Ndër meseletë e Nastradinit, shumë e njohur është dhe ajo e tij me gruan e gomarin: I hipi bashkë me të shoqen, njerëzit e shpotitën se pse të dy mbi gomar; hipi vetëm e shoqja, njerëzit sërish e shpotitën se përse e shoqja mbi gomar e vetë ai në këmbë, gjë që më pas vijoi me të gjitha situatat, pa gjetur dot karar përballë gjykimit kritik e shpotitës të miletit. Nuk ka fabul më adapte se kjo, për t`ju qasur mendësisë së çorientuar shqiptare, ku për një ngjarje, ndodhi a zhvillim, vështirë të hasësh dy syresh që të kenë të njëjtin mendim dhe të njëjtën referencë gjykimi. Interesant ishte të lexoje komentet e lexuesve poshtë lajmit të videos mbi prangosjen nga ana e forcave policore të një shtetasi që kish tentuar t`i ikte një patrulle të rrugorëve në Tiranë, ku çdokush ishte i mëvetshëm në arsyetim. Por përgjithësisht, dominonte përtallja ndaj aksionit policor, ndaj vetë uniformave blu, që herë quheshin të paaftë, herë të pafuqishëm e herë jo profesionistë. Dhe kjo nuk është e lidhur vetëm më policinë, por me çdo gjë ndodh në Shqipëri. Kemi humbur deri në tragjizëm standardin e orientimin e duhur të gjykimit. Çka është pozitive për dikë, është negative për dikë tjetër; ç`ka është e drejtë për filanin, është e padrejtë për fistekun; ç`ka është logjike dhe e arsyeshme për iksin, është një budallallëk me brirë për ypsilonin; çka është e bukur të majtin, është e shëmtuar për të djathtin; ç`ka është heroike për një ish-partizan, bie erë e rëndë tradhëtie për një ish-ballist; ç`ka është gjoks për një vajzë, trajtohet si gji për një grua, e kështu me rradhë, duke e përfshirë pra dhe përplasjet e fundit mbi keqkuptimet rreth gjinjve dhe gjoksit tek një femër. Kësaj i thonë: Nastradini me nesh, krijuar nga vetë ne!
