Ndërkohë që afrohet 21 dhjetori, data që na është servirur si parashikimi i fiseve maja për fundin e botës, Zyra Hapësinore Amerikane, NASA, bën të ditur se asnjë rrezik nuk e kërcënon jetën në Tokë.
Një ndër spekulimet më të mëdha në internet është përplasja me planetin Nibiru, i quajtur ndryshe planeti X ose planeti i dhjetë, i cili supozohet se ndodhet në sistemin tonë diellor, por nuk është parë ndonjëherë. Në sqarimin e saj, NASA bën të ditur se nuk ekziston asnjë rrezik i tillë, pasi nëse do të kishte ndonjë trup që mund të përplaset me Tokën në 21 dhjetor, tani ai do të ishte i dukshëm me sy të lirë.
Ndërkohë, në lidhje me përfundimin e kalendarit maja, i cili mbaron pikërisht në 21 dhjetor, NASA jep një tjetër shpjegim logjik. “Kalendari maja nuk mbaron më 21 dhjetor, ashtu siç ndodh me kalendarin e varur në murin e kuzhinës tuaj, i cili rifillon më 1 janar të vitit tjetër. Ashtu edhe kalendari maja mbaron më 21 dhjetor dhe nis një cikël të ri pas kësaj date”, thuhet në raportin shpjegues.
Ndërkohë, NASA përjashton çdo skenar tjetër si përthithja e planetit nga një vrimë e zezë, ndryshimi i poleve, kthimi mbrapsht i fushës magnetike apo radhitjen e planetëve në një vijë të caktuar, që mund të shkaktojë errësirë totale për dy ditë. Ekspertët e hapësirës theksojnë se nuk ekziston asnjë argument shkencor që të lërë dyshimin më të vogël për fenomene të tilla.
Afrimi i datës 21 dhjetor po shoqërohet me ankth tek një kategori vulnerabël e njerëzve, të cilët në disa raste kanë shkuar edhe drejt vetëvrasjes. Por më shumë se asnjë gjë tjetër, 21 dhjetori 2012 mund të thuhet se ka qenë një ide shumë e mirë për të nxjerrë para në kohë krize. Qindra filma me këtë temë kanë shënuar rekord shikuesish dhe miliona kopje librash janë shitur që prej tre vjetësh.
mendoj se NASA ka shume te drejt dhe se kto jan punet e zotit e nuk na takon te shprehim gjera pa fakte apo imagjinata te cilat sjellin panik . ky do jete mashtrimi i radhes nga shkenctaret .flm