Nasho Jorgaqi vazhdon të udhëtojë me biçikletë…

J L

Një portret i paautorizuar për shkrimtarin dhe studiuesin e shquar që dje mbushi 88 vjeç!

Xhevdet Shehu

Nasho Jorgaqi vjen shpesh, disa herë në javë, në redaksinë e gazetës sonë DITA. Është një nga bashkëpunëtorët më të rregullt prej disa vitesh duke na sjellë pambarimisht materiale interesante për figura të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, për Fan Nolin, Faik Konicën, për arbëreshët, kujtime për bashkëkohësit shkrimtarë dhe artistë nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë moderne, të cilët ai i ka pasur miq dhe ka kujtime të pafundme për ta. Kolegëve të gazetës u bën përshtypje fakti se ai vjen vazhdimisht me biçikletë në redaksi. Dhe një ditë kolegët e mi, (të cilët me shumë respekt thonë sa herë ai shfaqet në derën e redaksisë: “Ja, erdhi Profesor Nashua!”) më pyetën:

-Sa vjeç është Profesori?

– E di shpirti i tij. Pyeteni! Profesor Nashua nuk ka dëshirë t’ia kujtojnë vitet që ka mbi supe. Gjithë jetën ka shaluar biçikletën për të shkuar në punë, për të bërë qokat te miqtë, për të kryer punët që ka për zemër, sidomos ato në fushën e krijimeve dhe studimeve… Me biçikletë vjen edhe në gazetë. Më gjeni një rast të ngjashëm dhe unë dorëzohem.

Pavarësisht këtij arsyetimi, ka disa gjëra që duhen arsyetuar më bindshëm. Flitet për një krijues, për një studiues me një profil të spikatur dhe arsyetimi nuk mund të kalohet lehtë. Është një ditë e shënuar dhe duhet ta bindësh lexuesin pse ne po i bëjmë gjoja një qokë. Nashon Jorgaqi meriton shumë më tepër se një shkrim në këtë ditëlindje…

Nasho Jorgaqi ka individualitetin e tij të spikatur si njeri dhe si krijues. Si i tillë ka një vend të merituar në panteonin e letrave shqipe. Nuk është e lehtë të hysh në këtë panteon. Pavarësisht hierarkisë që pamëshirshëm vendos koha.

Nasho Jorgaqi ka hyrë në atë panteon…

***

Në të vërtetë, dje, më 30 tetor 2019, Nasho Jorgaqi mbushi 88 vjeç. Kur e shikon në majën e biçikletës, të duket e pabesueshme se ai mban mbi supe afro 9 dekada. Por kjo është e vërtetë. Dy javë është më i vogël se Dritëro Agolli, një nga miqtë e tij më të mirë për më shumë se gjysmë shekulli, me të cilin ka kujtime të mrekullueshme si shkrimtar dhe studiues.

Këtë shkrim në ditëlindjen e shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi mund ta kishte shkruar dikush tjetër, ndonjë njohës më i mirë se unë i veprës së tij. Por edhe unë e njoh prej shumë vitesh shkrimtarin dhe studiuesin Nasho Jorgaqi.

Me të më lidhin një sërë kujtimesh nga e kaluara…

Shikoni këtë fotografi që shoqëron këtë shkrim. Është një foto që kemi bërë së toku në Frashër në vitin 2002, në vendlindjen e Naimit, Samiut dhe Abdylit. Lidhja e Shkrimtarëve që ende funksiononte nën drejtimin e Limos Dizdarit, kompozitorit të Gjetheve të dafinës, e bëri ditën e poezisë në Frashër. Një ditë e mrekullueshme. Ishin aty Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo dhe disa poetë të rinj. U ndanë dhe çmime. Më kujtohet se Agron Tufa fitoi një çmim. Qe një ditë e mrekullueshme. Poezi, kujtime, nostalgji u ngërthyen si rrallëherë. Aty pranë shtëpisë së vëllezërve Frashëri u shtrua dhe dreka. U këndua dhe u recituan poezi. Aty është bërë dhe kjo fotografi e imja me Nasho Jorgaqin…

***

Nasho Jorgaqi është ortodoks. Unë jam mysliman nga emri. Por kjo nuk më pengon aspak të komunikoj si me Nashon, ashtu dhe me krijues të besimeve të tjera, si shqiptarë.

Sikurse e shkruan me vërtetësi në jetëshkrimin e tij, ka lindur në Ballsh, më 30 tetor 1931. Pra e ndjen veten mallakastriot. Kjo është një dëshmi që mua më kënaq. Por ky është një fakt që Nashua, edhe po të dojë nuk e shmang dot. Sikurse nuk shmang dot, madje e ka pohuar me krenari edhe Kadri Roshi, i cili gjithashtu ka lindur në Ballsh dhe deri sa u nda nga kjo jetë, e ndjente veten më shumë mallakastriot se sa libohovit, nga e kishte origjinën.

Kështu dhe Nasho Jorgaqi e ndjen veten mallakastriot, po aq sa Kadri Roshi. Kam vënë re se mallakastriotët e mi ndihen të nderuar me figura të tilla të shquara të kulturës kombëtare…

Ndaj dhe kolegët e redaksisë ma besuan mua këtë portret të paautorizuar për Profesor Nashon.

Kjo që po shkruaj për Nasho Jorgaqin nuk është kurrsesi një shkrim shterrues për të. Është thjesht një portret, në vend të një urimi. Është më shumë një shkrim mirënjohës për ditëlindjen e tij në përvjetorin e 88-të, që kaloi heshturazi dhe pa ndonjë gjurmë në shtypin dhe mediat shqiptare.

***

Në biografinë letrare të Nasho Jorgaqit përfshihen shumë tituj që lexuesit i ruajnë në kujtesë si vepra që kanë pasuruar fondin e letërsisë sonë. Ndër to mund të përmendim: “Dashuria e Mimozës”, novelë – 1960, “Ëndrra dhe plagë”, novelë – 1963, “Posta e Largët”, novelë – 1968, “Qemal Stafa”, biografi – 1970, “Mërgata e Qyqeve”, roman, Vol. I, II – 1978, 1979, 2004, “Tregimet e Qemalit”, tregime për fëmijë – 1978, “Atentatori i Perandorit”, biografi -1980, “Tregimet e Pranverës”, tregime për fëmijë – 1985, “Larg dhe afër”, udhëpërshkrime dhe meditime – 1987, “Udhëve të mërgimit”, udhëpërshkrime dhe meditime – 1994, “Manastiri i dashurisë”, proza të shkurtra dhe tregime – 1995, “Ndëshkimi i Bukurisë”, proza të shkurtra dhe tregime – 1998, “Tomka” – 1968, “Poetika e dokumentit” – 1987, “Udhëtim me Fan Nolin” 1995, “Udhëtime Letrare” – 2001, etj. Etj.

Ka përgatitur për botim vepra të Fan Nolit, Faik Konicës, Mitrush Kutelit, Haki Stërmillit, Lumo Skëndos, etj. Ka përkthyer vepra të Anton Çehovit, Xh. Gollsuorthit, M. Prishvinit, A. Filipit, etj.

Pse pak janë këto vepra për një autor? Ndërkohë që një autor mund të mbetet i përjetshëm qoftë edhe me një vepër, sikurse është rasti i Migjenit.

Është e pamundur të bëhet një vlerësim perfekt dhe aq më tepër definitiv për gjithë këtë krijimtari të shumëllojshme të Nasho Jorgaqit në një shkrim si ky që është thjesht një skicim i portretit të një shkrimtari dhe studiuesi me kontribute të mëdha në letrat shqipe.

Por Nasho Jorgaqi ka shkruar e punuar shumë se kështu e ka ndjerë se duhej të bënte në rrugën e krijimtarisë së tij të suksesshme.  Oh, sa shumë ka shkruar Nasho Jorgaqi në jetën e tij të përkushtuar gjatë më shumë se gjashtë dhjetë vjetësh krijimtari.

Por unë përmenda vetëm një pjesë të krijimtarisë së tij të pasur në shumë fusha.

Para ndonjë muaji, shkrimtari Nasho më befasoi se sapo ka mbaruar vëllimin e katërt poetik me hajku. Sepse Nasho Jorgaqi në vite ka shkruar poezi pambarim dhe, çuditërisht ky pasion i është rigjeneruar fuqishëm vitet e fundit. Kush i ka lexuar poezitë e Nasho Jorgaqit, edhe këto vëllimet poetike në stilin japonez, është ndjerë i befasuar. Po të mos e njohin personalisht autorin, tashmë 88 vjeçar, do të kujtojnë se kanë të bëjnë me një djaloshar adoleshent, që këndon me gjithë afshin e zemrës për dashurinë, për regëtimat e para të rrahjes së zemrës djaloshare para një vajze të bukur dhe të kolme, për situata magjike që besohet se Nashua i ka përjetuar intensivisht gjatë jetës së tij.

Pikërisht te këto ndijime djaloshare fshihet sekreti i rinisë së këtij autori që udhëton edhe sot e gjithë ditës majë biçikletës. I kanë zili këtë vitalitet? Padyshim.

“Unë ndihem i ri se jetoj si i ri”, thotë shpesh me shaka Nashua.

***

Fama e Nashos u rrit sidomos pas botimit të romanit “Mërgata e qyqeve”. Ai roman i botuar në fundin e viteve ’70 të shekullit të kaluar u përpi për një të vërtetë të madhe që trajtonte: mërgatën shqiptare ballisto-zogiste, për të cilët shqiptarët dinin por edhe nuk dinin shumë gjëra. Shkrimtari në këtë rast depërtoi deri në qelizat më të thella të kësaj mërgate dhe mori dëshmi në dorë të parë nga ata persona të ish-sigurimit të shtetit që punuan me ngulm për ta neutralizuar deri në mosekzistencë këtë mërgatë. Nëse ne sot kemi parti fantazma të Ballit dhe të Legalitetit, një pjesë të madhe të meritës duhet t’ia njohim shkrimtarit Nasho Jorgaqi. Ai edhe sot e kësaj dite ka bindjen e palëkundur se ka bërë një përshkrim realist të këtij grupimi politik që gjatë luftës bashkëpunuan me pushtuesit. Nashos i vjen keq që edhe sot e kësaj dite pinjollët e ballistëve dhe zogistëve të dikurshëm pretendojnë se bashkëpunimin me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore e bënë në emër të luftës kundër komunizmit. Këto përralla nuk i beson askush,thotë ai, ndërsa shton se me këtë synim e botova sërish suksesshëm “Mërgatën…” në vitin 2004.

Por Nasho Jorgaqi është gjithashtu studiuesi më i mirë deri më sot i veprës së Fan Nolit. Botimi i kolanës me gjashtë vëllime të Nolit në vitet 80 të shekullit të kaluar ishte një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore. Ndërkohë që ai punonte dhe ka botuar edhe shumë studime të tjera me vlerë dhe gjurmëlënëse, sikurse janë ato për arbëreshët etj.

Ai vazhdon të punojë këmbëngulshëm dhe prej tij priten vepra të tjera. Këtë e them me siguri, përderisa vazhdonë të udhëtojë me biçikletë në një rrugëtim që duket se do të jetë më i gjatë nga sa e mendon edhe vetë Nashua. Urimet më të mira për këtë ditëlindje edhe në emër të stafit të DITA-s, Profesor!

Share This Article
6 Comments
  • Jo jorgaqi nuk eshte ortodox : eshte po aq i pafe sa ti!
    Edhe pa bese po ashtu ! Pyet Zojen ivanaj per pse e si! Po ju te pabeset i keni per qef me i lavderuar!

  • Gezuar ditelindjen Profesor Nasho!
    Respekt e mirenjohje te thelle per vepren qe I ke lene trashegim dhe asaj qe do te krijosh, dijes shqiptare. Askush nuk do te arrije, sa do te mundohet ta erresoje apo zhduke vlerat e “Mergates se Qyqeve”, e theksuar aq bukur nga i nderuari Xhevdet Shehu.

  • Kjo ka rendesi,qe vjen me biciklete.
    Artistet,intelektualet e vertete moren noc rrokun nga rrumpalla e pardesyve.
    Ta gezoje pensionin profesori.
    Te ruaje bicikleten,se edhe ate ja vjedhin.

  • Si letrar dhe si studius,per nga cilesia e larte e talentit qe kerkohet Nasho Jorgaqi dhe mund te mos e meritoje nje bust,por nga dashuria dhe perkushtimi per pune,patjeter qe po,ne mos nje monument.
    Vecanerisht,brenda kesaj kopeje,ku dembelizmi epik dhe vesi njerzor,eshte i renjosur ne genin e tij.

  • Djaloshit Nasho Jorgaqi, i uroj shendet e kuvet per ti realizuar te gjitha planet e tij shkencore dhe letrare!
    Qe ai realisht mbetet djalosh e deshmon jo vetem fakti qe vijon t’i pershkoje rruget e Tiranes mbi biciklete, por dhe zemra e tij qe rreh mbi poezine si ne vitet e rinise e, mbi te gjitha, dhe mendja e tij pjellore.
    Prof. Nashoja pervec studimeve shkencore letrare ka dhene dhe studime historike qe nga biografia e dikurshme e Qemalit, e aktualizuar ne kete 75-vjetor te Clirimit te Atdheut, e deri te monografia kushtuar Nolit te madh.
    Ne to perkushtimi i Nashos ndaj poetikes se dokumentit nuk ka cenuar vertetesine shkencore te tyre, madje dhe në krijimtarinë artistike mbi tema historike .
    Gazmir

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *