Në ditën e tretë të rrethimit nga forcat speciale të qendrës tregtare “Westgate”, ku terroristët islamikë mbajnë peng dhjetëra persona, janë dëgjuar shpërthime të forta në çdo kat të ndërtesës. Sipas policisë, sulmuesit numërohen në dhjetëra, disa të veshur si gra. Zëdhënësi i grupit islamik: “Autorizojmë muxhahedinët të veprojnë kundër pengjeve”. Deri tani 62 të vdekur, midis tyre dy terroristë
Në ditën e tretë të sulmimit të qendrës tregtare “Westgate Mall” nga muxhahedinët, forcat speciale keniane në bashkëpunim me ato izraelite vijuan opercionet e tyre brenda strukturës, duke hapur zjarr kundër terroristëve. Të paktën 2 prej tyre vdiqën dhe nga ana tjetër, dhjetëra policë u plagosën teksa kërkonin kat më kat pengje të mbijetuar dhe terroristë, disa prej të veshur si gra për t’i shpëtuar arrestimit.
“Muxhahedinët të veprojnë kundër pengjeve”
Islamistët somalezë deklaruan se bëhej fjalë për një raprezalje në shenjë hakmarrjeje kundër ndërhyrjes ushtarake keniane në Somali. Objektivi u zgjodh sepse ishte një vend “takimesh midis drejtuesve kenianë dhe sepse aty ka dyqane hebree dhe amerikane… Para se të na akuzojë për viktima civile, Kenia duhet të pyesë veten mbi arsyet që e çojnë të bombardojë somalezët në kampet e refugjatëve… Viktimat myslimane nuk janë përgjegjësia jonë: ushtarakët na qëlluan dhe ne iu përgjigjëm zjarrit”, u shpreh Abulaziz Abu Muscab, zëdhënës ushtarak i intregalistëve islamikë në një intervistë për “Al Jazeera”-n.
Në një faqe interneti islamike, zëdhënësi i grupit ekstremist “Shaabab”, Sheikh Ali Mohamud Rage, deklaron: “Autorizojmë muxhahedinët brenda qendrës tregtare që të veprojnë kundër të burgosurve”.
Burime nga “The Guardian” thonë se pengjet e mbetura nën kontrollin e komandës islamike janë të paktën 13 të huaj, midis të cilëve arkitekti australian Ross Langdon dhe bashkëshortja e tij Elif Yavuz, 8-muajshe shtatëzënë.
“Vejusha e Bardhë”
Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm kenian, Xhozef Ole Lenku deklaroi për mediat se “thuajse të gjitha pengjet ishin shpëtuar dhe se mund të kishte mbetur vetëm ndonjë”. Sipas tij, sulmuesit janë mbledhur tani të gjithë në njërin prej supermarketeve të qendrës. Të gjithë burra dhe disa prej tyre me veshje femërore. Pra, duket se përgënjeshtrohet prania në kompleks me një rol komandues e së ashtuquajturës “Vejusha e Bardhë”. Është fjala për qytetaren britanike Samanta Ljudhuait, 29 vjeç, prej 11 vjetësh e konvertuar në myslimane. E mori këtë emërtim pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Xheramin Lindsei, një prej autorëve të atentateve të Londrës më 7 korrik 2007. Dyshohej se mbas këtij sulmi fshihej pikërisht ajo kur dëshmitarët treguan se midis sulmuesve kishte edhe gra.
Ministri përfundoi duke thënë se viktimat e fundit e rritën bilancin e të vdekurve në 62, por po aq figurojnë të zhdukur (duke përfshirë këtu edhe pengjet e mundshme).
Presidenti kenian: “Janë kafshë”
Presidenti i Kenias, Uhuru Keniata, bëri të ditur se nipi i tij dhe e fejuara gjenden midis personave të mbetur të vrarë dhe se përgjegjësit duhet të paguajnë për gjestin e tyre “të neveritshëm dhe kafshëror”. Nga ana tjetër Keniata siguroi se vendi i tij do të vazhdojë të luftojë terrorizmin në Somali, duke lënë të kuptohej se e gjithë sipërmarrja e muxhahedinëve nuk do të kishte asnjë ndikim mbi politikën e ndjekur nga qeveria keniane në Somali.
Ushtria keniane ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri e përkufizoi sulmin si një “ofendim të rëndë kundër kuptimit të përgjithshëm të së mirës” dhe i quajti terroristët “të pamëshirshëm e të çmendur”./ D.Gjuzi

njerez pa tru ne koke !