është Edini. Ku vallë mund të jetë ky vend me këtë emër?

 

vijon

Share This Article
2 Comments
  • As qe behet fjale te kete ndihmuar Naim Frasheri Kostandin Kristoforidhin per botimet e tij.Eshte fakt se me ndermjetesine e Jani Vretos,Naim Frasheri botoi “Lulet e Veres” ne Bukuresht me florinjte qe ishin taksur per Fjalorin e Kristoforidhit.Per Kete fjalor Naim beu ka thenme:C`eshte ky Kristoforidh?Fjalorin shqip do ta hartoje Samiu,por sa te mbaroje pune me KAMYSIN e Turqise.Te dy vellezerit e vegjel te Abdylit kane qene te privilegjuar nga administrata osmane,ne punera te mira dhe e shfrytezuan levizjen kombetare shqiptare me emrin e vellait te madh Abdyl,qe vertet ishte nje hero kombetar. Une i besoj me shume Konices dhe Kristoforidhit,se Nasho Jorgaqit.O moderatori dixhital,jam ngadale,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *