Nasho Jorgaqi, larg dhe afër botës arbëreshe

Ornela

Prof. Bardhosh Gaçe

Pas Luftës së Dytë Botërore rrugët dhe burimet për të bërë të njohur kulturën e hershme, dhe kontributet aktuale të arbëreshëve të Italisë kanë qenë të shumta.

Në rrethin e kulturologëve, studiuesëve dhe hulumtuesve të kësaj kulture, e cila është një fond jashtëzakonisht i rëndësishëm për gjithë kulturën shqiptare, qoftë ajo folklorike, gjuhësore, historike janë shfaqur mjaft personalitete të fushës së dijeve letrare dhe gjuhësore, folkloristike dhe etnologjike që kanë sjellë një korpus të rëndësishëm studimesh me vlerë. Ata, të cilët përveçse e kanë evidentuar këtë zhvillim në këtë letërsi, i kanë dhënë asaj vendin dhe në kulturën shqiptare në përgjithësi.

Në këtë vlerë të rëndësishme, një kontribues i shquar, një studiues dhe interpretues shkencor ka qenë dhe ka mbetur Prof. Nasho Jorgaqi, i cili sjell një këndëvështrim konkret për çështjet më fondamentale të kësaj kulture.

Nasho Jorgaqi ka pasur një kontakt të vazhdueshëm me kulturën dhe letërsinë arbëreshe, duke e prekur vetë këtë realitet, si një pjesë e madhe e studiuesve të kulturën popullore shqiptare, dhe të niveleve të tjera letrare dhe gjuhësore. Ky kontakt, dhe kjo mundësi njohjeje që i është krijuar profesor Jorgaqit e ka kthyer në një kontribur shkrimor, hulumtues, interpretues për lexuesin në përgjithësi.

Nasho Jorgaqi është një nga studiuesit e letërsisë arbëreshe, i cili veçon për këndvështrimin origjinal të dukurive dhe fenomeneve shoqërore dhe ato letrare, të cilat konvergojnë në një produkt letrar poetik dhe të zhanreve të tjera letrare, që ai i sjell përmes një leximi konkret të kësaj letërsie, që nga burimi i hershëm deri në ditët tona. Si të tilla, përgjithësimet për këtë letërsi janë një udhërrëfyes i nevojshëm dhe i rëndësishëm për të lexuar dhe kuptuar mirë poezinë dhe letërsinë arbëreshe në përgjithësi dhe atë bashkëkohore në veçanti.

Ndryshe studiuesve të tjerë, në studime përgjithësuese, siç është parathënia e librit “Degë e blertë” (Antologji e poezisë së sotme arbëreshe, Tiranë 1980), në studimin me titull “Imazhi i Shqipërisë në poezinë e sotme arbëreshe”, në parathënien e librit poetik të poetit Vorea Ujko “Hapma derën zonja mëmë” dhe në përcjelljen e poetit bashkëkohor arbëresh Zef Skiro di Maxho, të titulluat “Ishuj”, si dhe në përgatitjen e librit me meditime dhe udhëtime “Larg dhe afër”, (Tiranë 1987), studiuesi Jorgaqi ka afruar një kontribut të çmuar për çështjet e prekshme të zhvillimit të kësaj poezie dhe letërsie në përgjithësi.

Në këtë angazhim ai ka interpertuar kohën, ngjarjet, zhvillimet e rrymave letrare, metodave, konteksteve historike dhe shoqërore, çështjet e brendshme të zhvillimit të poezisë, çështjet e gjuhës, ruajtjen e traditës dhe zhvillmet bashkëkohore, autorë të veçantë dhe arsyetime të tjera estetike të kësaj poezie.

Letërsia arbëreshe në vetvete ka përbërë një “ndërgjegje të kombësisë” në të cilën ka pasur një tregues të dukshëm të lidhjes së thellë të “gjakut të shprishur të Arbërit” me atdheun e të parëve, me ç’rast ka bërë të pranishme kërkesa të tilla, si atë të luftës për të ruajtur gjuhën amtare, kulturën shpirtërore e materiale, të drejtën për shkollën arbëreshe, hulumtimin e traditës, pohimin e të qenit të tyre si etnitet dhe kombësi. Në këtë tablo të gjerë, Prof. Nasho Jorgaqi interpretimin dhe studimin e poezisë arbëreshe në veçanti e ka trajtuar mbi dy koncepte të gjerësishme:

-mbi konceptin kohor, atë të kohës së De Radës, Santorit dhe Serembes, dhe të kohës së vonë, me karakteristikat e secilës kohë,

-mbi konceptin e autorëve të spikatur të kësaj letërsie, veçmas të atyre të pas Rilindjes të pas Pavarësisë me një prirje të vazhdueshme nga njëra kohë në tjetrën, atë të imazhit arbëresh për Skënderbeun, atdheun e Arbërit dhe të Shqipërisë. Në këto hallka duket se rrjedh dhe gjithë zhvillimi letrar poetik i letërsisë arbëreshe deri në ditët tona.

Jorgaqi, në një varg studimesh vëren se shfaqjen e parë fillestare kjo poezi e pati përmes folklorit, që kishte të bënte me objektin e saj themelor (Motin e Madh) Skënderbeun, mbi të cilin u ngrit dhe letërsia e kultivuar arbëreshe. Në themelin e kësaj poezie qëndrojnë De Rada, Dara, Santori dhe Z. Serembe, të cilët shkruan poezi mbi funksionin e imagjinatës dhe intuitës artistike, e cila përkonte me metodën e romantizmit. Që nga De Rada e më pas letërsia u shfaq si një shqetësim për fatin e gjakut të Arbërit në dheun e huaj, lidhja me historinë dhe atdheun, e cila në vevete mori dhe një funksion jashtëletrar, si vazhdim i traditës.

Zef Serembe ishte më afër realitetit social se De Rada dhe Santori, pasi në poezinë e tij bëhet e pranishme jehona e luftës çlirimtare në Shqipëri, e cila nga ana tjetër përkonte dhe me një përfytyrim poetik më afër të vërtetës se sa metoda e romantizmit. Letërisa arbëreshe në vetvete ishte dhe angazhim social, historik për çështje fondamentale të arbëreshëve, të cilat i mori në reflektimin e vet dhe poezia apo ndonjë lloj tjetër krijimtarie. Vlerësimi dhe angazhimi lidhur me lëvizjen kombëtare, që vijoi edhe pse Rilindja kombëtare, e mbylli epokën e saj, ajo vazhdoi me një temë të mprehtë, atë të gjallimit të ndërgjegjes kombëtare me shqetësimet dhe problematikën e tyre bashkëkohore.

Pas një llojë pauze, e cila lidhet me rrethanat historike dhe ato të arbëreshëve e të shtetit italian, kryesisht pas Rilindjes, vëren studiuesi Jorgaqi, një zgjim si prej feniksi, ishte ardhja e një plejade të re të poetëve të horës arbëreshe, të cilët nuk e harruan atdheun e origjinës. Poetë si A. Ribeko, K. Serembe, F. Krispi, Gllaviano, T. Guidera, S. Braile, Kadikamo, O. Kaporeli, Z. Skiroi, në një kohë që përkonte me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, përbën rilindjen e kësaj poezie (dhe letërsie), në thelb patriotike. Librat e kësaj kohe si vëllimi “Kthimi”apo “Këngët e liktorit”, pavarësisht vështirësive për shkak të shumë rrethanave, kanë një tendencë të përvojës së hershme të kësaj poezie, për të kapur dhe trajtuar imazhin e vendit të të parëve dhe pse larg realitetit të një Shqipërie fizike. Kjo poezi, pavarësisht përdorimit të një gjuhe të ngushte dhe gati arkaike shqipe, vëren Nasho Jorgaqi, ka përdorur zakonisht një gjuhë të përbashkët, nën një bashkëdakordësi të pranuar, të njohur ndryshe “një komb, një gjuhë. ”

Deri në gjysmën e dytë të shekullit të XX, poezia arbëreshe do të ishte me forca të pakta krijuese, por mbijetesën ajo e gjente tek folklori, përmes bardëve të katundeve arbëreshe, pas të cilës fillon dhe një epokë tjetër e saj, që me të drejtë do të quhet dhe letërsia bashkëkohore arbëreshe. Në këtë situatë, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në poezinë arbëreshe do të shfaqet poeti i mërguar në Argjentinë Dushko Vetmo, i cili plagën e thellë të mërgimit, i cili në vitin 1946 do të botonte vëllimin poetik “Burbuqet e egra”, ku shquan poezia revokuese “Atdheu”, me të drejtë mund të konsiderohet dhe metafora e propozuar për poezinë bashkëkohore arbëreshe. Vetmo do ta ketë “credo” atdheun në poezinë e tij.

Letërsia arbëreshe bashkëkohore është kryesisht një letërsi poetike, për shkakun e qartë se ajo i përgjigjet flakë për flakë shqetësimeve bashkëkohore, dhe si e tillë, ajo paraqitet si një poezi lirike. Gati e gjithë poezia arbëreshe, shënon Jorgaqi, ka një lloj heroi, i cili është njeriu i thjeshtë, punëtori, patrioti, njeriu i mençur e krenar që nuk i shkëput lidhjet shpirtërore me atdheun. Tek poetët Dushko Vetmo dhe Ll. Perrone, si dhe tek poetë të tjerë, poezia ka një fryme prej Rilindjes sonë Kombëtare, kryesisht atë të imazhit të Rilindjes, por që perceptohet estetikisht përmes meditimit, gjendjes emocionale, evokimit të historisë si paralelizma të kohëve, që në çdo rast i çon tek mëma e lashtë, ku rri i pamort kujtimi i Skënderbeut. Poeti shkruan:”një burbuqe e kaltër u çel, / në horizontin ka Arbëria” (“Moj mëma Arbëri”. Dushko Vetmo) Ndryshe Vetmos, tek Perrone atdheu shihet përmes një gjendjeje idiliteti dhe me nota malli. Pra, ajo që bie në sy, tematikisht, krahas temës patriotike, malli për Shqipërinë, përbëjnë motivin bazë dhe frymëzimin e parë të çdo poeti arbëresh.

Në “prerjet” kohore dhe tematike të poezisë arbëreshe një temë tjetër e trajtuar është dhe ajo shoqërore, që zë një vend të rëndësishëm. Ka një moment interesant në këtë shqetësim të brendshëm poetik. Ajo ka të bëjë me gjendjen e individit, i cili ndodhet në një situatë pa rrugëdalje. Kjo botë poetike arbëreshe, “përkthehet” stilistikisht përmes peizazheve të ftohta, të bardha dhe të akullta, shprehur në motivet me shira, vetëtima, me qiriun në errësirë, që në kontekstin e zhvillimeve, reflekton një tendencë dhe një nevojë për të qenë i lirë. Ndërsa lirika i këndon bukurisë, punës, bariut, minatorit, peizazhit, bukurive të natyrës, hënës, diellit, lumit malit, pa qenë thjesht erotike.

Në kronologjinë kohore të zhvillimit të poezisë arbëreshe, një moment i rëndësishëm dhe i qartësuar është poezia e një brezi të ri, kryesisht ajo e viteve ‘80-të të shkullit të XX, me ç’rast poetët arbëreshë arritën ta preknin fizikisht Shqipërinë, Atdheun e të Parëve, të revokuar që para De Radës, Darës së Ri, Santorit dhe të tjerëve të brezit më të moçëm e në vazhdim. Ky çast ishte një situatë e re në poezinë arbëreshe, e cila përcillte raporte të tjera më racionale se në rastet kur poetët arbëreshe motivoheshin dhe frymëzoheshin vetëm mbi imazhet dhe përfytyrimet. Të kësaj kohe janë poezitë e Voreo Ujkos (libri “Këngë arbëreshe” dhe “Burimi”), të Xhuzepe Skiro di Maxhios (vëllimi “Përtej maleve, prapa kodrës”), Xhuzepe del Gaudios (libri poetik “Zemër arbëreshe”), Xhuzepe di Modikës (vëllimi “Segmenti” dhe “Pështypje”), Karmel Kandrevës (vëllimi “Shpirti i arbërit rron”), e më pas poetë të tjerë si: K. Cukaro, F. Altimari, V. Belmonte, M. Ferrari dhe të tjerë.

Poezia e kësaj kohe shpalos dashurinë e poetëve arbëreshë për Shqipërinë, ku atdheu i tyre rroket në dimensione reale, në të cilin gjenden rrënjët e lashta, historia dhe gjuha amëtare. Kjo poezi, krahas sensit dhe temës patriotike, zgjeroi dhe tematikën e saj, pa harruar asnjëherë historinë. E përfshirë në zhvillimet moderniste, shënon N. Jorgaqi, poezia arbëreshe ka ruajtur një vijimësi interesante, pasi në të është shpalosur mjedisi i katundit, gjuhës, zakoneve dhe sjelljes, kujtimeve dhe ngjarjeve të festive. Pas kontaktit me Shqipërinë, me mjedisin e gjerë, të cilin vetëm e kishin përfytyruar, ata sollën një larmishmëri të madhe profilesh poetike, të cilët kishin lidhje me një realitet konkret.

Në një parathënie mbi poezinë e Zef Skiro di Maxhos, studiuesi i çmuar Nasho Jorgaqi e konsideron poetin e vëllimit “Ishuj” të botuar në Shqipëri në vitin 2007, një figurë qendrore të konstelacionit poetik arbëresh të kohëve moderne, i cili pavarësisht distancave gjeografike, atë e kanë ushqyer rrënjë të njëjta, prandaj ai shkruan me të njëjtën gjuhë dhe është shprehje e një komuniteti të përbashkët etnik. Di Maxho është nga Sicilia, një nga vendet ku komuniteti arbëresh është ndër më të mëdhenjtë, nga vatra e Lekë Matrëngës, si dhe e iluministit Gj. Guxetës, të dijetarëve Dh. Kamardës, P. Skiroit, N. Borxhia, G. Petrotës, të gjuhëtarit M. La Piana, e të poetëve N. Brankati e Z. Skiro. (N. Jorgaqi: “Poeti i Itakës arbëreshe në Di Maxho “Ishuj”, Tiranë 2007, fq. 6)

Zef Skiro di Maxho është poet lirik, shënon N. Jorgaqi, epik dhe satirik, dramaturg, përkthyes, publicist, veprimtar i lëvizjes arbëreshe, një emër simbol i bashkësisë etnike. Ai vijoi traditën epike të De Radës dhe të Darës, ku shquajnë kryetemat e tij: mbijetesa dhe jetesa arbëreshe, themeli i të cilës është historia. Mitin e të shkuarës Di Maxho e sheh në optikën e të ardhmes. Shkroi përmbledhjet poetike (krahas njëzetë përmbledhjeve poetike) librat e njohur “Sunata” dhe “Më parë se të ngriset”, si dhe poemat epike të natyrës tregimtare “Nëpër udhët e Parrajsit shqiptar dhe arbëresh” dhe “Fatosat”, më pas librin “Fotofjalë” (një vepër e qartë moderniste, jo vetëm në poezinë arbëreshe, po dhe në atë shqiptare).

Në të gjithë poezinë e Di Maxhos ndjehet qartë angazhimi atdhetar dhe ai qytetar, i cili shfaqet në “kohën e vet”, d. m. th në kohën e poetit. Poetin e shqetëson realiteti bashkëkohor arbëresh me çështjet e saj, si globalizmi, çështja e një komuniteti etnolinguistik arbëresh, që duhet të përballojë globalizmin. Ai e nderon gjuhën e katundit si një themel, i cili e ruan gjuhën arbëreshe, pasi katundi sipas tij është mëma e simboleve, mikrokozmosi arbëresh me kroin, ullirin, pleqtë, udhën, vreshtat, të cilat bartin kuptime ekzistenciale. Një dedikim të kësaj natyre, kryesisht të katundit e hasim në vëllimin “Metaforë”, ku katundi përbën dhe një “Arbëri të vogël”.

Një shembull i mrekullueshëm i poezisë dhe poetit tek Di Maxho është dhe çështja e heroit lirik, i cili më së shumti paraqitet arbëreshi i të gjithë kohrave, i ardhur që nga “Moti i Madh”, që vazhdon të ecë pa u ndalur dhe në kohën e poetit. Ky arbëresh është një individualitet i spikatur, me cilësitë dhe atributet më të mira të tij. Duke rrokur në tërësi historinë arbëreshe, poezia e Di Maxhos zbulon gjithashtu dhe fatin e bashkësisë arbëreshe, si një dukuri njerëzore, ku shfaqen dhe kontaktet e rëndësishme arbëresh-shqiptar i Shqipërisë dhe shqiptar i Kosovës, të perceptuara mrekullisht në poezitë “Udhëtimi i parë”, “Kosova lule” dhe në disa poezi të tjera të kësaj natyre. Sipas studiuesit Nasho Jorgaqi, poezinë e Di Maxhos e përshkon një ndjeshmëri e madhe njerëzore.

Poeti Voreo Ujko në vështrimin e Jorgaqit përbën një “rrënjë të fortë e rrënjëve arbërore”, si një i “ngadhnjyer mbi vdekjen dhe harresën, mbi kohën dhe hapësirat që e kanë ndarë nga atdheu”, i cili bashkë me D. Vetmon e Ll. Perronen e ringjallën poezinë e De Radës dhe të Serembes në kohët moderne. Vorea Ujko bëri një jetë tipike mërgimtari në dhe të huaj dhe me sakrifica, pjesë të të cilave u shndërruan në poezi, në përjetime, si dhe në formimin e një karakteri të qëndrueshëm të atdhetarit, të lidhur me rrënjën e origjinës. Studiuesi ka një “përkufizim” konkret kur flet për Vorean poet: “Thelbin e vet poetik Vorea e kishte shpallur me fjalët se poezia nuk mund të jetë “regjistruese e thjeshtë dhe e rastit”, por një radar i fuqishëm, që jo vetëm i kap shqetësimet e brengat e njeriut, por edhe i shndërron ato në shpresa e siguri. ” (N. Jorgaqi: “Bardi i madh arbëresh”, në Vorea Ujko “Hapma derën zonja mëmë”, Tiranë 1990, fq. 6)

Vorea Ujko ishte poeti i shqetësimeve të madha arbëreshe dhe njerëzore. Në librat poetik “Zgjimet e gjakut” (1971), “Kosovë” (1973), “Mote moderne” (1976), “Ankth” (1978), “Stinët e mia” (1980) lëvrin brenga, krenaria dhe dashuria arbëreshe për historinë, njerëzit dhe thirrja për qëndresë. Në gjithë poezinë e Ujkos, shënon Nasho Jorgaqi, “heroi, … është arbëreshi në raport me atdheune të parëve dhe me botën që e rrethon.

Vorea Ujko takimin fizik me atdheun e të parëve e përjetoi shpirtërisht, poetikisht dhe me një prodhim të jashtëzakonshëm poetik. Ai në këtë rast do të shkruante një nga shprehjet më brilante: “kam ecur pesëqind vjet me këngë arbëreshe në buzë, për të ardhur te kjo tokë, ku “nga të gjithë unë ndihem i mbrojtur”, prandaj “dhe juve ju fal këngën time. ”. Frymëzime të tilla nga Shqipëria poeti i reflektoi në dy vëllime poetike, posaçërisht të titulluar “Këngët arbëreshe” dhe “Burimi”, pasi siç shënon në përjetimet e tij, ai thotë se “Sapo vë këmbën në Shqipëri, poezia më buron vetvetiu, më gufon zemra, dua të këndoj. ” Si shumë poetë të tjerë arbëreshë, Vorea Ujko u këndoi arbëreshëve, i këndoi atdheut të lashtë të tij, ku shquan një testament brilant përmes një vargu poetik “Hapma derën, zonja mëmë…”, që titullon dhe librin poetik të tij, botuar në Shqipëri në vitin 1990, si një nga metaforat më të ndjera të një shpirti të zhuritur nga largësia dhe nga kohët e largëta.

Një refleksion jashtëzakonisht i rëndësishëm në poezinë arbëreshe, shënon N. Jorgaqi, janë motivet që poetët arbëreshë sollën në këtë poezi nga frymëzimet që ata morën kur prekën atdheun mëmë, Shqipërinë. Del Gaudio e ndien veten si në shtëpinë e tij kur shëtit maleve e kodrave të Shqipërisë, ku shquan se “në këtë vend, bukuria më e madhe është populli, që di të luftojë, të punojë, të dashurojë si askush në botë”. Ndërsa Kandreva ka një shqisë idiliteti për arsyen më të vjetër të njerëzimit, kur shënon për Shqipërinë si vendi “ku mbijnë lule lirie.

Siç shihet, poezia arbëreshe e kësaj kohe shpalon motive dhe qasje interesante meditimi, momente dhe situata psikologjike, gjendje shpirtërore të trazuara nga kontakti me atdheun e tyre fizik. Poetët arbëreshë shpalosin botën e tyre poetike plotësisht në një gjendje idiliteti dhe dashurie krejt të sinqertë. Ata përpiqen të vizatojnë gjithçka shohin, njerëzit, natyrën, historinë, dashurinë dhe gjërat që nuk i sheh syri “Oh, sa ulërinte ajo heshtje plot mirazhe dashurie…!” (Di Maxho), deri në motivet ku tingëllon një krenari e përbashkët me shqiptarët “Arbëri më e fortë, më e zjarrta e më e forta. ” (Del Gaudio). Poetët arbëreshë sollën një qasje bashkëkohore në poezi, pavarësisht një gjuhe jo shumë të pasur, por edhe lidhur me konceptet politike bashkëkohore, që reflektuan në jo pak poezi dhe poetë, ku shquan një tendencë e qartë sinqeriteti dhe dëshire për të shkruar në gjuhën letrare shqipe.

Studiuesi i përkushtuar Nasho Jorgaqi e ka prekur nga afër realitetin arbëresh, e ka përjetuar së brendshmi atë. Libri “Larg dhe afër” Tiranë, 1987, me shënime udhëtimi dhe meditime, ku bien në sy udhëtimet nëpër trevat arbëreshe, kontaktet me arbëreshët, mënyrën e jetesës, lidhjet me atdheun e lashtë, ruajtjen e qenësisë së bashkësisë etnike, ritet, doket, zakonet dhe gjuhën. Shënimet janë sintezë e gjithë kulturës arbëreshe, historia e trishtuar e “gjakut të shprishur arbër”, ndjenjat që të zgjojnë një hapësirë e konsiderueshme njerëzish që u detyruan të ikin nga vendi i tyre dhe me vete morën kulturën e lashtë, zakonet dhe traditat me të cilat krijuan dhe identitetin e tyre. Ata morën më vete heroin e tyre, “Motin e Madh” për të na e dhënë atë sa herë këmba të shkel në dhjetra e qindra katunde arbëreshe, kisha, kolegje dhe qendra të tjera publike.

Jorgaqi prek një realitet fizik, një mjedis ku përmes vështirësive të komunikimit në shqip gëlon ndjenja e lashtë e Arbërisë dhe arbërit. Në një moment udhëtimi shkrimtari dhe studiuesi shënon këtë ndjesi interesante “Vështrojmë hartën dhe shënojmë me laps të kuq të gjitha ngulmimet arbëreshe. Gati e gjithë këmba e Gadishullit Apenin përskuqet nga prushi i ngulimeve të tyre. Shumica e katundeve me ballë nga Adriatiku e Joni, vështrojnë nga lindja. Vetë arbëreshëve u pëlqen ta quajnë “Arbëria e vogël” bashkësinë e tyre. Edhe pse në vend të huaj, ata nuk duan kurrsesi ta humbasin vizionin e atdheut. Ky vizion tok me gjuhën, zakonet e psikologjinë, i bën të ndihen se kush janë në të vërtetë.

Në gjithë shënimet, ku flitet për mjedisin arbëresh, në të vërtetë kemi të bëjmë me mjedisin e katundit, të cilin N. Jorgaqi e zbulon mjeshtërisht, si qeliza e rëndësishme e të qenit bashkë historikisht të arbëreshëve, të një vendi ku respektohen zakonet e lashta, ku këndohen këngët arbëreshe, ku bëhen martesat, ku njerëzit e njohin njëri- tjetrin dhe i flasin në gjuhën e tyre të lashtë për të mos e humbur atë në dheun e huaj. Përshkrimi i rrugicave, kopshtijeve, arbëreshëve që takon në këto katunde, në të vërtetë është dëshmia e një vendi ku arbëreshët mbajtën shoqi-shoqin për t’u njohur si të tillë.

Nasho Jorgaqi duke qenë një njohës i mirë i kulturës dhe letërsisë arbëreshe, udhëtimi i tij është një lloj guide e rëndësishme për çështjet e gjuhës, shkollimin shqip, organizimin e tyre, për njerëzit e shquar arbëreshë, për kushtet në të cilat gjendet kjo etni e hershme. Ai pasqyron, takimet me poetë dhe intelektualë arbëreshë, të cilët luajnë një rol të madh në mbijetesën dhe qëndresën kulturologjike arbëreshe. Studiuesi ka kontaktuar me poetë dhe studiues që nga Zef del Gaudio, Matilda Ferraro, Vorea Ujko, Zef Skiroi di Maxhio, Francesko Solano, Antonio Bellushi, Francesko Altimari, dhe të tjerë, përmes të cilëve ai zbulon jo vetëm shpirtin arbëresh, po dhe çështjet e shumta që i shqetësojnë ata.

Hora arbëreshe në Itali është një histori komplekse, e cila nuk mund të eksplorohet në një kohë dhe në një ekspeditë, pasi kohët janë shtresuar në mijëra dokumente të arkivuara, si edhe në ngjarje, histori, etnopsikologjinë e arbëreshëve, në studiues, poetë, gjuhëtarë, mendimtarë, njerëz të besimit që para De Radës e më pas, deri në shekullin që po jetojmë, me të cilët Nasho Jorgaqi ka kaluar ditë e net arbëreshe, ka udhëtuar, ka biseduar dhe ka zbuluar atë që ata ruajnë nga e kaluara dhe atë që kanë sot në kohët moderne mes tyre.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *