Prof. Dr. Hamit Boriçi
1.
Kur Konica ftonte bashkëpunëtorë nga Shkodra për revistën “Albania”, njëri prej intelektualëve që iu përgjegj me shkrime ishte edhe Nasuf Dizdari, dijetari poliglot, publicist, historian dhe drejtues shtypi.
Kush ishte Nasuf Dizdari?
Dy fjalë.
Djalë nga dera e Dizdarëve me histori në qytetin e Shkodrës
Mësimet fillore dhe të mesmen Ruzhdije ( Shkollë plotore qytetëse triklasëshe, ekuivalente me semimaturë ) i kreu në Shkodër. Vijoi Kolegjin Saverian, Shkollë e mesme e etënve jezuitë në Shkodër (1977-1946), ku u diplomua. Studimet e larta i bëri në Stamboll (Turqi) dhe në Vjenë (Austri).
Pas kthimit në atdhe, për një kohë punoi në nënprefekturën e Lezhës, ndërkohë vazhdonte mësimdhënës i gjuhës turke në Kolegjin Saverian.
Më 1897 emrohet në Konsullatën Austro-Hunagreze në Shkodër, fillimisht përkthyes, më vonë kryepërkthyes i Konsullatës, detyrë që kreu e pa ndërprerje deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore (1916-1918 ). Gjatë dy dhjetëvjeçarëve punoi me kryekonsullin Ippen dhe konsujt Von Kral e Zambaur, që janë të njohur edhe për studime e botime në lidhje me Shkodrën dhe Shqipërinë e Veriut.
Dhe ishte një nga nëpunësit e përfaqësisë diplomatike austrohungareze, një shqiptar i vetdijshëm dhe besnik i idealeve kombëtare, me etikë e moral të lartë shoqëror dhe aftësi komunnikuese me bashkëqytetarët për problemet e kohës, prandaj Teodor Ipen e ngarkonte me detyra në interes të banorëve të qytetit e të malsisë së mbishkodrës. Një rast. Teodor Ipen, duke parë gjëndjen e vështirë në dimrin e vitit 1898, merr miratimin nga Vjena, që, me një pjesë të parave të subvencionuara për franceskanët dhe katolikët në përgjithësi, të blinte 20 ton misër dhe t’ua shpërndante 60 familjeve më të prekura. Kjo detyrë iu besua dy nëpunësve-përkthyesë, Nasuf Dizdarit dhe Zef Serreqit”. (Shih Annelise Wernicke – Teodor Ipen dhe Shqipëria në fokusin e Perandorisë Austrohungareze- Tiranë, Plejad, f. 44 –Shkresa e Ipenit Nr. 44B e 3 nëntorit 1898, drejtuar MinistrisësëJashtme, Vjenë-Në ASHV PA XII (Turjei) L.XXX. Kt. Nr. 303 )
Në dy muajt e fundit të viti 1915, kur trupat serbomalazezë po tërhiqeshin nga Shkodra, duke djegur e shkatërruar çfarë u dilte përpara, arrestuan dhe internuan në rajonin e Podgoricës patriotë shkodranë si Luigj Gurakuqi e Nasuf Dizdari. Më 23 janar, në dalje të qytetit të Podgoricës, në përballje të guximshme luftarake, me forca të shumta të ushtrisë malazeze, ra në betejën e nderit heroi Isa Buletini me 17 trimat e tij. Ceremonia mortore e të rënëve u bë në Podgoricë më 25 janar 1916, dy ditë pasi hyri në Shkodër ushtria Austro-Hugareze. Nasuf Dizdari mbajti fjalën e rastit. Oratori iu drejtua heroit: “O atdhetar i flaktë dhe trim i trimave të Shqipnisë, o sokol i nanës Kosovë dhe besnik i betuem i atdheut dhe mik i ngushtë i emi, Isë Boletini….” .
2.
Gjurmët e para të e publicistikës së i gjejmë në revistën “Albania” që Faik Konica nxirrte në Bruksel. Ai,si njëri prej njerëzve të penës gegë, asokohe edhe si punonjës në përfaqësinë diplomatike Austro-Hungareze me seli në qytetin e Shkodrës, dha një ndihmesë të vyer për revistën “Albania”, me shkrime, por edhe me përhapjen e saj si dhe aktivizimin e bashkpunëtorëve, për çka Faik Konica do ta falënderonte. Ai, në një letër, dërguar nga Bostoni, do t’i drejtohej Nasuf Dizdarit:
“ I dashur Zot
Edhe në kohë të Sulltan Hamitit, edhe më pastaj kur rrëmbyen fuqinë xhonturqët, jini sjellur si shqiptar i mirë.Më keni ndihmur për të përhapur revistën ALBANIA në Shkodër, edhe nuk harroj shërbimin që i bête ahere Shqipërisë”. (Burim i cituar -: Annelise Wernicke – Teodor Ipen dhe Shqipëria në fokusin e Perandorisë Austrohungareze- Tiranë, Plejad, f. 241)
Fjala ishte për kohët e para të qarkullimit të revistës “Albania”, kur Konica ftonte bashkëpunëtorë nga Shkodra, jo vetëm si ish-nxënës i Kolegjit Saverian të Shkodrës, por se kishte konsideratë të lartë për shkrimtarët e gjuhëtarët e veriut, disa prej të cilëve i kishte njohur së afërmi. Për një bashkëpunim të tillë paraqiste interes të veçantë Austro-Hungaria, nën protektoratin e së cilës ishte edhe revista “Albania”.
Redaksia e revistës, me një vizion të gjërë e në dritë kombëtare motivonte hapjen e dyerve shkrimtarëve gegë, ashtu si edhe atyre toskë. Në shënimin “Ç’bëjtim, Ç’duhet bërë, Ç’do të bejmë” arsyetohej: “Për me bam ni gazetë nuk vetëm tosknisht, por krejt shqyp, domethanë, tosknisht edhe gegnisht, filluem te numri 5 e ma shumë te numri 8 me qit t’shkruemuna n’gjuhë shqyp, siç e përdorin shqiptarët e veriut o Gegët”. ([1] Revista “Albania”, Bruksel, 30 ) Ndër bashkëpunëtorët e parë të “Albania”-s ishin Filip Shiroka, Nasuf Bej Dizdari, Ndoc Nikaj, Gjergj Fishta, Pashko Bardhi etj. (Shih dy volumet e parë, (Vol. A I mars 1897 – 1898 dhe Vol B-II, (maj dhjetor 1899 )
Nasuf Dizdari në revistën “Albania” shkruante me pseudonim, kryesisht me siglat N.B.D. Në këtë të përkohshme që në herët e para iu përkushtua temave historike. Studimi i tij i parë, titulluar Jeta e Kara Mahmut Pashë Bushatit të Shkodrës, u botua në 3 numra rradhas, në dy gjuhë, shqip e frëngjisht. (Revista “Albania”, VOL. C-D nr. 3, 15- 30 mars 1899; 15-30 prill 1899, nr. 4 dhe 15-30 maj 1899, nr.5 mbetet edhe sot, referenë në artikujt publicistikë dhe trajtesat shkencore të historike.)
E përdyjavshmja “Albania” e vitit 1901, duke vlerësuar Nasuf Dizdarin si historian serioz dhe i përgjegjshëm, në numrin e pestë të saj njoftonte lexuesit se në numrat e ardhshëm përmes shkrimeve të bashkëpunëtorit do të njiheshin me heroizmin e Oso Kukës, që, i rrethuar nga malazezët, i vuri zjarrin kullës dhe depos së madhe të barotit, duke hedhur në erë, së bashku me ushtarët armiq, edhe veten e tij. Artikulli historic “Të djegunit e vet në kullë të Vraninës në Mal të Zi” u botua në numrat 6, 7, 8 të revistës “Albania” të atij viti.
Nasuf Dizdari, si bashkëpunëtor-korrespondent, do të vazhdonte të shkruante në fletoret shqiptare që botoheshun nga patriotët shqiptarë në diasporë gjatë periudhës së Rilindjes, por edhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në revistën “Drita” të Sofjes në vitet 1904-1908 (“Drita” gazetë e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturor, letrare me kronika të kohës që u botua në Soje të Bullgarisë gjatë viteve 1901-1908. Drejtohej nga Shahin Kolonja, një nga publicitët e shquar të Rilindjes Kombëtare. Moto e gazetës ishte: “Mpron të drejtat e kombit shqiptar” ) mbajti rubrikën “Letra nga Shkodra”, të pasur me ngjarje e zhvillime historike kombëtare në qytetin e Shkodrës, rrethinat dhe malësitë. Shkruante me pseudonimet N. N. Shkodrani dhe N. Muhamedani
Një nga gazetat me të cilat bashkëpunoi pas shpalljes së Pavarësisë ishte “Vëllaznija” e Vjenës. ( Gazeta “Vëllaznija”, organ shtypi politik, shoqëror e kulturor me ilustrime,në gjuhën shqipe, botim i Shoqënisë “Dija”, fillimisht e përdyjavshme, nga numri 6 javore. Numri i parë doli më 12 janar 1916. Vijoi deri nga fundi i vitit 1918. ) Nasuf Dizdari, përveç artikujve, si mbledhës i folklorit shqiptar, botoi edhe një cikë këngësh popullore, kushtuar ngjrjeve dhe heroizmave të trimave shqiptarë, si “Kanga e Osos Kukës (nr.48), “Kanga e Kërnicës (nr. 50), “Kanga e Miletit”, “Kanga e Dervish Pashës dhe Kanga e Mehmet Beut (nr. 52), Kanga e Ali Pashë Tepelenës dhe e Hamza Kazazit” (nr. 53), Kanga e Maliq Pashë Dibrës (nr. 56) dhe “Kanga e Mustafa Pashës” (nr. 59). Ai përcillte nga Shkodra “Fjalë t’urta popullore” për rubrikën me këtë emërtim. Në “Vëllaznija” botoi edhe “Gjë e gjëza”.
Në vitet 1923-1924 themeloi dhe drejtoi gazetën “Shpresa Kombëtare” të Shkodrës. Pas ndërprerjes së botimit të kësaj fletoreje, ai merrej me mbledhjen e folklorit.
Ndërkohë, me atributet e konsulentit, ndihmon djalin e tij, gjuhëtarin e mirënjohur Tahir Dizdari, që gjurmonte fjalë të osmanishtes që kishin hyrë në të folmen e përditshme. (Osmanologu Tahir Dizdari është autor i “Fjalorit të orientalizmave në gjuhën shqipe” me rreth 4500 fjalë me prejardhje nga gjuhët turke, arabe dhe perse, botuar shumë vonë, në vitin 2005 )
3.
Por aftësitë mjeshtërore të publicistikës, të organizimit dhe drejtimit të medias i shpalosi në gazetën “Shpresa kombëtare” të Shkodrës, që qarkulloi si gazetë e pavarur. (Gazeta “Shpresa Kombëtare” si fletore e përjavshme politike, shoqërore, wkono,ike, kulturore etj., me 5 faqe. Numri i parë doli më 15 gusht 1923. Vijoi edhe në vitin 1924 )
Një vështrim i shkurtër në disa numra të kësaj gazete, koleksioni i së cilës ruhet edhe në Bibilotekën Kombëtare, do të na njohë me “ formimin e plotë prej demokrati, madje me ide tipike perëndimore të Nasuf Dizdarit. Sado modeste në dukje e faqe, ajo ishte një gazetë e kulturës, enciklopedike, politike, shoqërore e letrare; historike e aktuale, me vlera kombëtare, por edhe profesionale gazetareske”. ( “Shkodra.news”, Mmarch 16, 2018 )
Tematika e fletores “Shpresa kombëtare” është e larmishme, ashtu si realiteti jetësor. Lënda është renditur e shpërndarë në katër faqet: problemet më të rëndësishme në faqen e parë e të dytë; çështjet shoqërore, kulturore e letrare në faqen e tretë dhe të katërt.
Editoriali përurues u drejtohet “Kënduesvet”. Autori, Nasuf Dizdari u kumton atyre misionin dhe përgjegjësinë që ka marrë përsipër: Fletorja ”Shpresa Kombëtare” ka me e krye detyrën e zbatue programin doemos simas parimeve të saj. Gazeta jonë do të jetë e pa anshme, nuk do të merret me çashtje partinash e personale. Shtyllat e saj do t’jenë t’ hapta vetëm për shkrime që i përmahen qellimit të sipërthanun, për mirësinë reale e përparim të shëndoshtë e pa trazime për të mirën e popullit shqyptar”. ( Gazeta “Shpresa Kombëtare”, nr. 1, e mërkurë 15 gusht 1923 )
I qartë politikisht është edhe në editorialin “Lufta e zgjedhjeve”. Me ashpërsi kritikon ish-deputetët “mendojnë vetëm për vedi, për njerëz të tyne, për partitë e tyne si me gjetë mënyrën me rrejtë e me fitue”. Parimisht e praktikisht u kujton zgjedhësve se ish-deputetët nuk lënë gurë pa luajtur. “Dikush përdoron rrenën, dikush intrigën, dikush besën, dikush miqësinë me thithë për vedi sa ma shumë zane (zgjedhës)”…“Partitë tona janë tuj përdorue të gjithë fuqinë e tyne për me shnjerzue njena-tjetren”. Ndaj lëshon thirrjen: “Popull i mjerë, hap sytë mirë se, po qe se nuk merr mend, ma zi ke me vuejtë”. (Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 26 mars 1924)
Katër çështje të rëndësishme që u interesojnë lexuesve pasqyrohen në numrin e 26 marsit të vitit 1924. Fillojmë me editorialin “Shkodra po maron”, … “Shkodra e bukur, lulja, shpresa, krenaria e të gjithë shtetit tonë, deri tash zemra e kshtenimit e shpirti i myslimanëve, po maron”. Dhe jepen të dhëna për gjëndjen e përgjithshme, rënien morale e shoqërore. (Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 26 mars 1924)
Në “Problema e kryeqytetit” trajtohet një nga shqetësimet që të gjithë organet e shtypit e kishin në rend të ditës me debate të zjarrta. Në formën e një “letre”, autori “Lala i Shkodrës” polemizon me Z. M. Penjili, Mis i Kuvendit Kushtetues, që kërkon të bëhet Kruja kryqytet. Sipas tij, “Kushtet kryesore qi lypen për me u ba nji vend Kryegjytet i Shqipnisë i ka Kruja si asnji tjetër qytet i yni”. Këtë, me mendjen e tij, e motivon: “Tri janë pikat kryesore qi ai paraqet: Strategjija, Qetësija, Shëndetsija”. ““Lala i Shkodrës” debatin e përmbyll me një këshillë të tërthortë ironike për Mis Penjilin, ironizon: “Shofim se zotnija e tij aq sa din, aq flet, por mund ti thona se asht shumë punë e urtë mos me folë e me shkrue pa dijtë !!!”.( Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 26 mars 1924 )
Shkrimi i tretë, përsëri është një polemikë, titulluar ““Nji përgënjeshtrim të agjencisë ”Puglia””. Autori, sërish anonim, me siglën “i”, në “Shpresa Kombëtare” të dates 27 shkurt 1924 kishte botuar artikullin kritik “Shkodra dhe Qeveria” ku argumentonte pse “anijet italiane nuk kanë të drejtë me udhëtue në lumin Bunë e në Liqe”. Agjencia e përgènjeshtroi në numrin e datës 8 maj 1924 të fletores “Ora e Maleve” të Shkodrës. Autori “i” hedh poshtë me fakte konkrete stisjet, të pavërtetat e “Përgjigjes” së agjencisë “Puglia”, duke filluar nga kryeavullorja e “Puglias”, vijuar me simotrat e saj “Malvina” dhe “S. Nicola” që lundronin në lumin e Bunës dhe në Liqenin e Shkodrës nuk kishin marinarë shqiptarë, por vetëm italianë, kur ligjërisht duheshin edhe shqiptarë. Për këtë arsye, gazeta kritikon edhe qeverinë lokale. (Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 26 mars 1924 )
I katërti shkrim titullohet “Gjendja e shqyptarve në Çamëri”. Lexojmë: “Korrespondenti ynë nga Vlona na njofton se gjendja e shyptarve të Çamërisë asht e mjerueme nga shkaku se Qeveria Greke nuk po i mban zotimet që ka marrë prej Shoqnisë së Kombeve dhe Fuqive të Mëdha për përjashtimin e çamve nga çkëmbimi i popullsisë shqiptare…”. ( Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 26 mars 1924 ) Ky lajm i zgjeruar përfundon me kërkesën: “Lypset që Qeveria jonë, pa vonesë, të ngarkojë përfaqësuesit e saj në Lidhjen e Kombeve dhe Fuqive. të Mëdha me protestue për këtë qendrim të padrejtë”…”Në kjoftë se nuk ka me na u kqyrë e drejta, Qeveria jonë të marrin masa reciproke”. (Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 26 mars 1924 )
Me artikullin “Gjëndja jonë” bëhet e ditur për reagimet e zhvillimet pas vtasjes së Avni Rrustemit. Gazeta njofton se “Në Vlonë para e mbas varrimit të ndjerit Avni u banë lidhje e betime”….”Disa deputetë venduen, dhanë besën para popullit për mos me marrë më punë të Konstitutjes në Tiranë”….”Ne na duket se ditët e fundit kanë tregue veten drejtuesit e fatit t’Atdheut de fakto, ashtu si janë, gjendjen e vështirë të shtetit tonë, të cilën deri sot me “therori patriotike” e fjalë, rrena thanë para botës së huaj e popullit, kemi dijtë me e mshehë, tashti e kaluen sheshazi pa perdre, pa turp, pa marre. Rrezik për shtetin tone! Dishprim për popullin e shkretë!”. (Gazeta”Shpresa kombëtare”, Shkodër, 7 maj 1924 ) Ndërsa artikullii “Në rrezik morali shqyptar” është një analizë me përmbajtje politike dhe socio-psikologjike për rrethanat e vështira në të cilat jetonte shoqëria shqiptare dhe atdheu i tyre, Shqipëria. Autori shprehej: “Morali ka hupë! Ka hupë në shpi, ka hupë në politikë”, ka hupë në tregti, lëngatë e tërbueme qi ka marr hov”. Duke kërkuar shkaqet sillen fjalë, urti popullore: “Peshku qelbet prej kreje. Pema shef pemen e piqet. Më difto me ke rri, të tham se kush je!”. (Gazeta “Shpresa Kombëtare”, Shkodër, 12 mars 1924 )
Në numrat e “Shpresës Kombëtare” janë trajtuar edhe tema që lidhen me përmbajtjen dhe veprimtarinë profesionale të gazetarisë, siç është censura zyrtare ndaj mediave. Në artikullin problemor “Cenzura e Lirija e shtypit” është përceptuar si një dukuri historike që “Ka le bashkë me librat e parë në Mesjetë nga “Baba i censurës” Papa Aleksandri VI (1558 ) dhe me emërtime e justifikime trilluese ka ardhur deri në ditët tona. Më tej kritikohet ligjësimi e zyrtarizimi shtetëror i censures, “huazuar dhe përshtatur” me një variant francez. Nasuf Dizdari me etikë profesionale e qytetare shfaq mendimin se ai model “… asht i mirë për popull të Francës, po për ne jo. Ne na duhet nji ligj që të ketë tagër me ndalue edhe rreziqet e fletorarizmit, nji ligjë që i përshtatet situatës politike, ekonomike e të kulturës së popullit tonë…”. (Gazeta ”Shpresa kombëtare”, Shkodër, e mërkurë, 10 shtatuer 1923) Njohja me këto dhe shumë shkrime të tjerë janë tregues cilësor të “platformës së vërtetë demokratike të gazetës “Shpresa Kombëtare”, që Nasuf Dizdari kshte projektuar dhe prirë në zbatimin e saj, drejtor përgjgjës, edhe si autor i editorialëve dhe artikujve më të rëndësishëm.
Besnik Dizdari ( Besnik Dizdari – gazetar publicist i shquar prej viteve ’60 të shekullit XX dhe në vijim në ditët tona, për shum vite ish- kryeredaktor i gazetës “Sporti Popullor”, është edhe një nga historianët e gazetarisë shqiptare.) këto arritje dhe vlera do t’i shihte në shkrime si ato me tituj “Qeveria e opozita” apo në “Zgjedhja e misave për Kuvendin Kushtetues“, analiza e “trajtime publicistike me frymë e parime demokratike dhe përparimtare të një shoqërije të civilizuar”. Dhe do të argumentonte se Nasuf Dizdari “që në në fillim të viteve ’20 do të shkruante se “parlamenti duhet të kontrollojë qeverinë dhe qeveria duhet të zbatojë ligjet e vendimet e parlamentit; se zgjedhësit duhet të jenë të pavarura dhe të votojnë për njerëzit e ndershëm e atdhetarë”. (Besnik Dizdari – Arkivi Familja, “Dossier-ët e historisë së harruar: Nasuf Dizdari – njeriu i lamtumirës së heroit Isa Boletini., f. 7 )
* * *
Nasuf Dizdari është dekoruar nga Qeveria Austro-Hungareze, por edhe nga Selia e Shenjtë në Romë. Me propozimin e 23 gushtit 1913, Ipeshkvi i Shkodrës, Imzot Serreqit, Papa Piu X e dekoroi Nasuf Dizdarin me urdhrin e lartë “San Silvestër“ me këtë motivacion: “Për kontributin e dhënë në ruajtjen e institucioneve të kultit katolik dhe të mbarë popullit të Shkodrës nga intervencioni i Malit të Zi”.

Pytje: si asht datat e sakte (1977-1946)?
Ne shkrim thuhet se:
“…Nasuf Dizdari ….Vijoi Kolegjin Saverian, Shkollë e mesme e etënve jezuitë në Shkodër (1977-1946), ku u diplomua….”.
Nasuf Dizdari (Shkodër, 1858 – Tiranë, 1940)
“Më 1897 emrohet në Konsullatën Austro-Hunagreze në Shkodër.”
Kjo tregon se gjimnazin Nasuf Dizdarie ka ba para viti 1897.
Duke kontrollu Listat emnore te nxansve te Kolegjit Saverian ne Shkoder ne librin e botuem prej tyne ne vitin 1928 me rastin e 50 vjetorit te hapjes se ketij gjimnazi (1877-1928) NUK RREZULTON QE Nasuf Dizdari TE KETE FREKUENTU KOLEGJIN SAVERIAN.
Sidoqofte pergezoj Prof. Dr. Hamit Boriçi per kete studim me vlere historike.
Ne mos gabofsha jemi njofte ne Klubin e Rinise ne Shkoder, kur ju ishit instruktor Rinie. Ruj kujtime te mire dhe me bahet qefi qe keni marre rrugen e studimeve historike.
Jam i mendimit qe te vendosej fotografija e Nasuf Dizdari dhe jo e Isa Boletinit.