Liqenasit janë katandisur si s’ka më keq. Lejkërsat pësuan humbje edhe me Miluokin. Mungesa e yjeve Brajant, Gasol apo Nesh sërish u ndie, veçse nën zë thuhet se kalifornianët po luajnë vetë për të humbur. Përse? Sepse, sipas rregullave, ekipet e fundit kanë mundësi më të mira për të zgjedhur të rinjtë më të talentuar në fund të sezonit. Këtë e shfrytëzoi më së miri Bred Najt që udhëhoqi Miluokin, një tjetër ekip tepër i dobët, për të arritur fitoren e dytë radhazi. Najt shënoi 30 pikë, ndërsa 10 i realizoi Zaza Paçulia, lojtari që stërvitet në mënyrë personale nga trajneri shqiptar, Fatmir Cuka. Tek Lejkërsat luajti më mirë Hill, me 28 pikë dhe 16 topa të kapur në tabela. S’kish mbetur tjetër për t’ia kaluar. Tashmë, ekipi nga Los Anxhelosi është i parafundit në Perëndim, i lënë pas vetëm nga Jutah.
