Në Italinë e viteve ’90, ndodhi një revolucion juridik, i mbiquajtur i “duarve të pastra”. E filloi prokurori Antonio Di Pietro me çështjen “Tangentopoli”, e cila, fillimisht, kapi në rrjetë peshkun e vogël Mario Chiesa dhe përfundoi tek peshkaqenët Craxi e Andreotti. Në këtë mënyrë, revolucioni i “duarve të pastra” përmbyti një klasë të tërë politike, që për 40 vjet ishte krimbur nga korrupsioni.
Në qoftë se një gjë e ngjashme ndodh sot në Shqipëri, kam përshtypjen se të paktën 90% e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë publikë do të përfundonin në burg, ose do t’ia mbathnin jashtë Shqipërisë. Përdora fjalën përshtypje, sepse nuk kam fakte konkrete për korrupsionin e 90% të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Dhe përshtypja më është krijuar nga disa vrojtime personale në ambjentin që më rrethon.
Për shembull, unë e kam rrogën mujore (në një institut privat) më të lartë se çdo zyrtar publik në Shqipëri. Kjo rrogë më ka krijuar mundësinë të kem një veturë komode, por jo aq luksoze sa veturat personale të shumicës së zyrtarëve të lartë publikë që unë njoh. Rroga ime më ka krijuar mundësinë të kem një shtëpi komode, por jo aq luksoze sa ato të shumicës së zyrtarëve të lartë publikë që unë njoh. Rroga ime më ka krijuar mundësinë të bëj pushime verore e dimërore komode, por jo aq luksoze sa ç’i bëjnë shumica e zyrtarëve te lartë publikë që unë njoh. Për të mos folur pastaj për një shtëpi pushimi në plazh apo në mal…
Dhe pavarsisht nga çfarë shkruajta më sipër, unë marr pjesë në zgjedhje. Dhe gjithnjë kam qenë partizan i rotacionit të pushtetit…
Për shembull, fushata e Berishës në 2005-ën me moton “Me duar të pastra” nuk më bëri të besoj se do të ndodhte në Shqipëri ajo që kishte ndodhur në fillim të viteve ’90 në Itali, por sidoqoftë, e përkraha publikisht rotacionin e pushtetit. Dhe në fakt, “mamuthi i korrupsionit” Nano, siç e quante atëherë Berisha, nuk përfundoi në burg, por ekonomia shqiptare pati një hov të dukshëm në 4 vjetët e para të qeverisjes së re. Investimet publike arritën pothuaj 9% të PBB-së, nga 4.5% që kishin qenë, ndërsa vëllimi i tregëtisë me pakicë (në sasi, jo në vlerë) puthuaj u dyfishua.
Por në mandatin e dytë të Berishës, uji i ndënjur ka filluar të qelbet. Investimet publike kanë zbritur përsëri në nivelin 4.5% të PBB-së dhe vëllimi i tregëtisë me pakicë është pakësuar 12% në krahasim me qershorin e 2009-ës. Për të mos folur për rënien që ka pësuar Shqipëria në indeksin e demokracisë, të matur çdo vit nga revista britanike “The Economist”.
Aktualisht, PS-ja po akuzon përditë për korrupsion Berishën dhe familjen e tij biologjike e politike, ashtu siç bënte Berisha ndaj Nanos & co. para 2005-ës. Dhe kjo gjë gëzon shumë militantë të PS-së, e ndoshta u jep shpresë se do ta shohin në burg Berishën & co. për milionat e eurove që akuzohen. Por mua s’më ha buza kulaç…
Unë e disa si unë jemi partizanë të rotacionit, sepse mendojmë se ekonomia dhe demokracia përfitojnë nga ndërrimi i herëpashershëm i pushtetit. Qendrimin e gjatë të një partie në pushtet e kemi provuar ne shqiptarët dhe e dimë se ç’pasoja sjell për ekonominë dhe demokracinë…
Ndërsa forcimi i shtetit të së drejtës, i cili është antidoti më efikas kundër korrupsionit, nuk është një gjë që realizohet thjesht me një rotacion pushteti. Vërtet Craxi e Andreotti u dënuan nga drejtësia në vitet ’90 dhe parti të reja u krijuan në Italinë fqinje, por shteti i së drejtës ende s’e ka fituar atje betejën me korrupsionin …
Leave a comment