NATO dhe Rusia takohen sot për të diskutuar për Ukrainën

redaktor

NATO dhe Rusia kanë rënë dakord që të takohen sot për bisedime lidhur me krizën në Ukrainë. Ky takim në Bruksel do të jetë kontakti i parë publik ndërmjet aleancës Perëndimore të mbrojtjes dhe të dërguarve rusë qëkur forcat ruse u futën në gadishullin ukrainas të Krimesë javën e kaluar.

NATO e njoftoi sesionin e jashtëzakonshëm mbrëmë, duke thënë se ishte kërkuar nga Sekretari i Përgjithëshëm Anders Fogh Rasmussen. Aleanca nuk ka dhënë detaje të mëtejshme. Vendet anëtare të NATO-s u takuan herët të martën me kërkesë të Polonisë e cila ka vijë ndarëse kufitare me Ukrainën. Pas takimit NATO tha se prezenca ushtarake ruse në Ukrainë përbën “ ndërlikime serioze për sigurinë dhe stabilitein e zonës Euro-Atlantike.”

Ndërkohë, këtu në Washington, presidenti amerikan Barack Obama i bëri thirrje dje Rusisë që të hapë bisedimet me qeverinë e përkohëshme në Ukrainë dhe të lejojë vëzhguesit ndërkombëtar për të përcaktuar nëse rusët etnikë në Ukrainë janë nën kërcënim, sikurse pretendon Moska.

Komentet e presidentit Obama erdhën pas një konference shtypi në Moskë nga presidenti rus Vladimir Putin. Udhëheqësi rus mbrojti ndërhyrjen ushtarake ruse në gadishullin e Krimesë javën e kaluar, duke thënë se ai rezervon të drejtën për të mbrojtur rusët në Ukrainë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *