Aktivistët e Lëvizjes Studentore për Barazi Studim Kritik Veprim kanë zhvilluar një aksion simbolik para Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku kanë ndarë ‘çmimet’ “Oscar për Korrupsion”, e që në këtë rast aktorët ishin zyrtarë të lartë të institucioneve të vendit. Për t’i shtuar dozat e ironisë aksionit, ata kanë shtruar madje edhe tapetin e kuq. Egzon Kongjeli, aktivist i kësaj lëvizjeje studentore është shprehur se “kryeministri Hashim Thaçi, me servilët e tij, për vite me radhë, kanë dëshmuar se janë mjeshtër të praktikave korruptive, prandaj edhe i meritojnë këto çmime”. “Ai ka perfeksionuar kaq shumë këtë zhanër sa që ne besojmë se meriton çmimet më të larta ndërkombëtare. Në Kosovë korrupsioni nuk është spontanë por është i organizuar e i orkestruar. Ky organizim shihet më së miri në procesin i cili po quhet ‘privatizimi i ndërmarrjeve publike’. Në emër të privatizimit qeveria fali dhe pritet t’i falë ndërmarrjet publike më vitale në vendin tonë, të cilat janë shpresa e vetme për punësimin e qytetarëve tanë”, ka thënë ai. /Kosovapress/