Është e vërtetë që Romni ishte një kandidat i dobët dhe më pak tërheqës nga perspektiva evropiane, megjithëse ‘recetat’ e tij ekonomike, më të mira se ato të Obamës, favorizonin një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë amerikane krahasuar me ato që ofronte Obama.
Ka diçka që nuk shkon në mënyrën se si shumë evropianë ndjekin ngjarjet politike. Publiku i gjerë, shpesh pamjaftueshmërisht i pamotivuar ose i keqmotivuar, bën ‘tifo’ në ngjarje të tilla si zgjedhjet në SHBA. Qëndrimet e evropianëve mbi atë që ndodh në pjesën tjetër të botës, sjellin një agregat qeverish dhe shtetesh, të lidhura me njëra-tjetrën nga linja të përbashkëta interesi, por pa pasur ndjesinë e përkatësisë së përbashkët, pa vullnetin dhe mundësinë për t’u bërë një komunitet i fortë politik.
Të marrim rastin e zgjedhjeve amerikane. Evropa bënte ‘tifozllëk’ për Obamën. Me çfarë motivacioni? Që qeveritë evropiane do të mbështetnin Obamën, kjo është e kuptueshme, sepse është më e lehtë të kesh të bësh me një administratë që tashmë është provuar dhe që i njihen pikat e forta e të dobëta. Në veçanti është e kuptueshme pse qeveria italiane mbështet Obamën. Marrëdhëniet e shkëlqyera midis kryeministrit italian Monti dhe presidentit amerikan, por, mbi të gjitha, sepse Obama është aleat i italianëve, në kontrast me ngurtësinë gjermane, janë një arsye e fortë.
Për t’i lënë qeveritë mënjanë, përse evropianët përkrahën presidentin në ikje? Për një seri arsyesh, thonë sondazhet. Përse nuk e pëlqenin ‘miliarderin’ Romni? Sepse Obama, edhe pse e humbi shkëlqimin e para katër viteve, është e kundërta e Bushit; sepse ai del nga luftërat në vend që të marrë pjesë në to (e ç’rëndësi ka nëse duke dalë mund të shkaktojë më shumë telashe); sepse Obama është përfaqësues i minoriteteve, e Amerikës multikulturore, sepse është politikisht korrekt, sepse mbi çështje të nxehta të etikës ngjan më shumë afër Evropës së shekullarizuar sesa me Amerikën fetare.
Është e vërtetë që Romni ishte një kandidat i dobët dhe më pak tërheqës nga perspektiva evropiane, megjithëse ‘recetat’ e tij ekonomike, më të mira se ato të Obamës, favorizonin një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë amerikane në krahasim me ato që ofronte Obama. Por, edhe pse republikan i moderuar, vazhdonte të ishte i kushtëzuar nga rrymat izoluese brenda partisë së tij, më pak të orientuara drejt lidhjeve transatlantike.
Obama ishte dhe është akoma i pranishëm në Evropë për të kërkuar masa që evitojnë krizën e euros, por kjo ka të bëjë me nevojat e varësisë globale financiare dhe ekonomike midis shteteve. Nuk ka të bëjë fare me zgjedhjet kulturore, politike apo me strategjitë e asaj që dikur e quanin ‘atlantizëm’. Një aleancë, edhe pse asimetrike, politike dhe ushtarake dhe ekonomike, midis demokracive të Amerikës dhe Evropës.
Qasja e jashtme, që më shumë mund të ndikojë negativisht mbi të ardhmen e Evropës, është e ashtuquajtura “Lindja e Madhe e Mesme”, nga ku vërshojnë infeksionet e ekstremizmit islamik, nga të cilat e kanë origjinën rryma të vazhdueshme të emigracionit që i drejtohen Evropës. Në Lindjen e Mesme Obama, përveç vrasjes së Bin Ladenit, koleksionoi një numër të gjatë mossuksesesh. Me shpalljen e tërheqjes së ushtrisë, hapi rrugën për humbjen perëndimore në Afganistan. Me pavendosmërinë e tij në Iran, Siri, Irak çorientoi aleatët tradicionalë, që nga izraelitët deri te sauditët. Më pas tregoi se nuk kishte asnjë strategji përballë lëvizjeve islamike që janë në pushtet në disa vende ose në pikën që mund ta marrin atë nga momenti në moment.
Është e drejtë të dialogosh me këdo, qoftë edhe me vetë Djallin, pa neglizhuar faktin që dialogu duhet të japë frytet e veta. Nëse është e vërtetë ajo që thuhet se ‘Amerika e Obamës së dytë’ do ta zhvendosë edhe më shumë gjeopolitikën e saj drejt Paqësorit, duke e lënë mënjanë një Evropë e cila nuk është në gjendje të menaxhojë situatën në Lindjen e Mesme (atë në Iran dhe në disa shtete të tjera), atëherë telashet janë vetëm në fillim.
evropianëve do t’u vinte për mbarë të çliroheshin nga njëfarë naiviteti dhe të fillonin të mendonin politikisht kur duhet të gjykojnë atë që ndodh në tokën amerikane, njësoj si në vendet e tjera.
Somario: Është e drejtë të dialogosh me këdo, qoftë edhe me vetë Djallin, pa neglizhuar faktin që dialogu duhet të japë frytet e veta.