Arkivat ruse: Pas mbledhjes sekrete të drejtuar nga Riza Dani, deputet i kuvendit popullor, me mbështetjen e kreut të Kishës Katolike në Shqipëri, Frano Dini, etj., nisi dhe u realizua më 9 shtator kryengritja e Shkodrës. Ndërkohë, Nako Spiro njofton se si pasojë e bllokimit të ndihmave ekonomike nga Jugosllavia, situata në vend është e vështirë.
Sipas arkivave sekrete ruse të viteve 1946-1961 për problemin Shqipëri-Kosovë, viti 1946, si pasojë e bllokimit të ndihmave ekonomike nga Tito, situata në Shqipëri është shumë e vështirë. Kjo sjellë dhe revoltën e Shkodrës (Kryengritja e Postribës) në 9 shtator 1946. Dokumentet origjinale të arkivave sekrete ruse (përfshirë në studimin e Hamit Kabës e Ethem Çekut), e sjellin këtë situatë nëpërmjet informacionit të 26 shtatorit 1946 që Nako Spiro përcjell në Moskë dhe letrën e 1 marsit 1947 mbi objeksionet e Partisë Komuniste të BS për PKSH…
* * *
(Bisedë e regjistruar e D. S. Çuvahin me ministrin e Ekonomisë
të Shqipërisë, Nako Spiru, mbi ecurinë e hetimit të ngjarjeve
në Shkodër dhe mbi punën e specialistëve sovjetikë në Shqipëri)
Tiranë, më 26 shtator 1946
Sekret
Sot në orën 1100, prita Nako Spiron, në godinën e Misionit.
Pasi mora të dhëna mbi atë që më 23-24 shtator, Byroja Politike diskutoi mbi njoftimin për kryengritjen e 9 shtatorit, të sekretarit të Komitetit Qarkor të Partisë së Shkodrës, Spiro Pano, i kërkova Nako Spirut të më fliste mbi ecurinë e hetimit të mëtejshëm të ngjarjeve të 9 shtatorit. Spiru më njoftoi si më poshtë:
Tani nuk ka dyshime, se në Veri është kurdisur një kryengritje serioze kundër regjimit ekzistues në vend. Qëllimi i kësaj kryengritjeje është rrëzimi i qeverisë demokratike popullore, rivendosja e pushtetit të borgjezisë. Kryengritja është përgatitur prej kohësh, dhe në të morën pjesë rrethet e gjera të katolikëve, myslimanëve dhe tregtarëve të mëdhenj. Në krye të këtyre grupeve reaksionare qëndronte kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, peshkopi aktual katolik nga Mirdita Frano Dini, dhe deputeti i Kuvendit Popullor nga Shkodra, katoliku* Riza Dani. Një etapë serioze në përgatitjen për kryengritje në Veri të vendit, ishte mbledhja e përbashkët e komplotistëve në fillim të gushtit të këtij viti, në shtëpinë e pasanikut të Shkodrës – katolikut Cin Sereqi, i cili kreu një veprimtari shumë aktive në kompaktësimin e grupeve të ndryshme reaksionare, dhe në organizimin e kësaj mbledhjeje të përbashkët. Sipas të dhënave ende jo të plota, në mbledhjen e gushtit morën pjesë: Frano Dini, Riza Dani, Cin Sereqi, Dule Kali (i cili është edhe hanxhi, pronar ekskluziv hotelesh, mejhaneve dhe lokaleve të tjera të ngjashme); në këtë mbledhje u përfaqësuan gjerësisht bajraktarë nga të gjithë rajonet e veriut: 6 nga Mirdita; 2 nga Dukagjini; 4 nga Puka; 6 nga Zadrima; 2 nga Postriba; myslimanët u përfaqësuan në këtë mbledhje nga 5 vetë (përfshi Dule Kalin); hierarkia më e lartë katolike u përfaqësua në këtë mbledhje, përveç Cin Sereqit që u përmend më lart, edhe nga 3 drejtues të Kishës Katolike në Shqipëri.
Në këtë mbledhje mbajti një fjalim politik, deputeti i Kuvendit Popullor, Riza Dani. Pasi foli mbi situatën e brendshme politike në vend dhe mbi “terrorin komunist”, Riza Dani iu bëri thirrje pjesëmarrësve, që t’i jepet fund diktaturës së komunistëve. Ai u përpoq të bindë dëgjuesit, se populli shqiptar gjoja është “me ne”, se populli e urren regjimin komunist në Shqipëri. Në pjesën kur Riza Dani foli për politikën e jashtme, sipas një versioni, gjoja ka deklaruar se “puna jonë është vetëm të fillojmë, më pas do të na ndihmojnë amerikanët dhe miqtë tanë grekë”. Riza Dani e përfundoi fjalën e tij me thirrjen, për të qenë të gatshëm për kryengritje.
Pas fjalës së Riza Danit, foli kreu i Kishës Katolike në Shqipëri Frano Dini. Duke rënë dakord me gjithçka kishte shprehur Riza Dani, ky drejtues i kishës katolike, premtoi të gjithë ndihmën e kishës që ai drejton për kryengritjen që po përgatitej dhe madje, premtoi të përgatiste siç duhej të gjithë priftërinjtë e famullive katolike, si dhe të drejtonte punën për propagandë midis popullatës.
Mbledhja u zhvillua në fshehtësi të plotë, dhe pjesëmarrësit e saj u betuan të jenë “të heshtur” për çka po përgatitej. Ranë dakord, që të mos u thoshin asgjë për çfarë po bënin edhe grave të tyre. Sipas të dhënave të paprovuara, kryengritja e përgjakshme kishte gjasa të ndodhte në 15 shtator të këtij viti.
Pyetjes, se si shpjegohet fillimi i parakohshëm i kryengritjes më 9 shtator, Nako Spiro iu përgjigj, se tani për tani, është vështirë të sqarohet kjo, sepse të arrestuarit japin të dhëna kontradiktore. Por, me sa duket, një nga shkaqet e kësaj duhet të jetë mungesa e organizimit të koordinuar. Kryengritja duhej të fillonte sipas këshillës së një farë Kolë Deda, i cili, me sa duket, ngatërroi direktivat që i dha qendra e komplotistëve. Pyeta, për masat që merr qeveria për likuidimin e mbeturinave të rebelimit dhe për masat për parandalimin e ngjarjeve të 9 shtatorit. Ministri nuk shprehu asgjë konkrete në këtë drejtim. Ai përsëriti ato që kisha dëgjuar nga Enver Hoxha e Koçi Xoxe dhe ato që kisha shkruar në ditarët e mi, të mëparshëm.
2. Mbi delegacionin e rinisë sovjetike në Kongresin e III të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë Nako Spiro u interesua për mundësinë e ardhjes në Shqipëri të delegacionit të rinisë sovjetike, e në rast se vinte, kur do të mund të ndodhte kjo. Pasi i theksova se rinia jonë do të ishte këtu miku më i dëshiruar, Spiro u interesua të dinte në se do të ishte e mundur që t’i thosha shokut Mihajllov (Komiteti Qendror i Bashkimit Komunist Leninist Pansovjetik të Rinisë) dhe t’i kërkoja atij, që të plotësonte patjetër “të gjithë dëshirat e shqiptarëve” (të dërgonte delegacionin e rinisë, instruktorin mbi Ballkaniadën dhe Kongresin, korrespodentin e “Komsomlskaja Pravda” dhe kino-operatorët). I thashë Nako Spiros, se dëshira e BRASH-it është dërguar në Moskë dhe se, pa marrë përgjigje nga Moska, tri ditë më parë, për herë të dytë i kërkova shokut Mihajllov që të shpejtonte zgjidhjen e të gjithë problemeve që kanë lidhje me rininë shqiptare.
3. Mbi punën e specialistëve sovjetikë
Në lidhje me kërkesën e Nako Spiros, për të dërguar edhe një specialist tjetër sovjetik të komanduar në Ministrinë e Ekonomisë, për problemet e gjeologjisë së mineraleve, unë i kërkova ministrit të më fliste për punën e specialistëve tanë të komanduar në Ministrinë e Ekonomisë. Nako Spiru foli mirë për punën e Troickit, Malkovit e Panovit, pasi theksoi se inxhinieri Panov, ka ndryshuar ndjeshëm e pozitivisht ritmin e tij të punës dhe tani, ka paraqitur një projekt të mirë të pajisjes së re të vakuumit, të cilën nuk mund ta bënin specialistët shqiptarë, megjithëse dispononin të njëjtat materiale. Edhe inxhinieri Nerubenko përpiqet, u shpreh Nako Spiru, por përsëri, ai nuk ka rezultate tepër pozitive në punë. Mbi punën e inxhinierit Kovanzhenkov, Nako Spiru vuri në dukje se ai, më tepër preferon të komandojë, të japë udhëzime dhe më pak të punojë. Këtu, Nako Spiru tregoi për një vizitë të pak kohëve më parë në miniera së bashku me Kovazhenkov-in e të tjerë. Ai tha, se pati raste kur Kovazhenkovi u përpoq të shtynte “për nesër” zbatimin e porosive të ndryshme të ministrit. Veç kësaj, Kovazhenkovi ka krijuar marrëdhënie aspak të shëndosha me specialistët shqiptarë, si Xega e të tjerë. Ai është i vrazhdë në qëndrimin ndaj njerëzve. Kovazhenkov, sipas Nako Spirut, nuk i studion gjithnjë thellësisht problemet teknike dhe në këtë mënyrë, dëmton shumë autoritetin e vet. Spiru, solli një rast, kur për shkak të qëndrimit sipërfaqësor ndaj problemeve teknike nga ana e Kovazhenkovit, atë “e shlyen” specialistët shqiptarë, të tillë si Zega. Pasi dëgjova një karakteristikë të tillë për Kovazhenkov-in, e pyeta Nako Spirun nëse e konsideronte të dobishme mbajtjen e mëtejshme të Kovazhenkov-it. Lidhur me këtë ministri tha, se të metat që kishte vënë re në punën e Kovazhenkov-it, mund të evitohen dhe si specialist ai duhet, qoftë edhe për kontrollin e punës së specialistëve shqiptarë, të cilëve Nako Spiru nuk mund t’u besojë plotësisht. “Në çdo rast – tha Nako Spiro, – neve na duhet shumë një inxhinier miniere”. Unë i thashë se mbi punën e mëtejshme të Kovazhenkov-it duhet menduar. Në përfundim, Nako Spiro kërkoi përsëri, që në Shqipëri të dërgohej një specialist i gjeologjisë në fushën e mineralogjisë. I dërguari i BRSS në Shqipëri. Dm. Çuvahin(Firma)
(Burimi:Sf ve, t. I AVP RF, F. 06, Op. 8, P. 22, D. 319, L. 123-127. Nr.120. Origjinal).
* * *
Njoftim i Sektorit të Politikës së Jashtme të Komitetit Qendror
të Partisë Komuniste Pansovjetike (Bolshevike) “Mbi Partinë Komuniste Shqiptare”. (Jo më vonë se 1 marsi i vitit 1947)
Tepër sekret
Moskë
Partia Komuniste e Shqipërisë, nga ana organizative u formua në vitin 1941 dhe gjatë luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj për pavarësinë e vendit u bë forcë politike udhëheqëse. Në fillim të Luftës Nacionalçlirimtare, në vitet 1939-1940, Partia Komuniste Shqiptare nuk përbënte në vetvete një parti unike. Ekzistonin tri grupe komuniste të veçanta: grupi i Korçës, Tiranës dhe i Shkodrës. Këto grupe kishin numër të pakët, vuanin nga sektarizmi, grupazhi dhe shpesh nga armiqësitë me njeri-tjetrin.
Interesat e luftës kundër okupatorëve kërkonin urgjentisht likuidimin e sektarizmit dhe grupazhit në lëvizjen komuniste dhe krijimin e një partie komuniste të vetme. Iniciator i bashkimit të këtyre grupeve komuniste ishte Grupi Komunist i Korçës, në të cilin rol të shquar luante Koçi Xoxe, tani sekretar organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare.
Bashkimi i grupeve komuniste shqiptare në një parti komuniste të vetme, u bë në konferencën e parë unifikuese, në fund të tetorit të vitit 1941. Për drejtimin e partisë u zgjodh Komiteti Qendror dhe Byroja Politike.
Aktualisht, Komiteti Qendror i PKSh, përbëhet nga 12 anëtarë dhe 6 kandidatë. Ndërsa Byroja Politike e Komitetit Qendror – nga 6 anëtarë. Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKSh është Enver Hoxha dhe sekretar organizativ i KQ – Koçi Xoxe.
Më 1 mars 1947, Partia Komuniste Shqiptare numëronte 12.361 anëtarë dhe 7093 kandidatë. Shtresa e punëtorëve përbën 15 %, fshatarët e varfër rreth 20%. Anëtarët e tjerë të partisë janë fshatarë të varfër dhe pjesërisht kulakë, zejtarë, studentë, intelektualë. Afërsisht e tillë është edhe përbërja sociale e kuadrove drejtues të partisë. Për nga arsimimi anëtarët e partisë ndahen si më poshtë: me arsim të lartë – 287 vetë, me arsim të mesëm – 629 vetë, me arsim të mesëm të papërfunduar – 1163 vetë, me arsim fillor – 8099 vetë dhe me arsim fillor të papërfunduar 2478 vetë. Ekzistojnë 10 organizata partie të prefekturave (qarqeve) dhe 53 të nënprefekturave (rajoneve). Organizata bazë të partisë janë ndërtuar sipas parimit prodhues territorial.
Partia Komuniste Shqiptare në mungesë të partive të tjera në vend është parti drejtuese. Nga 70 deputetë të Kuvendit Popullor, më shumë se gjysma e tyre janë komunistë, nga 13 ministra të qeverisë, 11 janë komunistë; në përbërjen e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik 5 janë komunistë, nga 18 anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Frontit Demokratik, 13 janë komunistë.
PKSh gëzon besim dhe autoritet të madh midis popullit shqiptar. Por, pa dashur të zbulohej para anglezëve e amerikanëve ndikimi i saj predominues në të gjithë jetën shtetërore e shoqërore-politike të vendit, komunistët nuk flisnin në emër të partisë së tyre komuniste. Aktualisht, drejtuesit e kësaj partie mendojnë se ka ardhur koha e legalizimit të plotë të veprimtarisë së Partisë Komuniste Shqiptare. Kjo masë do të forcojë ndikimin e partisë komuniste midis popullit dhe rolin e saj udhëheqës në vend. Komiteti Qendror i PKSh ka vendosur që ta diskutojë çështjen në kongresin e radhës të partisë. Komiteti Qendror po përpunon programin e statutin e partisë dhe do t’i paraqesë ato për miratim në kongres. Kongresi do të shqyrtojë edhe problemin e riemërtimit të Partisë nga PKSh në Parti e Punës e Shqipërisë.
Sipas mendimit të Enver Hoxhës e Koçi Xoxes, riemërtimi i partisë nga PKSh në PPSh është i përshtatshëm nisur nga fakti, se klasa punëtore është në numër e paktë dhe se 90% e të gjithë popullsisë në vend janë fshatarë. Rreth 80% e anëtarëve të partisë janë gjithashtu fshatarë…
Nisur nga sa më lart, udhëheqja e Komitetit Qendror, mendon se riemërtimi i Partisë nga PKSh në PPSh dhe miratimi i programit minimum demokratik, do të forcojnë lidhjet e punonjësve të qytetit e të fshatit me partinë e pushtetin demokratik.
Është e domosdoshme të theksohet, se Partia Komuniste Shqiptare, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore mundi të udhëhiqte luftën e popullit shqiptar kundër okupatorëve, kohët e fundit ka bërë një sërë gabimesh serioze. Radhët e saj janë të mbushura plot me elementë oportunistë, sektarë, përçarës e karrieristë. Në përbërje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, ka depërtuar një trockist i betuar dhe ideolog i restaurimit të kapitalizmit në Shqipëri, profesor Sejfulla Malëshova. Duke shfrytëzuar mungesën e parimeve, nivelin e pamjaftueshëm ideologjik të drejtuesve të Komitetit Qendror dhe mungesën e tyre për një politikë të fortë në çështjet e ndërtimit të pushtetit të ri popullor, Malëshova u bë udhëheqës faktik i Komitetit Qendror. Ai u përpoq me të gjitha mënyrat, që ta drejtonte politikën e partisë në rrugën e restaurimit të kapitalizmit në Shqipëri. Gjatë dy viteve të pasluftës udhëheqja e PKSh-së ndiqte verbërisht “këshillat” e Malëshovës dhe nuk bënte luftë me kapitalin privat. Nën maskën e nxitjes së iniciativës private (gjë për të cilën Malëshova insistonte shumë) sektori privato-kapitalist u forcua dhe zuri një pozitë sunduese.
Krahas kësaj, Malëshova frymëzonte reaksionin shqiptar për veprime të hapura kundër qeverisë së Enver Hoxhës dhe regjimit popullor në vend. Kështu, në fund të vitit 1945, një bandë e armatosur me rreth 1000 vetë, e mbështetur nga çetnikët e Malit të Zi dhe elementë të tjerë reaksionarë, bëri kryengritje në Shqipërinë e Veriut dhe u përpoq të pushtonte qytetin e Shkodrës. Trupat e ushtrisë popullore e shtypën menjëherë këtë kryengritje dhe e asgjësuan bandën.
Gabim serioz ka bërë Komiteti Qendror i PKSh nën ndikimin e Malëshovës, në përcaktimin e politikës së jashtme të qeverisë shqiptare. Komiteti Qendror nuk përpunoi një vijë të shëndoshë për orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë drejt Bashkimit Sovjetik. BRSS konsiderohej vetëm si aleat krahas Anglisë dhe ShBA.
Duhet theksuar, se një pjesë jo e vogël e përgjegjësisë për këto gabime, bie edhe mbi përfaqësuesit e KQ të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, e në veçanti mbi Velimir Stojniçin, të cilët, duke ndërhyrë brutalisht në punët e Partisë Komuniste Shqiptare, me këshillat e tyre jo të drejta dhe shpesh me udhëzime direkt, kanë frenuar ndreqjen e gabimeve dhe përcaktimin e një vije të drejtë në udhëheqjen e Partisë Komuniste Shqiptare. Kështu, për shembull, sipas këshillës së Stojniçit, Plenumi i Komitetit Qendror të PKSh në nëntor të vitit 1944 pranoi si anëtar të Byrosë Politike, Sejfulla Malëshovën. Vetëm në vitin 1946, Plenumi V i Komitetit Qendror i PKSh zbuloi gabime serioze të udhëheqjes së partisë dhe mori vendime të sakta për të gjithë problemet e politikës së brendshme e të jashtme…
Në fushën e politikës së jashtme, Plenumi shtroi para partisë, problemin e domosdoshmërisë së orientimit të politikës së shtetit shqiptar drejt Bashkimit Sovjetik. Plenumi i bëri thirrje të gjithë anëtarëve të partisë, që të popullarizohet më gjerësisht BRSS, si mbrojtësi më i sigurt e besnik i pavarësisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, Plenumi i Komitetit Qendror i bëri thirrje partisë, të forcojë marrëdhëniet miqësore e vëllazërore me Jugosllavinë.
Plenumi i KQ i dha një goditje vendimtare të gjitha tendencave oportuniste e përçarëse në parti. Ideologu e tellalli i oportunizmit e i përçarjes Sejfulla Malëshova, u përjashtua nga Byroja Politike e Komitetit Qendror…
Rol pozitiv në veprimtarinë e Partisë Komuniste Shqiptare, luajti spastrimi në parti, i kryer në vitin 1947. Për kryerjen e spastrimit u krijua Komisioni Qendror me në krye Koçi Xoxen. Në terren, komisionet verifikuese përbëheshin nga përfaqësues të komiteteve të partisë të prefekturave e nënprefekturave dhe nga sekretari përkatës i organizatës së partisë. Në organizatat e partisë të ushtrisë, komisionet përbëheshin nga komisarët e batalioneve dhe zëvendësve të tyre dhe sekretarët e organizatave të partisë të nënprefekturave…
Si rezultat i spastrimeve u përjashtuan nga partia 1264 persona, ose 11.07% e numrit të përgjithshëm të anëtarëve krahasuar me gjendjen në qershor të vitit 1946. Duhet theksuar, se rreth 60 % e të përjashtuarve, nuk ia kishin idenë partisë, qëllimeve e detyrave të saj. Spastrimi në parti i dha asaj mundësinë për t’u çliruar nga elementët armiqësorë e të sëmurë…
Analiza e veprimtarisë së partisë komuniste dhe e qeverisë që nga koha e Plenumit V të Komitetit Qendror, vërteton se udhëheqja e PKSh, ka nxjerrë mësime nga gabimet e veprimtarisë së saj të kaluar dhe është vënë në udhë të mbarë.
* * *
Por, pavarësisht nga të gjitha këto vështirësi, Partia Komuniste e Shqipërisë, e re dhe me pak përvojë, e cila mbështetet në masat e gjera të popullit, lufton me sukses kundër reaksionit të brendshëm e të jashtëm dhe e drejton me vendosmëri vendin e vet, në rrugën e zhvillimit demokratik.
(Burimi:Sf ve, t.I RGASPI, F. 575, Op. 1, D. 9, L. 34-38. Nr.150, Origjinal)
(Vijon nesër)

Shqipetari Maleshova e kuptoi para Titos se ne c’rruge duhej zhvilluar socializmi,se c’duhej bere e cfare s’duhej bere;ndersa Stalini kete s’arriti ta kuptonte dot!!
Sa shume energji u harxhuan kot sepse fitoi injoranca dhe jo mendja e ndritur e Sejfullait me shoke!!
Nëse do të kishim dashur një pergjigje më afër për Sejfulla Malishovën ai ka qen dhe përgjithmonë do të mbetet figure shume e madhe e kombit shqiptar. Bukur mirë e kuptuan Jugosllavët se Sejfulla Malishova kishte bindje dhe vizione më të qarta për ndërtimin dhe nxjerrjen e shpejt të Shqipërisë prej asaj gjendje të mjerueshme ekonomike sociale dhe kulturale. Por Enver Hoxha bëri atë që e detyruan Velimir Stoiniqi dhe gjithë UDBËN Jugosllave, për të cilës ishte i lidhur Enver Hoxha. Shqipëria ka pas të tillë burra, ka edhe sot por janë penges e intereseve të ngushta dhe shërbimeve të klaneve të ndryshme.
Çështja e mardhënieve politike, ekonomike e Shqipërisë me Jugosllavët, posaçërisht me Titon gjatë LNÇ sidomos gjat viteve 1943 – 1947, ishte me tradhëti të plotë. Enver Hoxha këtë këtë e kishte shumë të qartë, për këtë ai tradhëtoi çështjen e Kosovës, Çamërisë dhe tokat shqiptare u copëzuan në pesë shtete. U poll një shtet i paqënë Maqedoni, e cila sot është e mbarsur me shumë probleme. Enver Hoxha tradhëtin e vetë e tregoi prej mbledhjes së Bunjat, kur e shpalli luftën vëlla vrasëse. Por ky gabimet e veta i polli në koka e shokëve të vetë të cilët i likuidoi si kuisling, tradhëtar bashkëpunëtor, agjent e çka jo. Por harroi gjithë atë ta përfundon se vet ishte kryetari i horlliqeve komuniste. Mjer shqipëria dhe shqiptarët se prej kujt pritshin liri dhe cilin e llogaritshin baba të kombit. Enver Hoxha kishte gen krimineli,vrau dhe cilin nuk e vrau, burgosi dhe likuidoi shumë koka të fuqishme. Sot shqiptarët kudo që janë duhet të ken turp dhe tju vij mbarre ta kujtojnë atë hor,kriminel. Mjerimi është edhe më i madh kur dëgjon njerëz të cilët e përkujtojnë dhe prrulën para asa figure trishtuese dhe kriminale. E gjatë do të ishte lista lista me emrat e personave të zhdukur dhe politikisht të dënuar. Krejt kjo na argumenton se Enver Hoxha shumë ka pas frigë prej kokave të mençme dhe të zgjuara. Të mjerët ne kujt i kemi kënduar dhe i kemi besuar. A dënohej homeri shqiptar At Gjergj Fishta dhe mbar intelegjenca shqiptare e të gjitha brezave. Mjer ajo Shqipëri që i ka dhan varr …