Natyra hakmerret, nëse i kundërvihesh! (Si një editorial në vargje)

redaktor

Dhe sikur Rama të qe,
rastësisht në Shqipëri,
s’e ndalonte dot përmbytjen,
që nga Jugu në Veri!

Sikur rastësisht të qe,
dhe në krye të detyrës,
nuk do bënte dot asgjë,
mbi tërbimin e natyrës!

Po problemi është se Rama,
në ditët e kiametit,
vjet-sivjet edhe parvjet,
gjithnjë ka qenë jashtë shtetit!

Nuk besoj se Shqipërinë,
e ka zënë Zoti me gurë,
po ne kemi shkatërruar,
këtu çdo argjinaturë!

Nuk besoj se po jetojmë,
kohën e hallemëdhenjve,
po ne kemi shkatërruar,
gjithë shtretërit e lumenjve!

Çdo vit kemi të përmbytur,
njëlloj Jug edhe Veri,
se qeveritë s’kanë ndërtuar,
asnjë hidrovor të ri!

Bonifikimi u prish,
nga Erozioni shqiptar,
kanë ndaluar investimet,
gjysmë shekulli më parë!

Ne çdo gjë e shkatërruam,
me kalimin e ylberit,
kemi vetëm hidrovoret,
që nga Koha e Enverit!

Me gomar të Nastradinit,
për BE ne jemi nisur,
jemi ngjeshur në qytete,
dhe TOKËN kemi braktisur!

Prapë nuk dua që ta them,
na zuri Zoti me gurë,
ç’mund të presësh nga një Vend,
ku TOKA s’punohet kurrë?!

Qeveria ka dy vjet,
që bën veç legalizime,
aty kur kishte dikur,
prita dhe kanalizime!

Fjala vjen kemi Hollandën,
një nga shembujt më të ndritur,
ndënë nivelin e detit,
dhe kurrë nuk ësht’ përmbytur!

Sepse qeveritë atje,
janë gjithnjë përsëmbari,
s’merren si këtu tek ne,
vetëm me llogje pazari!

Fjalët për këtë katran,
ku t’i lë e ku t’i zë,
një pushtet kaq llafazan,
që s’bën pothuaj asgjë!

Kemi shkruar-kritikuar,
sa më vjen të ulëras,
të përmbytesh vit për vit,
dhe mos marrësh asnjë masë!

Të mbytesh e të përmbytesh,
njëlloj si një vit më parë,
sepse për të zbutur dimrin,
nuk punohet në behar!

Ne shkatërruam natyrën,
duke kaptuar çdo cak,
ndaj s’më duket hiç çudi,
që Natyra sot merr hak!

S’na ka mbetur më gjë tjetër,
veç vajtim mbi fatin tonë,
se një shtet i tillë kartoni,
asgjëkundi s’ekziston!

Këto dëme të mëdha,
s’i parandaluam dot,
ndaj unë pyes qeverinë,
do marrë ndonjë masë për mot?!

Edhe për çudi ne kemi,
një shtetar kaq shumë të ditur,
që s’harron të bilbilojë,
mbi një TOKË të përmbytur!

Share This Article
1 Comment
  • PERMBYTJE NDOSHTA DHE ME TE MEDHA SE KJO NE SHQIPERI, NDODHIN NE CDO VEND TE BOTES, EDHE NE BOTEN E QYTETERUAR E TE MIREADMINISTRUAR NE EUROPE. POR NUK MUND TE THEMI SE DHE NE KETO SHTETE TE MIREADMINISTRUAR, POPULLSIA ECKA SHKATERUAR NATYREN.
    PERMBYTJET NDODHIN PER SHKAK TE RENIEVE TE SHIUT NE SASI SHUME ME TE MEDHA SE ATO NORMALE.
    Por tek ne edhe keto fatkeqesi natyrire perdoren politikisht nga qeverite duke deklaruar se eshte faji i qeverise te mepareshme. DHE ME KETE DUAN TE JUSTIFIKOJNE MOSVEMENDJEN APO MOS INTERESIMIN E DUHUR TE QEVERISE PER INVESTIME NE INFRASTRUKTUREN E NEVOJSHME.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *