Nga Dhimitër Shtembari
Gjatë Edicionit të pestë të çmimeve “Harpa”, organizuar para pak kohësh, në një mbrëmje gala, ku ndodheshin figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, akademiku Ali Aliu i dorëzoi aktores Natasha Sela Çmimin e Madh “Harpa”, si aktore e spikatur për interpretim me plastikë të veçantë, që dallohet për rolet e arrira femërore dhe lojë dinamike.
Duke marrë në dorëzim çertifikatën e çmimit të lartë, Natasha, e përlotur, u shpreh, ndër të tjera, se çmimin ia dedikonte bashkëshortit të vetë, aktorit të mirënjohur, Fatos Sela, i cili nuk jeton më.
Vajzë e një familjeje shumë arsimdashëse
Natasha është lindur në fshatin Bishqethëm të rrethit të Lushnjës në familjen Ndreka, një familje shumë arsimdashëse. Të gjashtë fëmijët e kësaj familjeje janë intelektual të njohur.
Motra e madhe, Lefteria, ka pas qënë mësuese me emër në zonën e Gorresë të rrethit të Lushnjës.
Vëllaj i madh, Vasili, agronom, arriti deri specialist i seksionit të Bujqësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Lushnjës.
Motra tjetër, Olimbija, ka qënë arsimtare e talentuar.
Vëllaj tjetër, Themiu, ka shërbyer si mësues në shkollën e mesme të Gorresë, duke qënë për pak kohë edhe kryetar i këshillit të komunës së Kolonjës.
Vëllaj i vogël, Vangjeli, aktualisht është kryetar i Këshillit të Qarkut të Fierit.
Ja, në këtë mjedis u rrit dhe u formua aktorja e ardhshme, Natasha Ndreka (Sela).

Edhe pse nxënëse në tetëvjeçare, soliste në estradën profesioniste
Kur ishte nxënëse e klases së tetë në shkollën tetëvjeçare të Gorresë në rrethin e Lushnjës, Natasha Ndreka ishte e shkëlqyer në mësime. E dashuruar mbas letërsisë, ajo recitonte me shumë ndjenjë. Në konkurset zonale apo në ato të organizuara në shkallë rrethi ajo pat merituar vazhdimisht çmimet e para.
Ndërkohë, edhe këndonte bukur. Shumë bukur. Gjatë pushimeve verore ftohej të ishte pjesë e estradës profesioniste të Lushnjes.
– Në mbarim të klasës së tetë, – tregon Natasha, – shkova në Tiranë për të konkuruar për aktrim, kur… “Kjo paska qënë këngëtare pranë estradës profesioniste, tha dikush nga ata të jurisë, prandaj ta dërgojmë në Shkollën e Kulturës”.
Më ra pika kur dëgjova të shpreheshin kështu, vazhdon të tregojë Natasha. Dëshiroja të përgatitesha për aktore.
Kur kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte treguar të atit, Kristaqit, ai ishte gëzuar shumë. Sa mirë! – ishte shprehur. –Ti duhet të bëhesh mësuese si dy gocat e tjera, Lefta dhe Oli.
Drejtoresha e Shkollës së Kulturës, Liri Kroi, kishte rastisur të ishte një shoqe tepër e emancipuar. I lejonte nxënësit të shpreheshin lirshëm sipas aftësive që kishin.
– Na vinte herë mbas here në shkollë aktori i madh Kadri Roshi dhe na jepte rast të luanim fragmente pjesësh teatrale. Ti, vajzë, m’u drejtua një herë, të paraqitesh në konkursin që organizohet në Institutin e Lartë të Arteve. Ke mundësi të bëhesh një aktore e mirë…”.
Eh, kur të vlerësonte Kadri Roshi, shprehet Natasha, s’kishte se si të mos bëheshe me krah.
Për t’u futur në Institut duhej kapërcyer “diga” Birçe Hasko
Gjatë kohës që përgatitej për të konkuruar pranë një jurie të krijuar enkas prej Birçe Haskos, Drita Agollit dhe Mario Ashikut pranë Institutit të Lartë të Arteve, si edhe të tjerë edhe Natasha dhe njërëzit e saj pranë familjes bënin përpjekje për të gjetur ndonjë mik për të ndërhyrë te kryetari i jurisë. Oho, është e kotë, i thoshnin Natashës. Bile ka rrezik të humbësh pikërisht se përse u ke futur mik.
E ndihmuar nga disa aktorë, Natasha përgatiti disa fragmente nga vepra komike. Dhe ishte paraqitur para jurisë, ku kishte interpretuar pjesët që kish marrë përsipër të luante për konkurim.
– Mirë, vajzë, – i kishin thënë, – shko dhe përgjigjen do ta mësosh nga lista që do të vendoset në hyrje të Institutit.
Ishte kthyer Natasha në shtëpi, por… ishte gjëndur para qortimeve të të atit. Moj grua ç’është ky konkurs i Tashës në Tiranë?! Dy gocat e tjera nuk kanë bërë konkurse për t’u bërë mësuese. Bashkëshortja ishte munduar ta qetësonte, por Kristaqi nuk ndihej rehat. Diçka kuptonte. Moj e kam dëgjuar që bërtet nëpër shtëpi, si të jetë e luajtur nga mëndt.
Në fakt Natasha pat ushtruar zërin në shtëpi, duke deklamuar monologje nga roli që do të luante para jurisë.
Javë më pas Natasha mori vesh se ishte afishuar para Institutit lista e konkurentëve. “Do të shkojmë bashkë në Tiranë”, më tha im vëlla, Vangjeli, – tregon Natasha.
Kishin shkuar drejt e në Institutin e lartë të Arteve.
– Shko e shiko ti, – i thash tim vëllaj, – sepse unë…
Kish shkuar Vangjeli, ndërkohë që e motra e pat ndjekur me sy. Mbas disa sekondave pat dëgjuar t’i thërriste i vëllaj:
– Afrohu! Afrohu!
Kisha fituar.
Në Fier, mes artistëve të pasionuar
Mbas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, Natasha e mbrojti diplomën me rolin e një figure nga një dramë e mbështetur në romanin “Këneta” të shkrimtarit Fatmir Gjata. Udhëheqës teme kishte të madhin Esat Oktrova. Përfundimi: Shumë mirë!
Tashmë studentes iu hap dera e madhe e artit dramatik. Në një farë mënyre e mendonte se do të mund të dërgohej në Fier. Ky qytet kishte një Teatër të përbërë nga një kastë artistësh të rinj, por shumë të pasionuar mbas profesionit të tyre.
Fillimi i punës së Natashës përkoi me vënien në skenë të dramës së Teodor Laços “Gjemimi i atij dimri”. Regjisor ishte Dhimitër Pecani, tepër i talentuar si i tillë.
Edhe pse niste hapat e parë në skenë dhe, për më tepër, vetëm njëzetë e katër vjeçe, regjisori i besoi një rol të dorës së parë, Ruzen. Kuptohet, do të ishte dublante. Se këtë rol do ta luante edhe e mirënjohura Hajrie Rondo.
– Nuk do ta kisha të lehtë, – tregon Natasha, – ca më tepër që do të konkuroja me një aktore vërtet të talentuar, që kishte dhënë prova të padiskutueshme para spektatorit fierak dhe më gjërë.
Duke bërë fjalë për këtë dramë të shfaqur në Fier, por edhe në sallën e Teatrit Popullor në Tiranë, shtypi i kohës do të vinte në dukje, ndër të tjera, edhe aftësinë aktoreske të aktores së re lushnjare.
Edhe pse diplomën e mori me notë maksimale, Natashën e brente mendimi, se a do të mund të merte po këtë notë edhe nga spektatori? Se nota e spektatorit është mbi çdo vlerësim jurie.
Në një rast Natasha kishte sjellë në sallën e Teatrit të atin, që të shikonte një dramë. Aty nga mesi i shfaqjes babaj i ishte drejtuar të birit: “Po Tasha jonë do të dalë në skenë?!” “Ja ku është Tasha, baba; ajo atje në mes të skenës…”. I ati nuk kish folur. I kish ardhur turp që nuk e kish njohur.
– U gëzova kur mësova se nuk më kish njohur im at, – tregon Natasha. – Kuptova se isha “tjetërsuar” në skenë. Luaja rolin, jo veten.
Me Fatosin, shokun e jetës
Si të gjithë, edhe Natasha zuri shoqëri e miqësi me të tërë pjesëtarët e trupës teatrale. Dhe ishte e natyrshme të ndodhte kështu. Në fund të fundit, gjatë punës së përbashkët brenda një kolektivi shoku të bëhet vëlla dhe shoqja të bëhet motër.
Kaluan vite dhe, krejt natyrshëm, mes Natashës e aktorit Fatos Sela nisi e vazhdoi një miqësi e ngushtë. Një miqësi që u thellua dhe lidhi nyje në zemrat e të dyve.
– Do të vihej në skenë drama “Dorina”, – tregon Natasha. – Regjisori, si të ishte një psikolog i vërtetë, na dha, mua e Fatosit, të luanim një çift të dashuruarish.
Gjatë shfaqjes dy partnerët luanin jo rolet, por vetveten. Me shumë shpirt. Teksa deklamonin ligjërata të ngrohta dashurie, spektatorët duartrokisnin pa ndërprerje. Sikur ta dinin, që mes dy artistëve që luanin nuk ishin thjesht dy aktorë teatri, por dy njerëz të zakonshëm, dy qytetarë që shkëmbenin fuqishëm mesazhe dashurie.
– Ah, Dhimitër, dua të shpreh atë që edhe shokët e vetë e thonë më zë të lartë: Fatos Sela ishte një artist i vërtetë. Kujtoni rolin e Avni Rustemit dhe do t’ju vijë ndërmend edhe im shoq. Rreth dyzet ditë u shfaq drama “Dy krisma në Paris” dhe biletat vazhdonin të shiteshin me autorizim…
Fatos Sela ka krijuar figura që i kujton menjëherë, si Avni Rustemin te “Dy krisma në Paris”, ka luajtur role që nuk harrohen te dramat “Zoti godet me putër”, “Kush e vrau Kastinën”, “Shtrigat e Salemit”, “Një letër e humbur” “Gjëmimi i atij dimri”, “Baladë për një grua”, “Fytyra e dytë”, “Dashuria me fantazmën”, “E bukur shtëpi e vjetër”, “Plumba dhe shkronja”, “Dorina”, “Armiku i Popullit”, “Xhaxha Vanja”, “Portreti i Dorian Greit”, “Pulëbardha”, “Streha e të harruarve”, “Tiranosauri”, “Anonimi i Venedikut”, “Magjia e madhe”, “Pamje nga ura”, “Franku V”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor”, “Henri VI”, Ismail Qemali te “Ëndrra e Ismail Qemalit”, roli brilant i Salierit tek “Amadeus” etj., etj.
Fatosi ishte Artist i Merituar. Kur Presidentit të Republikës i dërguan propozimin për ta shpallur Mjeshtër i Madh Punës, ai nuk hezitoi për t’ia akorduar këtë titull të lartë nderi.
Gati një çerek shekulli në teatër
Natasha Sela ka kontribuar njëzet e dy vjet në skenën e Teatrit “Bylis” të Fierit e, mbas vitit 1995, për dhjetë vjet – edhe në Teatrin Variete të kryeqytetit.
– Nuk e kam pasur të lehtë të luaja në të gjitha premierat, – na thotë Natasha, – sepse, duke qënë bashkëshortja e Fatosit, si të thuash, më binte si të isha në hije të tij! Këtë e kam pasur mirë parasysh, prandaj i rrisja përpjekjet që të më fliste puna.
E prirur sidomos për figura komike, spektatorët e mbajnë mend Natashën në rolin që luante te komedia “Ëndrra në papafingo” me regji të Erion Isait. E mbajnë mend në rolin e Norës te komedia “Hajdutja e bukur” me regji të Enver Petrovskit. E sjellin në kujtesë një rol që ka luajtur te “Ëndrra e një nate vere” të Shekspirit. E patën duartrokitur nxehtësisht teksa luante rolin e Kukusë te drama “Ylli pa emër” me regjisor Ervin Çulin e për të tjera role.
Në një pjesë me një akt të Eugen Ioneskut, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë në bashkëpunim me Aleancën Franceze dhe me Shërbimin Kulturor të ambasadës franceze në Tiranë, Natasha do të luante me mjeshtëri krah aktorit të mirënjohur Vasian Lami dhe aktores dinamike Marsela Lena.
Kohët e fundit, e ftuar nga regjisori i njohur Bujar Kapexhiu Natasha do të luante në mënyrë mbresëlënëse te shfaqja “Gjenerali dhe Pleyboj”, duke u duartrokitur edhe në sallën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Janë dhjetëra e dhjetëra role në teatër e në estradë, ku Natasha ka pasqyruar talentin e saj të padiskutueshëm.
Dhe i kujton me shumë respekt tërë ata regjisorë të talentuar me të cilët ka bashkëpunuar, Pëllumb Kullën, Dhimitër Pecanin, Roland Çarkën, Roland Roshin, Fatos Selën, Muhamet Sherin, Gëzim Kamen, Kiço London e të tjerë.
Me role të spikatura edhe në mjaft filma
E prirur të luajë role të spikatura grash të vuajtura, me halle dhe nevoja, Natasha është thirrur nga regjisorë me emër për t’u përshirë në kasta aktorësh aktivë. Ka luajtur te “Kronikë provinciale”, ka luajtur rolin e fallxhores te filmi “Mao Ce Dun”’, ka luajtur te filmi i regjisorit Piro Milkani: “Gjoleka – djali i Abazit” etj. Në të gjitha këto role, edhe pse jo të planit të parë, është parë një finesë e madhe aktoriale.
– Kam luajtur rolin e Bedrijes, të pastrueses, te filmi serial “Njerëz dhe fate”’, – tregon Natasha, – dhe jam ndjerë e lumturuar.
Ndërsa bisedojmë, Natasha na tregon një episod që thotë diçka: Hipëm me tim shoq në autobus dhe po qendronim në këmbë. Një grua çohet nga vendi dhe, tërë mirësjellje, më drejtohet: “Zonja Bedrije, ejani dhe uluni këtu”. Pa pritur që ta pyesja më tej, ajo vazhdoi. “”Na je bërë e dashur nëpërmjet filmit “Njerëz dhe fate”. Kur zbritëm nga autobuzi, i them tim shoqi: E shikon se çfarë të bën filmi? Fatosi vuri buzën në gaz, më shkoi krahun dhe bëmë përpara.
Natasha ka luajtur edhe në filmin serial “Piruet”’ të Arjan Çuliqit, sikurse edhe në disa mikrokomedi të po këtij regjisori të shquar. Figurë të spikatur ka krijuar te filmi “Tyneli” i Ilir Harxhit, në atë “Familja” të të talentuarit Ylli Pepo etj.
– Kohët e fundit jam aktore edhe në filmin “Dy gisht mjaltë” të Ermal Mamaqit, film që mund të shfaqet së afërmi, – na thotë Natasha.
Tani që i mungon bashkëshorti, nuk e ka të lehtë të kontribuojë për artin dramatik. Gjithësesi, vazhdon ëndrrën. Vazhdon ëndrrën, sepse mban parasysh atë çka ka pas thënë regjisori i madh rus, Stanislavski: Kur të hyni në skenë, të gjitha mëritë, zënkat dhe hallet e shtëpisë t’i lini jashtë bashkë me çadrën dhe galloshet.
* * *
“Në hapësirën tonë shqipfolëse ka me dhjetëra e qindra emra të spikatur në fushat ku ata veprojnë. Një pjesë e tyre dalin jashtë vëmendjes vlerësuese për shkaqe harrimi. Ne po përpiqemi që t’u themi “Faleminderit!” si emrave të shquar me kontribut disavjeçarë, ashtu edhe disa të rinjve të talentuar që premtojnë në fushat ku ata janë të fokusuar. Kultura është identiteti i një kombi, prandaj ajo duhet të ketë më shumë vëmendje se të gjithë sektorët e tjerë” u shpreh para pak kohësh në një mbrëmje gala të organizuar nga Fondacioni Kulturor “Harpa”’, presidentja e këtij Fondacioni, zonja Majlinda Rama.
Njëra nga ato që i takoi t’i thuhej “Faleminderit!” ishte pikërisht Natasha Sela.

Jete te gjate aktores ! Seksese ne rolet e ardheshme! Lushnjaret kane te drejte te krenohen me artistet e mbrekulueshem qe kane dale nga ky rreth. Nje merite te madhe kini edhe Ju, i nderuari zoti Dhimiter Shtembari. me shkrimet tuja kini gdhendur aq bukur portretin e artisteve Lushnjare . E sot po njihemi me nje aktore brilante si Natasha Sela. Nderime aktores e respekt per Ju,i nderuari Dhimiter!
Nji vleresim i mungiúar i nji Artisteje te skenes
se Teatrit e Estrades se shquar te vendit ,
qytetit te Fierit .
Artistet ,njerzit e shquar ata qe i dhane Art-it te atij vendi
duhen kujtuar e nderuar ,duhen vleresuar dhe Autori i shkrimit ben nji pune te shkelqyer ktu .
Cdo te mire ne jete Natasha Sela
Me ka lidhur pona ne zonen e Bishqethem-Gorrese,nje nga zonat me punedashese,njerez te ndershem,bujare,arsim-dashes,pse jo dhe rrace e pashme shqiptare.Ja prej ketej ka dale Natasha,nga nje familje intelektuale myzeqare,i uroj asaj dhe familjes shendet e suksese.I them suksese, se me kalimin e moshes artistet jane si pune e veres,sa me te vjeter e aq me te mire.Le te rroje ajo edhe per Fatosin!